• |
ide | kryesore

Arben Ndoka: Nëse të gjithë bëjnë si unë, parlamenti mbetet me 70 deputetë

I pakategorizuar
nokkkk.png



Ligjvënësi socialist i Qarkut Lezhë, Arben Ndoka, në mënyrë të papritur ka lënë mandatin e deputetit dy ditë më parë. Për këtë veprim ai i ka dërguar një letër Grupit Parlamentar dhe votuesve socialistë. Në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në “Top Story” në TCH ai ka treguar edhe një herë historinë e tij. 

Sokol Balla – Në letër pranoni se jeni i dënuar zyrtarisht në Itali për trafik njerëzor për qëllime prosititucioni…
Arben Ndoka – Çështje ka nisur 20 vite më parë në një procesi që është zhvilluar në mungesë dhe në padijeninë time. Avokatët që kanë mbrojtur këtë çështje kanë qenë avokatë të shtetit. Kanë qenë avokatë të marrë sipas njohjeve të prokurorëve. 
Sokol Balla – Përse e mohuat deri dje këtë fakt që jeni zyrtarisht i dënuar? Keni gënjyer ju apo edhe partia juaj?
Arben Ndoka – Nuk ka asnjë gënjeshtër. Është një vendim i gjykatës me të cilin unë jam njohur shumë vite më pas. Unë e kam shlyer detyrimin e padrejtë që më është dhënë. E kam shlyer detyrimin tim ndaj drejtësisë italiane dhe nuk i kam borxh asnjë gjykate, asnjë drejtësie.
Sokol Balla – Kur e zbuluat këtë, përse dorëzuat një deklaratë penaliteti ku nuk figuroni si i dënuar?
Arben Ndoka – Dëshmia e penalitetit tim është e pastër si në Shqipëri dhe në Itali. Sa i përket Shqipërisë, është e pastër sepse dënimi i përket Italisë, ndërsa në Itali, sipas ligjit të parashkrimit përcaktohet edhe afati kohor i rehabilitimit. Jam i pastër në Itali dhe Shqipëri. Nëse do të kisha pasaportë italiane nuk do të kisha asnjë pengesë të kandidoja për deputet atje. Kam shlyer masën e dënimit të dhënë në mënyrë të padrejtë nga gjykata italiane. Në këtë pikëpamje nuk i jam borxh asnjë gjykate. Kjo është arsyeja pse kam vazhduar përpjekjet e mia për të shkuar tek Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, aq më tepër për një gjyq të zhvilluar në mungesë. Ndërkohë, unë nuk e kam patur mandatin për të mbrojtur veten, ndryshe nga shumë deputetë të tjerë, përfshi këtu edhe kreun e PD-së që ka përdorur mandatin dhe pushtetin për t’iu shmangur drejtësisë për vjedhjen e 220 milionë eurove. 
Sokol Balla – Gjithë këto histori për ju dolën kur u përfshitë në një tjetër incident në Parlamentin shqipitar. Thoni se jeni i dënuar me të padrejtë në Itali, por a mendoni se gjykata kishte të drejtë kur ju gjeti jo të fajshëm për goditjen e një kolegu tuaj në Parlament? Unë nuk bie dakort në asnjë pikë në sjelljen dhe mënyrën sesi ju reaguat.
Arben Ndoka – Kjo është një sjellje që nuk duhet të përdoret në nivele deputetësh. Kam kërkuar ndjesë për këtë. Sa i përket vendimit të gjykatës, respektoj të dy vendimet që janë dhënë ndaj meje për këtë çështje, vendimin për përjashtimin tim në disa seanca dhe vendimin e gjykatës duke e kualifikuar aktin si jo vepër penale. T’i nënshtrohesh padrejtësisë është shumë e rëndë. I kërkoj edhe njëherë ndjesë publikut për atë akt që nuk duhet të ndodhte, por një person amoral që kërkon të bëjë moral, një person që gjysmën e jetës e ka si xhepist autobusësh….
Sokol Balla – I keni kërkuar ndjesë publikut për incidentin, mendoni që i keni borxh publikut një tjetër ndjesë që shkuan dy vjet që nuk thatë që kishit një problem në të shkuarën tuaj?
Arben Ndoka – Mendoj që dorëheqja ime përfshin gjithçka. Nevojitet për të dhënë një shembull të veçantë. Sa i përket faktit që kisha një masë dënimi të dhënë në mungesë ndaj meje, kemi plot raste të kësaj natyre. 
Sokol Balla – Mendoni që duhet ta kishit pastruar të kaluarën dhe pastaj të hynit në politikë?
Arben Ndoka – Unë jam më i pastër se 80 përqind e deputetëveë që më kanë sulmuar, ndërsa sa i përket mospranimit, unë mendoj që nuk mund të jepja shembull më të mirë sesa lënia e mandatit. 
Sokol Balla – Vini nga një zonë që nuk është e panjohur nga këto probleme në emigracion. Pse duhet t’u besojë publiku se po thoni të vërtetën?
Arben Ndoka – Unë përmes rreshtave që kam shkruar tek deklarata e bërë publike pak ditë më parë, momentin e formulimit të atyre rreshtave kam menduar që në çdo fjalë. 
Sokol Balla – Vendimi juaj është i lirë, nuk keni patur asnjë presion?
Arben Ndoka – Jam i imponuar vetëm nga morali, ndërgjegjia dhe nga asnjë lloj presioni tjetër. Imponimin do ta pranoja vetëm nga elektorati. Këtu nuk ka të bëjë me asnjë presion dhe asnjë imponim. Jam menduar gjatë për këtë. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, por gjeta kurajon ta bëja këtë. Aty janë shumë të tjerë që nëse tërhiqen nga mandati i deputetit mund të përfundojnë edhe në burg. Unë i kam shlyer dënimet e mia ndaj drejtësisë italiane, ndërsa aty ka shumë të tjerë. Është edhe një deputet i PD i dënuar në Shqipëri. Nëse deputetët do të bëjnë atë që bëra unë, ngel Parlamenti me 70 deputetë. Unë kam një masë të dhënë nga drejtësia italiane para 20 vitesh, ndërkohë që sot kemi deputetë në Parlament që kanë duart me gjak dhe sot flasin me kartën e ndershmërisë. 
Sokol Balla – Çfarë ndjetë në momentin që u detyruat që detajet e kësaj historie t’i bënit publike? 
Arben Ndoka – Mendoj që pavarësisht besohet ose jo, jam përpjekjur të jem shumë i sinqertë në deklaratën time. Mqs isha një person i votuar në Lezhë ndjej detyrimin për aq kohë sa deputetë të PD përdorën si kauzë politik emrin tim, duke mos patur kauzë tjetër, ndjeva si detyrim që të bëja publike, përmblodha gjithçka për të cilat jap detaje në çdo moment. 
Sokol Balla – Megjithëse jeni një njeri i lirë nga funksionet publike, druaj se gjatë gjithë kohës do të jeni nën vëzhgimin e gazetarëve për të vazhduar kauzën tuaj për të pastruar emrin. Aksioni ligjor për pastrimin e emrit tuaj do të vazhdojë?
Arben Ndoka – E kam vazhduar betejën time në Itali dhe në lidhje me këtë dhe shpresoj që t’i jap zgjidhje në Itali, në të kundërt do të shkoj në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Sokol Balla – Çfarë do të bëni nëse ju shfajëson gjykata, do i riktheheni politikës?
Arben Ndoka – Pastrimi i emrit tim, kjo më intereson më shumë se çdo gjë. Nuk më intereson politika dhe biznesi. Do të vazhdoj me gjithë forcën time për t’i shkuar deri në fund. Sa i përket pjesëmarrjes në politikë apo biznes, do të respektoj Kushtetutën e Shqipërisë.
Sokol Balla – Keni patur oferta nga parti të tjera për të qenë deputet?
Arben Ndoka – Absolutisht që po. Një ndër personat që më kanë kërkuar të kandidoj ka qenë Nard Ndoka. 
Sokol Balla – A jeni penduar që i jeni futur politikës?
Arben Ndoka – Në politikë jam futur për të dhënë atë që kam menduar se mund të jap dhe besoj që këtë jam përpjekur ta bëj. Kam qenë në dispozicion për përgjegjësitë që kisha ndaj elektoraitt. Nuk jam penduar ehde pse ka qenë një ndër betejat më të vështira të jetës time. e kisha menduar që parlamenti është një vend i shenjtë. Po të jetë në gjykimin tim, një pjesë e madhe e deputetëve, sidomos nga pd, po të mos kishin mandatin e deptuetit, pushtetin që kanë patur ndër vite nuk do të preferoja të qëndroja në të njëjtin vend me ta.