Kujtimet e Shqipërisë së viteve ’90 po rizgjohen në mediat prestigjoze botërore. Vendi po zë faqet e para të shtypit dhe rrjeteve televizive ndërkombëtare për shkak të një eksodi masiv të nisur në fillim të këtij viti. Mbi 30 mijë vetë janë regjistruar si azilkërkues në Gjermani. Me mijëra janë ata në vendet e tjera. Gjermania kërcënon me rikthimin e regjimit të vizave. Finlanda reagoi për hërë të parë: “nuk do të pranojmë asnjë azilant nga Shqipëria”.
Gjithkush kërkon arsyet e eksodit të dytë të madh të shqiptarëve. Deutsche Welle shkruante pak ditë më parë se këto janë pasojat e dështimit të elitës politike.
Huffingtonpost ka publikuar shkrimin e një shqiptari që jeton dhe punon në Francë, sipas të cilit, arsyet e largimit të Shqiptarëve në emigrancion, në vitin 2015, janë sociale dhe politike. Autori i shkrimit është Aurenc Bebja, i diplomuar në Zhvillim dhe Mjedis në Unviersitetin ë Burgonjës, që ka mbajtur poste të ndryshme në administratën publike franceze.
“Kjo dëshmon që Shqipëria, veçanërisht zonat rurale të saj, është e prekur nga një krizë e thellë socio –ekonomike, ku qytetarët e të gjitha moshave dhe kategorive socioprofesionale braktisin vendit pa e ditur në të vërtetë se ku do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë. Përgjegjësit kryesorë janë politikanët, të cilët përpiqen ta zhdramatizojnë situatën në sytë e botës, me një lehtësi shqetësuese. Politikanë pa përvojë, që zënë postet kyçe, abuzojnë me detyrën, vjedhin fondet publike, me të shkuar të lidhur me krimin, duke mos qenë të aftë të ringjallin ekonominë, që tallen me qytetarët gjatë fushatave elektorale, po e çojnë Shqipërinë drejt falimentimit”, thuhet në shkrimin e botuar në Huffingtonpost.
I vënë në shenjestër të akuzave të opozitës, kryeministri Rama e ka justifikuar eksodin e shqiptarëve si “keqkuptim” të kërkesës për punonjës të kualifikuar në Gjermani. Autori i shkrimit thekson faktin se “duoja politike Rama – Meta që qeverisin vendin kanë aspirate të mëdha për Shqipërinë, duke pretenduar se duan ta integrojnë në Bashkimin Europian. Por fjalët i merr era, ndaj është e nevojshme të ketë më shumë vepra”.
Shkrimi ka tërhequr vëmendjen e botuesve të Huffingtonpost përmban jo vetëm një analizë të situatës, por edhe një revoltë ndaj politikanëve në pushtet, që autori e shfaq në formën e denoncimit.
“Unë i mirëkuptoj azilkërkuesit që largohen nga vendi i tyre, të zhgënjyer nga kushtet e vështira të jetesës, të detyruar të dëgjojnë të flitet për miliona euro që fitojnë deputetët apo kryetarët e bashkive, por të paaftë për të reaguar kundër pushtetit, të zhgënjyer teksa dëgjojnë të flitet për pushimet hollivudiane të Kryeministrit në plazhin e Dhërmitu dhe të Kryetarit të Kuvendit në plazhin e Jalit apo për ato të Ministrit të Brendshëm në Korfuz, ndërkohë që kohët janë të vështira për popullin, që lufton për të siguruar ushqimin e nevojshëm dhe strehim.”
Autori i shkrimit thotë se teksa Gjermania po i rikthen azilkërkuesit ata duhet “t’u kërkojnë llogari politikanëve për premtimet e pambajtura elektorale, si për shembull hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës”.
“Zgjidhja – thuhet në këtë shkrim – nuk është në Gjermani, por në Shqipëri”.
“Dhe për të ndalur hemorragjinë e eksodit, duhet urgjentisht dinamizimi i ekonomisë lokale dhe thithja e invesitimeve. Duhet që qeverisja qëndrore dhe ajo lokale të jenë më të rigorozë në punën e tyre dhe opozita më e përgjegjshme, ndërsa populli të ketë një frymë më kritike ndaj padrejtësive dhe korrupsionit dhe të jetë më kërkues ndaj atyre që ka zgjedhur në qeverisje.” Lapsi.al