• |
ide | kryesore

Ndeshja/ Pse kaq frikë kundër Serbisë?

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Ndeshjes së 8 tetorit kundër Serbisë po i paraprin një klimë terrori. Nuk ka ditë që mediat dhe institucionet të mos prodhojnë ndonjë lajm për këtë ngjarje, njësoj sikur Shqipëria të ndodhej përpara një 11 shtatori. Një ditë thuhet se çdo akt dhune gjatë kësaj ndeshjeje do të konsiderohet një akt terrorist (një ide absurde), që do të gjykohet në gjykatën e krimeve të rënda. Një ditë tjetër se tifozat e Shkupit, “Shvercerat” nuk do të pajisen me bileta sepse nuk janë aq të edukuar sa duhet. Një ditë se u kapën në kufi dronët e serbëve që do të na provokonin atë mbrëmje. Një ditë del në treg një absurditet më i madh: që biletat do të shiten familjarisht (me gra dhe fëmijë) për të siguruar rendin. Dhe së fundi, “Tifozët Kuq e zi” kanë bërë thirrje se çdo teprim: si gjuajtje me mjete të forta e të tjera, do të konsiderohet as më pak dhe as më shumë një tradhëti kombëtare. (Jo më larg se dje një ndeshje e kampionatit francez, Marseille-  Lyon u ndërpre mbi 20 minuta për këto arsye dhe askush nuk i quajti tifozët as tradhëtarë, as jo francezë dhe as jo adhurues së skuadrës së tyre).

Natyrisht çdramatizimi i këtyre akteve nuk është një thirrje për nxitjen e tyre në emër “të urrejtjes që ne shqiptarët mbajmë të mbrujtur në gjoks kundër serbëve”. Ne të gjithë e dimë që atë ndeshje do të shikohemi me lupë. Që shumëkush nuk na e ka falur ende triumfin në KAS dhe tre pikët që morëm në tavolinë. Që mund të dënohemi edhe për pak gjë dhe mund të humbasim rrugën drejt Francës për ndonjë budallallëk. Për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm. E dimë se duhet pak sensibilizmim i publikut dhe shumë, shumë punë e organeve të sigurisë. Por deri këtu. Çdo teprim me këtë histori, krijon një klimë të kotë terrori që ka vetëm efekte negative.

Sepse së pari ky kujdes deri në çmenduri krijon imazhin e rremë të një Shqipërie të populluar nga huliganë dhe  shkatërrues ndeshjesh që nuk është aspak i vërtetë. Tifozeria shqiptare (nëse ky term mund të përdoret në përgjithësi) ka gabuar vetëm njëherë në ndeshjen e fundit të Kukësit në Europa Ligë. Dhe mjaftuan pak masa dhe organizim në ndeshjen e radhës së Skënderbeut që gjithçka të shkonte vaj.

Së dyti, kjo klimë tensioni mund të bëjë efekt negativ për njerëzit që do të popullojnë shkallët e “Elbasan Arena” atë ditë, duke stepur këdo që mund të qe lojtari i 12 i kombëtares atë ditë që ajo ka shumë nevojë.

Dhe së treti, fryrja e rrezikut për atë që mund të ndodhë riskon të krijojë idenë e gabuar se një pjesë e shqiptarëve po bëhen gati të shkojnë në luftë me Serbinë dhe jo në një ndeshje futbolli. Effektet e këtij zmadhimi i provuam edhe para ndeshjes së Beogradit, një vit më parë. Po të mos ishin mbrujtur me këtë frymë, po të mos ishin trajtuar si patriotë dhe por si futbollistë, lojtarët tanë, mund të qenë treguar shumë më gjakftohtë dhe më profesionistë në stadiumin e Partizanit. Këtë herë ne ua kemi borxh atyre këtë qetësi.   

Ndaj edhe për këtë, tullumbacja e super masave dhe super dënimeve, me etiketime për tradhëti kombëtare duhet shfryrë. Duke vlerësuar këtë situatë të veçantë, organet e sigurisë duhet të bëjnë punën e tyre deri në detaje, por tifozët nuk duhen terrorizuar me këtë psikologji frike. Ata dhe lojtarët duhen lënë të lirë në arenë. Në fund të fundit nuk është luftë, është thjeshtë një ndeshje futbolli. /lapsi.al/