• |
ide | kryesore

Studimi: Jeta fillon kur je 50 vjeç

Arkiva, Planet
jeta_1442523919-1434824.jpg



Cilat janë vitet më pak të lumtura në jetën e një njeriu? Kur fillon vërtet lumturia? Një studim i kryer nga Instituti Australian për Studimin e Familjes hedh poshtë thënien e vjetër se “jeta fillon 40 vjeç”. Në fakt, sipas studimit, jeta fillon 50 vjeç.
Sipas të dhënave të mbledhura nga studiuesit, deri në moshën 15-vjeçare, njerëzit janë të kënaqur. Por pas të 20-ave, niveli i kësaj kënaqësie bie dukshëm dhe vijon rënien graduale deri në moshën 35-vjeçare.
 
Pas kësaj moshe, të qenit i lumtur me jetën mbetet në nivele minimale deri sa arrin në të 50-at, kur fillon përmirësimi, i cili vijon deri në 80 vjeç.
 
Studimi është bazuar në vëzhgimin e mbi 27 mijë personave të moshës 15-90 vjeç, gjatë një harku kohor 12-vjeçar. Gjatë kësaj kohe, ata janë pyetur vazhdimisht nëse janë të kënaqur me jetën e tyre dhe u është kërkuar ta vlerësojnë jetën e tyre me një notë nga 0 në 10, lidhur me ngjarje si largimi nga shtëpia e prindërve, lindja e fëmijëve, divorci, pensioni apo vdekja e partnerit.
 
Sa i përket ndarjes femra-meshkuj, niveli i lumturisë në moshë të rritur favorizon burrat, por rolet ndërrohen në moshë të mesme, për t’u barazuar në periudhën e pensionit.
 
Eksperti që ka drejtuar studimin, David de Vaus, thotë se mosha më e vështirë është ajo nga 35 në 50 vjeç, kur pesha e faturave për t’u paguar është më e madhe, si dhe shtohet presioni i karrierës e ai i rritjes së fëmijëve.
 
“Është mosha në të cilën presionet e punës shkojnë drejt maksimales, kur ka ndryshime të forta në karrierë dhe ndarjet e divorcet janë më të mundshme”, thotë ai për moshën pas të 35-ave.
 
Rritja e nivelit të lumturisë lidhet me martesën, nisjen e bashkëjetesës me partnerin dhe për gratë muajt e shtatzënisë. Niveli i lumturisë bie menjëherë për femrat dhe meshkujt para vdekjes së partnerit, për shkak të sëmundjeve që i paraprijnë. Lumturia arrin nivelin minimal në vitin e parë pas largimit nga jeta të partnerit..