• |
ide | kryesore

E vërteta ime për kishën në Dhërmi

Arkiva, Ide
kokedhima.jpg



Bashkia e re e Himarës është sigurisht një nga evenimentet më të bukura të Reformës Territoriale e Administrative. Bashkia e re u ngrit mbi trojet e Himarës historike. Për qindra vjet, Himara bregdetare dhe Labëria kanë qenë një krahinë. Krahina e Himarës është një nga krahinat më të lavdishme të Shqipërisë.
Këto ditë ka një debat të madh mediatik. Janë në një krah bashkë, të gjithë: Saliu, OMONIA, PBDNJ dhe ca nga klerikët grekë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, ashtu si edhe Ministria e Jashtme e Greqisë. Të gjithë, në një zë, shprehin shqetësimin pse shteti ynë është duke prishur një pllakë betoni atje në Himarë, të ngritur brenda mureve historikë të themeleve të ish-Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, dikur monument kulture. Ne e njohim këtë kishëzë nga një foto e vitit 1942. Ajo u rrënua, si shumë të tjera, në vitet 1970-1980. Gurët e saj në një pjesë të madhe u përdorën për të ndërtuar ujësjellësin e fshatit. Ajo kishë ka qenë shumë e rëndësishme për historinë tonë. Atje meshoi dhe u varros Nilo Katalani, një figurë e shquar e kulturës dhe gjuhës shqipe. Katalani ishte kryesuesi i parë italo-arbërësh i Misionit Bazilian, një mision me famë që kreu aktivitetin e vet në Himarë dhe gjithë bregdetin e Shqipërisë, për gati 3 shekuj me radhë. Këta murgj bazilianë, përgjithësisht ishin shqiptarë, ose ishin vëllezër gjaku me shqiptarët, ishin arbëreshë. Edhe ata që nuk ishin shqiptarë nga gjaku, ishin të shqiptarizuar, sepse të gjithë veprën e tyre e zhvilluan në gjuhën shqipe. Pandashmërisht prej tyre, atje,  në Himarën e lavdishme që shtrihej nga vija bregdetare e deri në Kurveleshin e sipërm dhe përfshinte 57 fshatra, u zhvillua Pararilindja e Shqipërisë, Rilindja gjuhësore, letrare dhe kulturore. Kjo i parapriu dhe përgatiti Rilindjen tonë Kombëtare. Rilindja jonë, siç përshkruhet në histori, paraqitet si një rrap madhështor. Por ku i ka rrënjët ky rrap madhështor? Si mund të lindë një epokë nga asgjëja? Dhe nga ku tjetër mund të vinte zgjimi, përveçse nga arbëreshët e arvanitët, të cilët jetonin jashtë sundimit perandorak otoman?
Nilo Katalanin disa e cilësojnë si një ish-prift renegat grek! Katalani nuk është as grek, as renegat, por një figurë që bëri shumë për shqiptarët. Ai është dijetari që bëri gramatikën e parë të gjuhës shqipe. Aq shqiptar u bë në shpirt, sa dhe poezitë shqip i shkroi. Ai është mësuesi që hapi e udhëhoqi një shkollë shqipe, për t’u mësuar shqiptarëve në gjuhën shqipe, katekizmin. Dhe ua mësoi katekizmin, jo vetëm të krishterëve, por dhe myslimanëve. Thuhet se shkroi dhe një doktrinë të krishterë shqip, por Selia e Shenjtë nuk ia miratoi, sepse, siç iu tha, shqiptarët, nga Himara në Kelmend, kishin Doktrinën e Pjetër Budit. Kështu të bashkuar na shihnin atëherë! 
Nilo Katalani kishte nxënës nga bregdeti, kishte nxënës nga Kuçi, nga Tërbaçi dhe nga fshatra të tjerë të Himarës. Këta murgj arbëreshë, shqiptarë dhe të shqiptarizuar, bënë vepra të shquara për kulturën e Shqipërisë. Ata zbuluan të parët Mesharin e Gjon Buzukut, ata krijuan shkollat shqipe, ata e pagëzuan Shqipërinë me emrin Shqipëri dhe popullin e saj me emrin shqiptarë. Shqipëria mbeti pa emër në shek. XVII, se të gjithë emrat historikë ishin zënë. Ata gjetën që ky vend fliste shqip e duhej quajtur Shqipëri. Dhe kjo ndodhi në vitin 1703. Këta misionarë e këta murgj, këta njerëz të ditur të asaj kohe, zhvilluan pikërisht iluminimin e gjuhës shqipe dhe shkruan për herë të parë gjuhën letrare shqipe. Imzot Gjergj Skiroi, pasues i Nilo Katalanit, është i pari në histori që përdori gjuhën shqipe në komunikimin me Selinë e Shenjtë.
Veprimi ynë në Himarë nuk nxitet nga ndonjë ide e supozuar për kthimin e murgjëve bazilianë. Shteti ynë është shekullar dhe respekton besimtarët në zgjedhjen e tyre. Ne ëndërrojmë një vend të bekuar, një vend me paqe të qëndrueshme, një vend të pasur e të integruar në Evropë. Ne ëndërrojmë një vend të sigurtë e prosperitet për njerëzit tanë, një vend që të ketë respekt për të gjitha besimet, për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët.
Varri i Katalanit ishte atje tek kisha e Shën Thanasit, qysh nga viti 1694, kur u varros me nderimet që i takonin. Në shekullin e 20, varri i Katalanit u dhunua për herë të parë nga një pinjoll i familjes Buo në Dhërmi. Thuhet se ky person e dhunoi varrin për t’i vjedhur kurorën me diamante! Sepse ai ishte Monsinjor dhe duhej të varrosej me të gjitha nderimet. Në vitet ‘90 një tjetër dhërmiot, Klearko Papasava zhvarrosi Katalanin, i flaku eshtrat e tij dhe mbi varrin e Nilos ndërtoi këtë gjoja kishëzën e re! Prifti i Dhërmiut Bixhili, u ka pohuar banorëve të Dhërmiut se kishëza e vogël është bërë me lejen e autoriteteve të larta kishtare. Në se kjo është e vërtetë, atëherë duhet të mendojmë që zhvarrimi i Katalanos është bërë me nxitjen e këtyre autoriteteve. 
Që askush të mos fshihet pas gishtit, duhet ta themi haptaz se kjo luftë, në emër të ortodoksisë dhe lirisë së besimit, bëhet jo për të mbrojtur kioskën e betontë të Klearko Papasavës, por për të zhdukur varrin dhe historinë e Katalanit dhe bashkë me të, edhe atë histori të lavdishme të Himarës dhe të Misionit Bazilian, që udhëhoqi Kishën Ortodokse Arbëreshe në Himarë dhe në bregdetin e Shqipërisë në shekujt 17–18. Ata ishin himariotë dhe u kthyen këtu si arbëreshë, si vëllezër tek vëllezërit. Nëse vërtetë autoritetet e kishës dhe besimtarët e Dhërmiut kërkojnë të ndërtojnë dhe të kenë një kishë të shenjtë të Shën Thanasit, atëherë kjo do të ketë mbështetjen e plotë të shtetit tonë. Autoritetet vendore janë të gatshëm të ofrojnë terrenin, si dhe miratimet për lejet përkatëse, për të ndërtuar një Kishë të re dhe të vërtetë të Shën Thanasit në Dhërmi.
Tashmë besohet në mënyrë të sigurtë që eshtrat e Katalanit u gjetën dhe konservuan nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe Bashkia e Himarës ka rënë dakord me një plan për ta rindërtuar kishën e vjetër të Shën Thanasit dhe për ta rivarrosur me nderim këtë figurë të ndritur me origjinë siçiliane, por të arbëreshizuar, të shqiptarizuar. Pjesë e këtij plani është vendosja e shenjave të kujtesës këtë vjeshtë për të gjithë murgjit bazilianë në Himarë dhe në bregdetin shqiptar. Më 10 nëntor, më shumë se 20 akademikë shqiptarë do të referojnë kumtesat e tyre për këtë periudhë aq të rëndësishme të historisë të Himarës e të Shqipërisë dhe për gjithë orientimin properëndimor që zgjodhi e ndoqi Himara në shekujt 16-19. Për këtë kanë punuar me një përkushtim të pashoq gjithë profesorati i Universitetit të Vlorës, koordinuar nga prof. Roland Zisi. Po nuk mund të lë pa përmendur shkencëtarët arbëreshë Francesko Altimari (akademik) dhe Mateo Mandala; studiuesit e mirënjohur italianë Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe studiues të tjerë aq të vlerësuar nga vendet fqinje e nga vendi ynë, si Dhori Qiriazi, Pëllumb Xhufi, Anila Omari e Shaban Sinani. Kjo konferencë do të zhvillohet me kujdestarinë morale e  intelektuale të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë po punohet për një park tematik në Himarë që do të evokojë këtë periudhë historike dhe këto figura të shquara që mbajtën gjallë lidhjet e hershme vëllazërore të Himarës me arbëreshët dhe anasjelltas. 
Ajo kishëza që mbrojnë të gjithë këta që ju thashë në krye të kësaj fjale, ai bunkeri i betonit, nuk është gjë tjetër, veçse mbulesa dhe alibia për zhvarrimin brutal të eshtrave të Katalanit nga ajo tokë atje dhe për të fshirë këtë histori të lavdishme të kësaj krahine. 
Greqia nuk mund të na mësojë neve respektin për besimtarët dhe për besimet. Ajo duhet të mësojë nga toleranca fetare e popullit tonë, nga kultura e bashkëjetesës fetare dhe etnike në Shqipëri. Është e drejta dhe përgjegjësia e shtetit tonë ta rindërtojë atë kishë historike, ta rindërtojë dhe ta rivarrosi me nderim Katalanin. Ne jemi përgjegjës ta ringremë atë kishë, si një muze, në nderim të kësaj vepre të bërë nga populli ynë dhe këta misionarë të shquar, me gjak shqiptar.
Njësitë e pushtetit vendor në Sarandë, Himarë e Vlorë do të vendosin shenjat e kujtesës, që historia e Himarës dhe e Rilindjes gjuhësore, kulturore e letrare të saj dhe të Shqipërisë të nxirret nga harresa e pabesë dhe të vendoset në shërbim të popullit! Rimëkëmbja e Himarës dhe garantimi i paqes dhe qetësisë së qëndrueshme atje është e lidhur, sa me mundësitë që krijohen pas Reformës Territoriale, aq edhe me ndriçimin objektiv të historisë së saj në shekuj, krahas të gjitha masave të tjera për zhvillimin e kësaj zone. Kush ka frikë nga e vërteta e të shkuarës historike, ndoshta fsheh qëllime të këqija për të sotmen dhe të ardhmen tonë!
Ata që flasin për respekt të besimtarëve homogjenë në jug të vendit duhet të respektojnë historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Katalani, Zassi, Zaharia Dhima, Petro Andrea, Basilio Matranga, Partenio Parrino, Gjon Llazari, Giuseppe Schiro, Dhimitër Leka e Nilo Borgia janë tashmë figura të ndritura të kulturës dhe historisë sonë dhe ne si shqiptarë nuk mund të pranojmë që Kisha Autoqefale e Shqipërisë të mos jetë në krah të përpjekjeve të popullit tonë për mbrojtjen e historisë dhe kulturës sonë dhe për zhvillim kombëtar! Besime kombëtare nuk ka, veç hebraizmit, por nëse mundësia për të zgjedhur katër shekuj më parë ishte: liturgji nga vëllai arbëresh apo nga cilido tjetër, si mendoni ju, cila do të ishte zgjedhja e kritikueshme?
Më ndjeni se u zgjata shumë në këtë histori, por edhe në behar nuk na lënë rehat as Saliu, as këta të tjerët, Beleri, Bollano, Dule, priftërinjtë, të cilët e konsiderojnë akoma edhe sot, se të jesh ortodoks do të thotë të jesh grek! Por, ne jemi gati t’u japim përgjigje! Ne jemi ortodoksë të mirë dhe ndihemi krenarë për gjakun dhe identitetin tonë si shqiptarë!