• |
ide | kryesore

Kadare: E vërteta e konfliktit me familiarët e Mitrush Kutelit

Arkiva, Dossier
ismail-kadare-intervista-express.jpg



“…E vërteta të forcon”, – thotë Kadare në bisedën tonë të lirë, duke lënë të kuptohet se intervista e mëposhtme është një mundësi shqyrtimi mbi krimet në diktaturë përtej “akuzës” që i drejtohet atij nga trashëgimtarët e shkrimtarit Mitrush Kuteli, që dje u mbushën 108 vjet nga dita e lindjes. Kadare jep përgjigje për disa momente për të cilat është rënduar drejtpërdrejt nga familjarët e Kutelit në “Netë moldave”, ndoshta duke pritur prej tij të mbajë përgjegjësi për çfarë ka thënë, në rastin e përfoljes në “betejën e Stalingradit”, duke sqaruar për së dyti herë, edhe kërkuar që të lexohet drejt si në këtë intervistë, përcjellja e kësaj pandehme ose trillimi. Por, Kadare që shfaqet gjithnjë e më rrallë, në ndërhyrjet e tij intelektuale në punët e vendit, këtë herë në intervistën ekskluzive për “Standard”, nxitur prej rastit të Kutelit, shprehet me përgjegjësi politike kur thotë se “hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje, ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë”. Për shkrimtarin zhdukja e gjurmëve të krimit është nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar. Ky është edhe rasti shqiptar.

“Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim janë ende midis nesh”, – është shprehur Kadare.

Por shkrimtari zbulon dhe një marrëdhënie të panjohur mes tij dhe Kutelit. Në parantezë:

Akuza e trashëgimtarëve e ardhur drejtpërdrejt: Kadare ka thënë të pavërteta dhe ky është një dëm i madh ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë. “Meqenëse Kadareja ka krijuar një autoritet të madh ndërkombëtar e kombëtar, ai vetë si përhapës i kësaj të pavërtete, mendoj se rëndohet me një përgjegjësi të madhe ndaj figurës së Kutelit”. Por, në intervistën e mëposhtme, Kadare, pyetur për “historinë e tij” të letrës së `88-ës, ka treguar për herë të parë se Kuteli është përkthyer në atë kohë nga një kushëri i Jusuf Vrionit në frëngjisht, por që sot e kësaj dite nuk janë botuar. Kjo komentohet e bllokuar, e refuzuar nga familjarët. Një tjetër moment delikat lidhet me dënimin e shkrimtarit. Trashëgimtarët shkruajnë se dosja e hetimit është bosh dhe nuk ekziston letra e akuzës. Kur versioni i tyre është se mbi Kutelin rëndon akuza politike për përfshirjen në armatën fashiste rumune, Kadare thotë se çështja e Kosovës e çoi shkrimtarin në burg.

Zoti Kadare, është botuar një libër nga trashëgimtarët e Kutelit, “Netë moldave”, me një parathënie të gjatë, që ndalet në akuza të drejtpërdrejta mbi ju, mbi disa pasaktësi, sipas tyre, të dhëna në librin tuaj “Mëngjeset në kafe Rostand” mbi jetën e Kutelit. E para lidhet me vitet e burgut, dënimin e tij, dhe e dyta, që është më e rëndësishme, me pandehmën tuaj për përfshirjen e Kutelit në Betejën e Stalingradit. Në përgjigje të kësaj, ju sollët në gazetën “Standard” të njëjtin shënim si edhe në libër. Pse vendosët të reagonit me të njëjtën mendim, kur pritej të zgjeronit historinë e kësaj situate?

Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë, sepse e vërteta ka qenë e tillë. Nuk e kam bërë ndonjë pandehmë për pjesëmarrjen e Dhimitër Paskos në betejën e Stalingradit. Përkundrazi, kam shkruar se “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme”, është përhapur kjo pandehmë ose ky trillim.

Mendoj se shprehja “sipas një pëshpërime jo fort të besueshme” është aq e qartë sa të mos lexohet si e kundërta e saj.

Trashëgimtarët shkruajnë në libër, që sipas Plasarit, ka qenë Shuteriqi, i cili ka artikuluar i pari “betejën e Stalingradit” dhe pretendojnë se ju jeni pasues i kësaj “teorie”. Si ka mbërritur tek ju ky “informacion”?

Nuk di që pëshpërima ka patur si autor Shuteriqin. Kam qenë student në Tiranë kur e kam dëgjuar të qarkullonte gjerësisht.

Në fakt, familjarët e lidhin këtë situatë me Shuteriqin si një argument të fortë, si akuzë politike pse u dënua Kuteli, ardhur nga qarqet letrare. Një version tjetër, po që përmendet shkarazi, është edhe Kosova, “Poemi kosovar”. Në dijeninë tuaj, pasi nuk besojmë që rasti i Kutelit t’ju ketë lënë indiferent, pse mund të jetë dënuar me burg ky shkrimtar?

Mendoj se për ngjarje dramatike, siç janë dënimet e shkrimtarëve të shquar, duhet folur më seriozisht, çka do të thotë, më saktësisht. Dhimitër Pasko u arrestua dhe u fut në burg në vitin 1947, në kohë e terrorit shqiptaro-jugosllav. Ai u lirua fill pas prishjes së miqësisë me Jugosllavinë. Kjo e bën edhe më të besueshme tezën se kërkesa për arrestimin dhe burgosjen e tij është bërë prej Jugosllavisë për shkak të angazhimit të tij për çështjen e Kosovës, dhe të një poeme me subjekt Kosovën.

Ky është një kujtim i turpshëm në historinë shqiptare pas luftës botërore, koha kur Mugosha dhe Popoviçi urdhëronin arrestime, si të ishin në shtëpi të vet. Merret me mend që ka njerëz që ende janë të interesuar që ky turp të harrohet, ngaqë kanë qenë të përzier me të.

Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `88, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?

Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist. Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë. Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim. Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll. Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.

Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos. Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris.

Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim. Kam kujtuar se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.

Cili është dimensioni i Kutelit për ju?

Dhimitër Pasko është një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, jo vetëm të viteve `30, por të krejt letërsisë shqipe. Si një klasik i saj, ai bën pjesë, në mënyrë të padiskutueshme, në fondin e artë të letrave shqipe.

Jeni takuar ndonjëherë, si e mbani mend?

Siç kam shkruar në librin “Mëngjeset në kafe Rostand”, e kam takuar për herë të parë kur isha student në shtëpinë e Sterjo Spasses, në rrugën Him Kolli, në Tiranë, më 1958.

Ishte përgjithësisht i heshtur e i pa përzier me njerëzit, dhe kjo ishte e kuptueshme për një shkrimtar që kishte qenë i burgosur politik. Aq më tepër që arsyet e vërteta të burgimit të tij, siç ndodhte shpesh, mund të merreshin me mend, pa u thënë asnjëherë haptas.

Si e shpjegoni faktin e zhdukjes së dosjes së dënimit të Kutelit? Familjarët thonë se nuk ekziston as letra e akuzës, pra thjesht, duke mbetur si “armik i popullit”, që si shkak iu ndalua botimi, e që pasoi me izolim të detyrueshëm të tij, duke u marrë vetëm me përkthime.

Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist. Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej. Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.

Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar. Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.

Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë.

Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.

Kadare, drejtor i “Les lettres albanaises”

Çfarë ka ndodhur me përkthimin e Kutelit në frëngjisht në `89-ën

V.M.: Flitet për një letër që familjarët e Kutelit jua kanë dërguar juve më `89, pasi në një parathënie në frëngjisht ju keni përmendur mobilizimin e shkrimtarit dhe prej aty si duket, ka zgjatur ky debat deri tani. Si është historia juaj për këtë situatë, çfarë fati pati parathënia për Kutelin?

I.K.: Do të ishte mirë që familjarët e Paskos t’i kujtonin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur. Pasko, ashtu si Poradeci, ka qenë shkrimtar i mënjanuar prej regjimit komunist. Si të tillë, ishin gjysmë të ndaluar dhe botimet e tyre ishin jashtëzakonisht të rralla. Në kushte të tilla, dashamirësit e tyre, që nuk munguan kurrë, janë përpjekur t’i ndihmojnë. Në atë kohë drejtoja të vetmen revistë që botohej në frëngjisht te ne, “Les lettres albanaises”, misioni i së cilës ishte njohja e letërsisë shqipe në botë. Dihej se Pasko si shkrimtar gjysmë i ndaluar që ishte, nuk preferohej për përkthim. Megjithatë, vendosa të botoj, pa kërkuar leje, disa nga perlat e tij në frëngjisht. Vështirësitë ishin të shumta, duke nisur nga gjetja e përkthyesit, të cilët ishin nën kontroll. Përkthyesi im, Jusuf Vrioni, më propozoi që të përpiqesha për kushëririn e tij të parë, Azis Vrionin, i cili, njëlloj si Jusufi, kishte qenë i burgosur politik, përkthente gati-gati po aq shkëlqyeshëm sa ai. Dhe natyrisht e kishte emrin e ndaluar në shtyp, njëlloj si Jusufi.

Pa i thënë askujt i propozova përkthimin e Paskos, bashkë me pseudonimin Luan Gjergji, nën të cilin u përkthyen dhe u botuan, njëra pas tjetrës, novelat e Paskos. Ia tregova tekstet botuesit tim francez në “Fayard”, i cili i çmoi shumë dhe pranoi t’i botonte në një libër, bashkë me një prezantimin tim, njëlloj si kishte ndodhur me prozën e Migjenit, që sapo kishte dalë në frëngjisht në Paris. Këtu ndodhi edhe surpriza e keqe. Botimi u pengua nga trashëgimtarët e Paskos! Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe ende sot ka mbetur një mister ky refuzim. Kam kujtuar, se pas rënies së komunizmit, trashëgimtarët kanë gjetur ndonjë tjetër botues të huaj, por as kjo s’ka ndodhur. Ende sot novelat e bukura të përkthyera shkëlqyeshëm, kanë mbetur pa u shfrytëzuar në “Les lettres albanaises”.

Hapja e dosjeve, Kadare:

– Hapja e dosjeve, dalja në dritë e të vërtetës nuk do të lejonte më që në sferën delikate të letrave dhe artit, spekulantët dhe denonciatorët, të vazhdonin veprën e tyre çnjerëzore. Dje ata i çonin kolegët e tyre në burg, e disa herë në mort, sot përpiqen t’i dëmtojnë me shpifje dhe trillime, si ato që u përmendën në këtë bisedë. Desha të shtoj këtu se, po aq sa shpifësit e spiunët e djeshëm, do të përgjigjen ata që kanë dijeni për këto dosje, por në vend që t’i zbulojnë ato, i fshehin thellë e më thellë.

– Humbja ose, më saktë, zhdukja e dosjes së hetimit e të dënimit të Dhimitër Paskos, është më shumë se një skandal. Është një shkrimtar shumë i njohur, i dënuar me burg politik, qysh në fillimet e rendit komunist. Është jashtë çdo dyshimi se ka patur dhe ende ka njerëz të interesuar që dosja të zhdukej. Në radhë të parë, janë denoncuesit, e sidomos ata që urdhëronin ose që e dinin nga vinin urdhrat.

-Zhdukja e gjurmëve të krimit është një nga problemet kryesore të një diktature të rrëzuar, si në rastin shqiptar. Krahas mënyrës klasike, zhbërjes së dokumenteve, është fabrikimi i sajesave çoroditëse, që japin dorë për krijim fantazish dhe trimërish. Te rasti i Paskos kanë vepruar të dyja, çka tregon se një pjesë e njerëzve të përzier në krim, janë ende midis nesh.

Trashëgimtarët e Kutelit

Letra për Kadarenë, pse u kthye mbrapsht dorëshkrimi në `89-ën

Ka një mendim unik mes tre fëmijëve të Kutelit në raport me dorëshkrimin frëngjisht të shkruar nga Kadare. Ata tregojnë se nga njëra Kadare e ngjiste Kutelin në “disa shkallare më lart në hierarkinë letrare dhe nga ana tjetër e gruponte me ata shkrimtarë që pëlqehen nga regjimet reaksionare dhe tiranike?!” Këtë e kanë konsideruar kthim mbrapa në çështjen e rehabilitimit të Kutelit dhe një prezantim aspak të saktë për botën e jashtme, së cilës i drejtohej, “mbasi regjimi tiranik për të cilën flitej aty, veç të tjerave, i kishte ndaluar Dhimitër Paskos librin “Tri probleme me Bankën Kombëtare”. I biri i Kutelit, në dëshminë e tij, të përfshirë në hyrjen e “Netë moldave”, thotë se pavarësisht nga kjo konsideratë, Kadare shkruan të pavërteta dhe pasaktësi për jetën e shkrimtarit. Kështu të tre fëmijët e Kutelit menduan t’i shkruanin Kadaresë për ta njoftuar mbi pasaktësitë duke menduar se mund të sillnin “rreziqe”. “Ishte pranvera e vitit 1989 dhe askujt nuk ia merrte mendja ç’do të ndodhte në Evropën Lindore në gusht e më tej nëntor të atij vit”, – shkruan Pandeliu. Ai tregon se kur u këshillua me miq të Kadaresë, (pa përmendur emra) dhe adhurues të Kutelit e kishin paralajmëruar të bënte kujdes! Pinjolli i Paskëve thotë se vendosën ta shkruanin letrën, prej dy faqe të daktilografuar dhe ia dërguan në shtëpi Kadaresë, së bashku me dy shkrime autobiografike të Kutelit. Letra tregon se iu dorëzua Helenës, meqë Kadare nuk ndodhej në shtëpi. Çfarë përmbante letra? Pandeliu tregon: “Në letër kisha renditur disa fakte për mobilizimin e Kutelit në një nga dy armatat rumune (jo tek Rojet e hekurta) dhe njoftimin për një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës (rrjedhojë e qëndrimit antinazist të Kutelit në Rumani). Vëreja se ai ndodhej në Shqipëri qysh në shtator 1942, datë e mbështetur nga materialet autobiografike që shoqëronin letrën. Saktësoja pozicionet administrative që kishte mbajtur Kuteli nga vjeshta 1942 deri në shtator 1943 dhe historinë e konfliktit me gjermanët për të shpëtuar arin shqiptar (kuptohet s’bëhej fjalë për dorëzim çelësash partizanëve). M’u duk me vend ta njoftoja shkrimtarin se Babai kishte dhëne dorëheqjen nga Banka pasi nuk pranoi kursin antishqiptar mes dinarit jugosllav dhe lekut shqiptar dhe se nuk u arrestua “të nesërmen e kthimit nga Jugosllavia”, po të paktën 9-10 muaj më pas, kur ish shkëputur nga Banka dhe merrej me letërsi. Përsëris edhe një herë se ishte prilli i vitit 1989 dhe trajtimi i çështjeve të tilla ishte mjaft delikat. Kuteli mbetej ende i ngarkuar me njollën “armiku i popullit” dhe kushdo që do të zhbironte nëpër dokumente e gjykatës, do ta gjente të cilësuar si të tillë”, – shkruan Pandeli Pasko.

Kuteli dhe botimi “Netë moldave”!

Parathënia është: “Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli”. Këtu sqarohen nga trashëgimtarët disa anë të errëta që lidhen mes Kutelit dhe Kadaresë, po sidomos në hapjen dhe njohjen e shkrimtarit. Botimi “Netë moldave” ishte përfshirë brenda librit “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur”, për të cilin Kuteli i pati drejtuar më 19 nëntor 1945 një letër Ministrisë së Kulturës, ku kërkonte një “autorizim” për ta shtypur. Në fakt, tregimi “Netë moldave”, siç bëhet me dije në parathënie, është botuar së pari në mars 1944, në revistën “Kritika” të Arshi Pipës. Një “ngjarje pa ngjarje” në dimrin e vitit 1941, kur Kuteli ndodhej në Ukrainë që sipas trashëgimtarëve ishte i mobilizuar në trupat rumune që u dërguan në frontin rus. Në parathënie të “Netë moldave”, sqarohet se ishte mobilizimi i detyruar, pasi Kuteli jetonte e punonte në Rumani si shtetas rumun. Shënime dhe kujtime nga muajt e këtij mobilizimi, familjarët shënojnë se kishte botuar që më 1943 si tituj më vete ose teksa shkruante për Kosovën, për Taras Shevçenkon, apo kur i paraqiste lexuesit këngë popullore. “Kutelit as nuk i shkonte në mend ta fshihte këtë episode të jetës së tij, aq më pak të kishte frikë se kjo një ditë mund t’i kthehej në akuzë politike: historitë e luftës ishin ende të gjalla dhe njihej mirë dënimi i njerëzve “të padëshiruar” me dërgim në frontin e luftës. Për çdo qytetar kjo ishte fatkeqësi, ndërsa në raste si rasti i Kutelit, ishte ndëshkim: ai, dr. Pasko, drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht, u kishte bërë rezistencë projekteve në favor të kapitalit gjerman e në dëm të pasurisë vendase në Rumani: për këtë miqtë i kishin thënë të bënte kujdes, mbasi i kishin hapur një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës” (Kuteli, letra drejtuar bashkëshortes (Testamenti), Hylli i Dritës, nr. 3-4, 1994, f. 74).

Trashëgimtarët e Kutelit ndalojnë në këtë çështje duke e paraqitur ndoshta si argumentin kryesor për përndjekjen e shkrimtarit në diktaturë, ku shënojnë se “dy vite pas luftës, “mobilizimin e detyruar” filluan t’ia përflisnin (jo ballazi) si “angazhim në luftë”, në krahun e forcave gjermane që sulmuan Bashkimin Sovjetik”. Shtojnë se e bënë edhe pjesë të “Rojës së hekurt”, një fakt që e kundërshtojnë, se Kuteli s’kishte asnjë lidhje.

Madje, këmbëngulet me bindje përse i ka ardhur “dënimi” Kutelit, se “duke mos gjetur dot një element për të fajësuar në veprimtarinë praktike si ekonomist apo si publicist e shkrimtar, e sulmuan jo për një veprim të tij, po për një pësim!”

Në “Netët moldave”, trashëgimtarët hedhin mendimin, ndoshta për herë të parë, se kjo akuzë vinte nga rrethet letrare. Me këtë akuzë argumentojnë si nisi “heshtja” ndaj Kutelit, refuzimi. Rasti është kur iu kërkua Kutelit të hartonte një tekst të lëndës së folklorit për Institutin e Folklorit që pritej të ngrihej, ku i kishin ofruar të angazhohej si pedagog. Familjarët tregojnë se Kuteli e punoi dhe e dorëzoi tekstin, por kaluan muaj dhe përgjigje s’mori.

A ishte Kuteli në “armatën e hekurt”?!

Për këtë histori merret dëshmia e nipit të tij, Misto Marko, i cili ka thënë se Kuteli ka shkuar vetë në drejtorinë e Institutit dhe përgjigjen ia ka dhënë Dhimitër S. Shuteriqi: “Nuk të duan sepse ti ke qenë me Gardën e Hekurt në Rumani” (Ditari i ekonomistit Dr. Pas (Mitrush Kuteli), Tiranë 2015). Këtë përgjigje e ka treguar edhe Skënder Luarasi, shkruajnë familjarët, kur Kuteli në sallën e pedagogëve të Institutit u ka hedhur mbi tavolinë “një tufë gazeta dhe revista ku disa pedagogë të pranishëm shfaqeshin në foto të veshur me këmisha të zeza e me simbole të Musolinit tek merrnin pjesë në manifestimet fashiste”. Situata vjen e treguar nga Skënder Luarasi: “Ju nuk më doni se paskam qenë në Gardën e Hekurt në Rumani, por ju nuk kini asgjë si këto për mua! Ja ç’kini qenë ju këtu”, – u ka thënë atyre Kuteli. Më 16 maj 1947 e arrestuan. U dënua me pesë vite si “armik i popullit” për “agjitacion e propagandë”. U lirua me falje, në maj 1949. Familjarët shkruajnë në parathënie se ende nuk gjenden të dokumentuara as akuza dhe as akuzuesi. Gjithë sa hodhëm më lart, tregon vetëm një argument mbi një version të mundshëm nga ana e trashëgimtarëve pse u dënua Kuteli. Ata thonë se pas kësaj situate, siç edhe dihet, Kuteli u “tkurr” brenda profesionit të përkthyesit, duke ngarkuar për këtë situatë sigurisht “kolegët” e letrave, që kanë pritur rastin për ta goditur. Familjarët shkruajnë se Shuteriqi, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ishte ndër të parët që i “quante budallallëqe” shkrimet kritike të Kutelit, duke i lëshuar edhe akuzën politike si “anëtar i rojës së hekurt të fashizmit rumun”.

Sigurisht që trashëgimtarët e shkrimtarit sërish këmbëngulin se s’ka pasur asnjë lidhje me këtë akuzë, po ashtu i referohen edhe vërejtjes së studiuesit Aurel Plasari se etiketimi i bërë nga Shuteriqi ka pasur qëllime “keqdashëse” dhe se ishte një “shpifje ahistorike”.

Trashëgimtarët shprehen se pas Shuteriqit, nga letrarët e lidhur me Partinë, zyrtarë të rëndësishëm e vazhduan “akuzën nda Kutelit” në vitet `50, por me zë të ulët edhe pas vitit 1967, kur shkrimtari nuk jetonte më. Ky është shkaku i vërtetë, sipas familjarëve, pse Kutelit iu ndalua botimi dhe njohja me veprën e tij, për pasojë dhe shkollimi normal i fëmijëve.

/Intervistoi: Violeta Murati

/Standard