• |
ide | kryesore

Frika e PD-së për largimin e ish mediave të saj

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Ka një paranojë gjithnjë e në rritje në PD lidhur me ish mediat e saj që po i largohen përditë e më shumë. Nëse ndesh nga hierarkët më të lartë e deri tek ekspertët më të rij të kësaj partie, të gjithë do të flasin, për tradhëtinë e “y” gazete, për largimin e “z” pronari, për blerjen nga Rama të “x” televizioni.

Kjo psikozë kolektive është shpërfaqur brutalisht edhe në publik ditët e fundit. Nga tribuna e PD-së u sulmuan ashpër, mediat e atij që në rrethet tona të ngushta njihej si botuesi më pranë Lulzim Bashës, Irfan Hysenbelliu. Selia blu nuk nguroi të shpallte fundin jo vetëm të miqësisë midis dy njerzve që dikur e thërisnin njëri- tjetrin “Fanja” dhe “Lukja”, por edhe akuzën se mediat në pronësi të tij po i shërbenin qeverisë.

Pak a shumë të njëtat terma përdori edhe zyra e Presidentit të Republikës, që nuk harron kurrë ti rakordojë qëndrimet me partinë mëmë, ndaj gazetës “Mapo’ në pronësi të Henri Cilit. Akuza e njëjtë: shërbime ndaj qeverisë.

Lapsi.al i trajtoi në rubrikën lajme këto “ngjarje” thjeshtë si raportim. Por, në fakt, ato kanë nevojë për një thellim më të madh që na bën të kuptojmë më mirë edhe mungesën e seriozitetit të mediave tona edhe konceptin që politika ka për to.

Le ta nisim nga kjo e dyta. Në këndvështrimin e saj PD-ja nuk është se nuk ka të drejtë. Mjafton të bëjmë vetëm një krahasim të vogël për të kuptuar gjendjen reale. Le të marrim zgjedhjet lokale që sapo përfunduan dhe ato të katër viteve me parë. Ndryshimi është i qartrë. Në 2011 edhe Panorama edhe Mapo edhe TV Klan po të doni, ishin kokë e këmbë pro Lulzim Bashës. Në 2015, asnjëra prej tyre nuk qe më me Halim Kosovën. O ishin kthyer me Erion Velinë ose mjaftoheshin të sulmonin Bashën.

Dhe historia nuk mbaron këtu. Janë po të njëjtat media që kanë mbyllur një sy për Gërdecin, që kanë mbështetur përmbysjen e 10 votave në Tiranë, që kanë fabrikuar histori me vrasje nga turma në 21 janar dhe që nuk kanë lënë fjalë pa e share, kritikuar, tallur, përbuzur, quajtur të paaftë e politikan lokal, Edi Ramën. Cuditërisht, sot që është në pushtet, nuk i thonë as çrekun e gjërave për të cilat e fshikullonin në opozitë.

Prandaj PD, në sipërfaqe, ka të drejtë të shqetësohet kur sheh se si këta ushtarë të bindur shndërohen papritur në tradhëtarë profesionistë. Ajo ka të drejtë të alarmohet edhe më, kur sheh sesi mbyllen apo ndërojnë pronësi gazeta që ishin krijuar vetëm për tu vënë titujt Berisha, TV që u ngritën vetëm për të mbështetur privatizimet e klientëve të tij, kioska momentale që transmetonin vetëm propogandë.  

Por, pavarësisht nga ky “shock” i përkohëshëm, as Berisha dhe as Basha, madje as njerzit që i ndjekin, nuk janë aq naivë dhe symbyllur që të besonin se mbështetja e këtyre mediave ishte parimore, se ndanin me ta bindje të njëjta apo ideale të përbashkëta. Të gjithë të zellshmit që i mbështetën në Gërdec, në 21 janar, për grabitjen e votave të Tiranës dhe videon Meta- Prifti, ata i kanë përdorur si mercenarë. E kanë blerë këtë mbështetje me reklamë shtetërore, me tendera okultë, me trafik influence dhe deformim të tregut. Dhe tani që nuk janë më në pushtet, ata nuk mund të presin tjetër veçse që mercenarët të largohen. Ata do të plotësojnë qarkun e tyre klienetelist 360 gradësh, duke u kthyer në prehërin e dyshes Rama-Meta që e shpiku këtë model, të cilin Berisha e përdori vetëm për tetë vite.

Natyrisht padronët e mediave që e luajtën këtë rol kanë përfituar prej tij. Por gazetat, portalet, TV-të e tyre janë telendisur keq në sy të publikut. Besueshmëra e tyre është qesharake dhe influenca e tyre afër zeros.

Ndaj dhe PD-ja që ka pasur dorën e saj në këtë diskretitim, nuk ka se pse shqetësohet sot se disa prej mediave mercenare po e braktisin. Edhe po të duan edhe po ti qëndrojnë pranë (gjë e pamundur) ato nuk e ndihmojnë dot më. Se ato janë programuar si autoporlantë për propagandë pushtetesh dhe jo si pushtete të mëvetësishme me ndikim në shoqëri.

Prandaj këtu shqetësimi më i madh nuk është se opozitës po i largohen mediat, por se ajo friksohet për këtë fakt.  Se ajo beson ende në të bërit politikë me manipulim përmes klientëve të saj në shtyp. Se ajo beson në përdorimin e të përdorurve të përhershëm.

Natyrisht për një demokraci të përparuar dhe me standarte, humbja e pushtetit mediatik do të përbënte një hendikap serioz për çdo forcë politike. Por në një mjedis si yni, një një shoqëri si kjo, ku e vërteta mëton të ndrydhet dhe pushteti të glorifikohet, ka një paradoks. Opozita e ka më të lehtë. I mjafton qoftë dhe një fletushkë, një rjet social apo një kioskë televizive, për të përcjellë mesazhin e saj. Gjithnjë nëse beson tek e vërteta dhe jo tek manipulimi.

Dhe të vërtetat që opozita mund të thotë për këtë qeverisje janë të pafundme. Ndaj ajo nuk duhet të këtë frikë nga largimi i mercenarëve. Ata sot për sot nuk i duhen. Pa ta edhe mund të rikthehet në pushtet. Dhe nëse vjen, aty do ti këtë prapë: të gatshëm për ti bërë autoporlantin. (lapsi.al)