• |
ide | kryesore

Një pakt Rama Basha kundër Metës?

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Ilir Meta ka hedhur këtë fundjavë në publik, një teori konspirative që qarkullon prej kohësh në korridoret e LSI-së: ekzistencën e një plani Rama- Basha, për të goditur kryetarin e Kuvendit dhe mundësisht edhe ish kryeministrin Berisha. Nga panairi i produkteve bio në Skrapar, Meta ngriti pikëpyetjen se si është e mundur që opozita sulmon atë vetë më shumë se Ramën? Se si është e mundur që Basha kërkon dorëheqjen e tij dhe jo të kryeministrit? Se si ka mundësi që shefi i minorancës nënvizon mëkatet e kryeparlamentarit në qeverisje? Dhe së fundi, ironizoi ai, nuk do të jetë e largët dita kur do të dëgjoni se qeveria Meta- Meta po shtyp opozitën e pafajshme Rama- Basha.

Edhe një ditë më parë duke folur nga tribuna e LSI-së një zyrtar i lartë i kësaj partie kishte vënë karah përkrah togfjalëshat “djaloshi 200 milionësh” (etiketimi i Ramës sipas raportit të OSBE-së) dhe “shtetasi nga Hollanda” (vendi ku ka studiuar Basha). Dhe pas kësaj, në të njëjtin tekst, ai kishte shtuar se Lulzim Basha po mban hapur çështjen e korrupsionit në CEZ për të goditur ish kryeministrin Berisha.

Pra tashmë është e qartë, Ilir Meta po kërkon të hedhë në publik idenë se ai po bëhet viktimë e një pakti mes kryeministrit dhe kryeopozitarit. Se që nga çështja Doshi e deri tek aferat e CEZ-it, po synohet të goditet kreu i LSI, ose thënë ndryshe “the king maker” nga i cili varet qëndrimi në pushtet i njërës forcë apo i tjetrës.

Po a është e vërtetë një pandehmë e tillë? A është i besueshëm skenari sipas të cilit Rama është bërë me Bashën për të goditur dyshen e vjetër qeverisëse Berisha -Meta?

Natyrisht që jo. Së pari se as në ëndrrat e veta më të guximshme Lulzim Basha nuk do ta mendonte një aleancë me Ramën pa lejen e doktorit. Aq më shumë nëse kjo aleancë do të shkonte edhe në dëm të këtij të fundit. Çdo Shqiptar me inteligjencë mesatare nuk e ka të vështirë ta kuptojë këtë gjë.

Nga ana tjetër, megjithëse Rama e ka treguar historikisht se e ndjek Metën me thikë pas shpine, të cilën ia ngul sapo mbaron punë, ai nuk duket i interesuar ta përsërisë të njëjtën fabul në këto momente. Ai ka deleguar tek Meta një pjesë të majme të pushtetit ekonomik dhe duket i paepur për të duruar çdo njollosje, vetëm në emër të ruajtjes së pushtetit politik. 

 

Po atëherë, kur logjika nuk ta pranon, kur faktet nuk e mbështesin, pse hodhi Ilir Meta një teori të tillë konspirative në publik?

Idhtarët e Edi Ramës, ata që e kanë lexuar librin e tij, e kanë një shpjegim. Sipas autorit të “Kurbanit”, Ilir Meta është një partner paranojak që përtej pamjes së burrit të fortë fsheh “një fëmijë të pasigurtë”. Sipas Ramës teoritë e konspiracionit janë ato që e intrigojnë më shumë Ilirin “që ka prirjen për të besuar gënjeshtrën më të madhe, përpara të vërtetës më të thjeshtë” (faqe 70-71).

Por megjithëse Edi Rama është një bashkëudhëtar 15 vjeçar politik i Ilir Metës dhe njohës i madh i tij, shpjegimi i gjithë kësaj me një sindromë paranoje është pak i besueshëm. Sepse në këtë rast më shumë sesa i tillë, Ilir Meta është një përllogaritës i ftohtë. Natyrisht që ai nuk i beson teorive konspirative sipas të cilave Basha dhe Rama po komplotojnë së bashku kundër tij. Privatisht ai qesh me to dhe e çon groteskun në skaj kur u shton madje edhe ndonjë emër gazetari apo pronari mediesh që është vënë në funksion të zbatimit të këtij plani. Por atij i nevojitet kjo fabul. Ai e ka të domosdoshme atë.  

Ja sepse.

Akuza pak e besueshme se ai kishte urdhëruar njerëz të vrisnin Tom Doshin, kapjet e herëpashershme të njerëzve të tij me presh në duar, menaxhimi skandaloz që i bëri zgjedhjeve në Vorë dhe tani së fundi afera e CEZ, kanë krijuar një perceptim publik se pas çdo gjëje të keqe që ndodh në këtë vend, gjendet LSI-a dhe Meta. Megjithëse ata i kanë mbyllur gojën me mënyrat e tyre pjesës dërrmuese të opinionistëve dhe mediave të vendit, mjafton të shohësh se si gëlojnë rrjetet sociale sa herë që hidhet ndonjë akuzë  për Metën dhe LSI-në, për të kuptuar  përmasat e këtij fenomeni. Pikërisht këtij perceptimi do t'i kundërvihet Ilir Meta. Dhe ai po ndjek strategjinë që më mirë sesa t'u përgjigjet akuzave një nga një, ta luftojë këtë perceptim duke thënë se ai është pasojë e një makinerie përbaltjeje të ngritur nga dyshja Rama- Basha. Pra sipas kësaj strategjie, demonizimi i Metës në sytë e njerëzve është thjesht një lojë politike.

Pikërisht për këtë arsye ai hodhi nga Panairi i Produkteve BIO të Skraparit, idenë e një koalicioni Rama- Basha kundër tij. Synimi i kësaj akuze aspak BIO ishte të marrë rolin e viktimës dhe të përpiqet të fitojë sado pak simpatinë e publikut. Me fjalë të tjera Ilir Meta po kërkon të përsërisë fabulën e vitit 2008, kur dy të mëdhejtë e kohës ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe ligjin elektoral vetëm për të zhdukur atë nga skena politike. Dhe atëherë, si një grevist dërrmuar urie, Meta mori një mbështetje shumë më të madhe publike dhe intelektuale, sesa të gjitha votat që ka trafikuar nëpër katundet e Shqipërisë .

Këtë gjë po synon të bëjë sërish. Ndaj të gjithë ata që janë trembur nga ideja e neveritshme e një koalicioni Rama- Basha duhet të qetësohen. Nuk ekziston ky rrezik. Eshtë e gjitha një strategji marketingu politik. (Lapsi.al)