• |
ide | kryesore

Rrëfimi i Michel Houellebecq për Shqipërinë, myslimanët dhe femrat

Arkiva, Planet
houellebecq.jpg



Emri i tij i vërtetë është Michel Thomas. Lindi në ishullin francez Réunion, pranë Madagaskarit dhe u rrit në Algjeri.

Është 57 vjeç. I divorcuar dy herë. Një djalë nga martesa e parë.

Kur ishte 6 vjeç, prindërit e tij bohemianë, nëna anesteziste dhe babai udhëzues malor, e humbën interesin për të dhe ia besuan gjyshes nga babai, që jetonte në Francën veriore, Henriete Houellebecq, prej së cilës mori dhe mbiemrin.

Studioi agronomi dhe përfundoi duke u bërë programues kompjuterësh.

Pas një periudhe papunësie dhe depresioni, shumicën e së cilës e kaloi në spitale psikiatrike, erdhi letërsia.

“Lexoja gjithçka – tregon ai. Nga katalogët e udhëtimeve, tek etiketat e kavanozave.

Në 1994, në moshën 36 vjeçare botoi librin e parë, “Zgjerimi i fushës së luftës.” Libri flet për jetën e mërzitshme dhe shkatërruese të programuesve.

Suksesi erdhi katër vjet më pas, me “Pjesëzat elementare.” Një libër që e bëri yll ndërkombëtar.

Bota letrare, nisi debatin, nëse atij i duhej hequr kapelja si një realist i shkëlqyer, në traditën e madhe të Balzakut, apo duhej hedhur në plehra, si një nihilist i papërgjegjshëm.

“Po, e pranoj, – thote ai, – jam i papërgjegjshëm. Përndryshe, si do të vazhdoja të shkruaja. Por nuk jam nihilist. As pesimist. Jam konservator. Nihilizmi është dorëzim, shkatërrim vullnetar. Ndërsa unë shkruaj, domethënë përpiqem të shpëtoj atë që shkon keq. Nuk mund të jem edhe shkrimtar, edhe nihilist…” Në 2010 vjen çmimi Goncourt me librin “Karta dhe territore”. Pas daljes së librit “Platforma” në 2001, Houellebecq u shpreh se islami është feja më budallaqe në botë.

Myslimanët e denoncuan. Ndaj tij nisi një proces gjyqësor. Ai e fitoi kauzën. Por iku nga Franca. Pastaj iu vu leximit të kuranit. “Kurani ka vend për interpretim, por nuk legjitimon ndonjë luftë të shenjtë agresive dhe xhihadistët janë myslimanë të këqinj” – u shpreh ai.

“Nënshtrimi” është romani i fundit i Houellebecq. Doli në 7 janar 2015. U shpërnda në gjithë libraritë franceze, mëngjesin e ditës kur terroristët islamikë, vranë 12 redaktorët e revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, në kopertinën e së cilës, atë javë ishte ai.

Atë ditë Houellebecq, ishte njeriu më i kërkuar për intervistë, i gjithë medies ndërkombëtare. Por ai anuloi çdo intervistë dhe gjithë turin promovues të librit “Nënshtrimi”. Që e rinisi në maj, në vetëm pak media ndërkombëtare, njëra prej të cilave Top Channel.

Nga Rudina Xhunga

Hera e parë që takoni një shqiptar në jetën tuaj?

Po, është një surprizë e madhe për mua, kam botuar shumë libra pa pasur rastin të takoj asnjë shqiptar të vetëm, po ndodh tani dhe është shumë befasuese… Pse tani? Pse jo më parë? S’e di…

A dini diçka për Shqipërinë?

Di shumë pak gjëra… është një vend i njohur për kulturën komuniste, shumë i izoluar nga bota… vitet ’70… nuk di, më duket si një emër i zhdukur, por s’kam dëgjuar të flitet për zhdukjen…

Për shembull, Ismail Kadarenë e keni takuar ndonjëherë, shkrimtarin tonë?

E di që është i njohur, por unë vetë s’e kam takuar.

A e dini që në Shqipëri janë botuar pothuajse të gjithë librat tuaj?

Po, është mbresëlënëse, befasuese.

Si ju duket kur unë flas shqip tani? Si ju tingëllon kjo gjuhë?

Do më duheshin më shumë shembuj, thjesht nuk më kujton asgjë të qartë…

Juve s’ju pëlqejnë intervistat apo gazetarët? Si i keni marrëdhëniet me medien?

Në përgjithësi shumë të këqija do të thosha, por ju më kapët me hënë të mirë…

Në fakt, unë u çudita shumë që pranuat intervistën me mua…

Pasi shkruan një libër, vazhdon të flasësh ca kohë për të, por në një farë mënyre, po bëj diçka që është në limitet e mia, kjo mund të jetë dhe intervista ime e fundit. Ndodh që ndonjëherë s’ke dëshirë të flasësh, ke përshtypjen që po përsërit veten pra, s’ndihesh fort rehat, duhet hequr dorë në atë çast. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara nuk ka intervistë prej meje sepse i botojnë shumë vonë librat e mi. Por kam dhënë shumë intervista në vendet që kanë botuar librat e mi, si në Japoni pra, kam dhënë intervista në shumë vende, në vende që i njoh, në vende që s’i njoh. Shqipëria është një vend që unë s’e njoh madje s’e kam idenë nëse jeni ende komunistë. Ëëë, komunistë jeni? Jo, s’jeni më një vend komunist? Drejtojnë të majtët, por s’është një vend komunist.

Pse ju keni simpati për komunizmin?

Jo, jo kushedi çfarë simpatie, por s’kam simpati as për alternativën demokratike.

A është islami një lloj komunizmi i ri?

S’është aspak i njëjti parim. Po, islami është së pari një fe, s’merret vetëm me organizimin e shoqërisë, por dhe me doket e saj, besimin pra, është një fe, është më i krahasueshëm me katolicizmin sesa me komunizmin. Komunizmin e njoh, di se si u zbatua në Rumani, një vend që e rrëzoi komunizmin pas të tjerëve. Po ju, pas Rumanisë e rrëzuat? Ah po, jeni vendi i fundit?

Ju duhet të vini patjetër në Shqipëri kur të promovohet libri juaj. Është një vend që do t’ju surprizojë.

Kam përshtypjen që kam pranuar tashmë një ftesë për në Meksikë. Mbase më vonë, por do shohim….

Më ndodhi një gjë e çuditshme, nuk e di pse dua t’jua tregoj, por kur kërkova të më ndihmonte Ambasada franceze për të ardhur në Francë, ambasadori francez më tha që nuk ju pëlqente fare. A keni problem me njerëzit që nuk ju pëlqejnë fare?

Po, e di që qeveria nuk më ka me sy të mirë, as zyrtarët e vendit tim. S’e di pse, por në përgjithësi zyrtarët e vendit tim nuk më kanë pasur me sy të mirë, asnjëherë.

Po lexuesi që ju pëlqen juve çfarë prisni t’ju thotë, cila është shprehja që doni që lexuesi t’ju thotë?

Ëëëë… është paksa e vështirë. Në përgjithësi tek librat e mirë lexuesit mendojnë “ndihem më pak i vetmuar kur jam kështu siç jam, kur mendoj atë që mendoj” atëherë kemi përshtypjen që ia kemi arritur qëllimit. Le të themi na vjen mirë kur ata lexues që kanë një koncept të zymtë për jetën, rravgues, fillojnë të ndihen më mirë kur e gjejnë veten tek një autor.

Po me gratë, çfarë keni me gratë? Keni ndonjë problem me gratë?

Jo, por mua, kur vjen puna tek shkrimi, s’ka asnjë dallim burra apo grua.

Ju keni një problem me gratë mbi të dyzetat, duket sikur në librat tuaj ato të gjitha vdesin.

Ky s’është problem i romanit tim, është problem i botës. Lexuesit e mi vlerësojnë që unë i them gjërat hapur, në përgjithësi.

Unë jam një grua mbi të dyzetat, dua të kem familjen time, dua të intervistoj njerëzit që dua, duhet të jetoj, kush është problemi im, pse duhet të vdes unë?

Epo, nuk thotë njeri të vdisni, s’ka nevojë të shkoni kaq larg. Unë s’kam pasur ndonjëherë probleme me gratë në të vërtetë, por le të themi që në Francë, si në shumë vende të tjera, në Gjermani, në Perëndim në përgjithësi, ku çiftet janë në krizë, një propagandë ngushëlluese që ka si bosht feminizmin, rreket t’i mbushë mendjen grave pas të pesëdhjetave të bëjnë jetën e tyre etj. Duke ju thënë që le të prishet çifti, s’ka asgjë të keqe këtu, mund të krijojmë sërish jetën në çift nga e para, vazhdojmë të jemi shumë të bukura edhe në moshën pesëdhjetë vjeç, e kësi dokrrash. Librat e mi nxjerrin qartë që kjo propagandë është mashtrim, e gabuar, jeta s’fillon nga e para. Është paksa frustuese, por në fakt gratë, lexueset femra, s’e kanë kritikuar ndonjëherë këtë vizion timin për botën.

Ju keni problem me gratë?

Jo, aspak.

Pse gazetarët mendojnë që keni problem?

S’e di. Në fakt e di, por në fund të fundit them se mendimi im është keqinterpretuar megjithatë u bë disa libra që s’merrem më me gratë. Tani merrem me islamin. Në fakt, problemi me gratë është i rremë, s’kam marrë ndonjëherë kritika nga gratë në të vërtetë. Në të dyja rastet është e njëjta përqasje. Ka ekzistuar një stereotip të menduari, në rastin e grave thuhej që s’është ndonjë hata e madhe nëse një çift divorcohet, madje është shumë qejf, njerëzit e nisin jetën nga e para, kurse në librat e mi, njerëzit divorcohen dhe nuk e nisin jetën nga e para, madje përfundojnë fillikat, kjo shihet si shumë frustuese. Me islamin, mediet e shesin islamin si diçka të këndshme, mund të merresh vesh me myslimanët ndërsa unë them jo pra, mbaj një qëndrim realist, brutal që bie ndesh me një vizion, një vizion pozitiv të gjërave. S’e di, thjesht një vizion pozitiv i gjërave s’mund të korrespondojë me realitetin e tyre, e pranoj këtë.

Unë vij nga një vend ku bashkëjeton islami me katolicizmin me ortodoksët, madje kur ndodhi ngjarja e Charlie Hebdo në Francë, të katër ata ishin këtu. Ju duket kjo normale?

Meqë e thoni ju duhet të jetë e vërtetë, por ju i përkisni një zone gjeografike ku njerëzit janë përleshur për vdekje në emër të katolicizmit, islamit, ortodoksisë. I bie që Shqipëria të jetë një përjashtim i çuditshëm që s’e shpjegoj dot, por Ballkani s’ka qenë ndonjëherë shembull i një bashkëjetese paqësore mes tri feve, ka shembuj luftash të egra, totale. Pra, kur thoni që ju s’keni pasur luftë fetare më duket e çuditshme, është thjesht e çuditshme. Normalisht në këto kushte Shqipëria duhet të ishte një vend i lulëzuar.

Në letërsinë tuaj jeni dukur gjithnjë një njeri ateist, në fakt ju nuk jeni ateist, jeni një njeri që besoni pasi lexuat Kuranin?!

S’e di, Kuranin e kam lexuar për t’u dokumentuar, por po ta dija se çfarë jam, do ta thosha, s’e di saktësisht.

Ju i frikësoheni islamofilisë, e keni frikë faktin e pushtimit nga islami?

Ëëë. Jo, libri im mbase s’është për t’u marrë shumë seriozisht, më shqetësuesja është mbase shpërthimi i një lufte civile.

Çfarë lufte civile, midis kujt?

Midis myslimanëve dhe anti-myslimanëve në fakt. Ka gjasa të ndodhë në Evropë, jo vetëm në Francë, por në përgjithësi në Evropën Perëndimore.

Ku e ndjeni ju këtë, ku e shikoni, pse njerëzit e tjerë s’e shikojmë, gazetarët për shembull?

E shohin dhe ata, por s’duan ta pranojnë, përpiqen të mbyllin sytë të mos shohin. Unë për vete s’jam i detyruar të jem përgjegjës, as të ruaj paqen, s’ma kërkon njeri këtë, jam mjaftueshëm i lirë të zgjedh, por përfundimisht duhet ta pranoj dhe tregoj se bashkëjetesa mes myslimanëve dhe jo myslimanëve është gjithnjë e më vështirë në Francë.

Është për shkak të fesë, vërtet për shkak të fesë?

Po, po.

Pse çfarë ndodh me një njeri mysliman, çfarë revolte po mblidhet tek ai?

S’e di, s’kam ndonjë personazh mysliman në librat e mi, jo vërtet. Mendoj që ka një urrejtje për sistemin perëndimor, gjë të cilën e kuptoj dhe me të cilën jam dakord në një farë mënyre.

Ju e urreni sistemin dhe mund të shkruani, ndërsa ata vrasin. E kam fjalën për ISIS-in.

Në fakt është shumë e diskutueshme për myslimanët, vërtet që s’di si ta them, në fund të fundit, për ta çështja kyçe është sjellja seksuale e grave dhe është e vërtetë që perëndimi ka qejf t’i shthurë myslimanet, vajza myslimane mund të sillet në një mënyrë që gjykohet e padenjë nga prindërit e saj. Pra, myslimanët kanë arsye të mos i zënë besë Perëndimit, kanë arsye t’i bëjnë rezistencë. Në të njëjtën kohë, perëndimi përgjigjet, ç’ndreqin doni këtu përderisa s’ju pëlqen? E pra, e gjithë kjo, gjithë meseletë me shamitë, ndarja e vajzave dhe djemve në pishina, të gjitha këto kanë një strumbullar të vetëm, kontrollin e sjelljes së vajzave, ky është thelbi i vërtetë dhe s’është dhe aq qesharak.

S’është qesharake, është e frikshme. Nëse ju kërkohej të ndikonit dhe të zgjidhnit tre fjalë, çfarë do të thoshit?

Jo, unë s’jam këtu për të dhënë mend, mbase myslimanët kanë të drejtë, mbase poligamia, mbulesa e gjithë këto janë shumë mirë. S’e di fare, s’kam jetuar kurrë në një botë të tillë, por jam këtu, le të themi, për të konstatuar atë që ndodh, jo për të thënë cili sistem është më i miri, ky s’është aspak qëllimi im.

Por ky s’është sistem i mirë gjithsesi, sistemi i Holond, Merkel.

Le të themi që ka njerëz të pakënaqur prej tyre, po. Perëndimi ia ka bërë shumë qejfin vetes duke thënë që sistemi i tij është më i miri, që myslimanët do ta përqafojnë menjëherë, që do braktisnin fenë e tyre, por s’është aspak kjo që po ndodh. Të rinjtë me origjinë nga vende myslimane riislamizohen, madje sistemi islam po josh dhe francezët. Pra, kemi një përplasje midis dy sisteme vlerash. Unë thjesht konstatoj.

Çfarë është vlerë në fakt tani?

Është një tërësi gjërash ku njerëzit besojnë fort në parimin e lirisë individuale gjithnjë duke u kufizuar nga ana tjetër për arsye shëndeti, arsye sanitare. Besojmë tek konkurrenca e lirë, kemi huazuar sistemin e vlerave amerikane, e i kemi sjellë në Evropë; çdo njeri ka shansin e tij, çdo njeri ka shumë mundësi në jetë, jemi kundër përcaktimit të të mirave individuale nga shoqëria si për shembull kundër martesës me shkesi, kundër përcjelljes së profesionit, zanatit nga prindërit, jemi për konkurrencën e lirë, tregun e lirë. Këto janë vlerat tona në parim.

Në fund të librit tuaj, personazhi thotë s’kam ndonjë gjë për të qarë, për të humbur. A po ndodh kjo me këtë jetë, në fund të fund, ky sistem le të mbarojë se nuk kemi gjë për të humbur, mund ta themi ne këtë?

Po. Çuditërisht kur shkruaja ato rreshta të fundit, nuk mendoja vetëm për sistemin, mendoja për realitetin tim. Është një fjali me dy kuptime, e shkrova në mënyrë që të merrja si përgjigje, “po ke shumë për të humbur”, që të më hidheshin në fyt dhe të më thoshin “do bëhesh pishman për shumë gjëra”.

Kur mendoni për gjërat e bukura, ktheheni në kohë, në fëmijëri apo gjëra të bukura ju ndodhin tani për ditë?

Po, ka ende gjëra të bukura që ndodhin dhe sot, por s’kam përshtypjen që pesimizmi im është rritur me kalimin e viteve, mbase është rritur paksa, ndodh duke u plakur, por jo kushedi se çfarë.

Pra, mund t’ju përkufizojmë si pesimist?

Po, edhe mundet. Por më shumë më pëlqen ta përkufizoj veten si realist sesa si pesimist. Urrej të vë theksin tek entuziazmi i rremë që më duket bosh, por…

Domethënë August Komt s’bën më për këtë botë?

Le të themi që jo më. Historia nuk përsëritet dhe nëse i referohemi themelimit të një feje, ai ka dështuar, por s’mund të nxjerrim konkluzione shumë të qarta. Ai flet për misterin si komponent i nevojshëm për krijimin e fesë, August Komt mbase gabohej kur mendonte se arsyeja mjaftonte. Në fakt ai as që mendonte këtë, ai as që arriti t’ia kushtojë librat e fundit krijimit të një emocioni dhe e dimë që një fe s’mund të ekzistojë pa emocion, por ai thjesht s’arrin ta ngjallë këtë emocion.

Po ju çfarë emocioni provokoni?

Gjëra shumë klasike dhe të thjeshta për një romancier, një identifikim pak a shumë i fortë me personazhin, pikëllimin kur historitë shkojnë keq, kur mbarojnë. S’është e njëjta gjë si të shkruash një roman. Nuk them që është e lehtë, por mjafton që njerëzit të gjejnë veten tek personazhi. Unë ia dal që lexuesi të gjejë veten tek personazhi.

Romanet e ndryshojnë botën?

Jo.

Po shkrimtarët?

Mbase ndonjëherë, por janë më shumë eseistët. Njerëzit lexojnë një roman sepse duan një jetë suplementare, që s’është jeta e tyre, që mund t’u kujtojë jetën e tyre, por që s’është e tyrja, s’kanë qëllim të luftojnë, s’kanë qëllim të ndryshojnë botën, leximi mbetet një kënaqësi private.

Pse ka kaq shumë seks në librat tuaj? Çfarë është seksi për ju?

S’ka aq shumë sa thoni ju, në fakt. Ka pak pasazhe të tilla, por ato citohen shpesh ose sepse janë shumë të arritura ose sepse janë të dështuara, këtë s’di ta them.

Para se të vija këtu, takova një piktor shqiptar. Ai është rreth tetëdhjetë vjeç, të cilin kur e pyeta se çfarë është seksi për të, ai më tha është uji, është buka, është jeta.

Jo, s’është e vërtetë, s’është aspak e vërtetë. Kam parë murgj që jetojnë pa seks, vjen një çast as që mendojnë më për të, s’është dhe aq themelor. Mund të jetohet fare mirë dhe pa seks dhe madje të lumtur, ka plot murgj që na e dëshmojnë këtë ditë pas dite dhe është e vërtetë, mund të jemi të lumtur.

Pse bota është aq e fiksuar pas seksit, bota e reklamave, revistave, turizmi seksual që e bombardojnë botën me seks.

Mbase sepse në një farë mënyre seksi nuk gënjen, seksualiteti është vërtet i këndshëm. Por publiciteti s’ka punë tjetër veçse të shesë produkte që s’e ndryshojnë aspak jetën tonë në fakt, që janë zhgënjyese. Publiciteti ndjen nevojën të shtojë nga pak seks e para sepse është një histori e vjetër dhe aspak zhgënjyese, në fakt është një farë homazhi që i bëhet një gjëje jo aq të dobishme.

Është dhe një mënyrë për të zëvendësuar dashurinë?

S’e di, s’dua të bie në kundërshtim me veten. Thashë që ka murgj që kalojnë shumë mirë pa seks, por mendoj gjithashtu që seksi s’është kurrë zhgënjyes. Por s’është i rëndësishëm sa ushqimi, ajri që marrim frymë. Bën pjesë tek gjërat natyrore, por jo të domosdoshme. Mbase s’duhej të isha marrë kaq shumë me seksin, mbase duhej të mjaftohesha duke thënë që njerëzit janë të kënaqur, kanë jetë të mirë seksuale, të mos hyja në hollësi.

Po dashuria, mos nuk ka shumë vend për dashuri?

Jo, në librat e mi seksi dhe dashuria lidhen shpesh bashkë, s’është aspak e vërtetë që përshkruaj seks pa dashuri, e kam bërë shumë rrallë këtë gjë.

Pse e ndryshuat titullin e librit nga Bisedë në Nënshtrim? Çfarë do të thotë kjo?

Sepse nuk përkonte me realitetin e asaj që po shkruaja. Kemi një personazh që i nënshtrohet asaj që i propozojnë të bëjë, ai përpiqet të konvertohet në islam dhe të rifillojë jetën e tij, është profesor në universitet dhe e bën këtë thjesht duke u nënshtruar. Ai ndërron fenë pas bisedës dhe del në përfundimin që sidoqoftë Zoti ekziston. Beson në një Zot që i shkakton frikë pra, mund të themi që ai nënshtrohet.

Çfarë ju frikëson juve?

Në fakt, në libër s’është aspak frika ime. Personazhi im është paksa fillestar, ai mendon që mbase Zoti ekziston, Zoti do më hedhë ndonjë fatkeqësi druhet ai, do të më shkaktojë ndonjë kancer nofulle a diçka të tillë, ai mendon që ka një Zot që mbikëqyr dhe kjo është pak a shumë arsyeja pse ai ndërron fe. Ai mendon që në këtë rast, më mirë të jem me Zotin se kundër tij.

Ju i jeni nënshtruar këtij fati?

Jo, unë nuk besoj tek Zoti për këtë arsye.

Charlie Hebdo çfarë shkaktoi tek ju? Zemërim apo frikë? A kishit folur me mikun tuaj që vdiq tek Charlie Hebdo?

Jo sepse ai vdiq, sepse rastisi atje. Charlie Hebdo ishte një sulm kundër personave që bënë karikaturat e Muhamedit, por ai s’e kishte zënë kurrë në gojë Muhamedin, por qëlloi që punoi tek ajo redaksi, rastisi aty, u vra. Ai s’kishte bërë kurrë asgjë kundër islamit në jetën e tij, s’i interesonte fare ajo temë, ai vdiq rastësisht në fakt.

Domethënë ata të vrasin kot?

Në rastin konkret po, ai s’kishte bërë asgjë për ta ndëshkuar. Por ata nuk është se përzgjodhën, ata vranë të gjithë gazetarët që gjetën aty.

Dhe me sa duket kjo s’është e fundit. A e ka kuptuar bota që kjo s’është e fundit? A ka kuptuar bota perëndimore që kjo s’është e fundit, që ka nisur lufta?

Po, e ka kuptuar, posi.

Charlie Hebdo ka qenë një nga momentet më të rëndësishme të kësaj lufte? Çfarë vërtet kuptoi bota atë ditë? Se asgjë s’ka ndryshuar tani.

Është e vërtetë, thelbi është i pashpjegueshëm. Asgjë s’ka ndryshuar, por në fakt shumë gjëra kanë ndryshuar. Njerëzit kanë filluar të mendojnë kjo punë s’ndreqet më, që lufta do të shkojë deri në fund, në fakt edhe ata që mendonin që gjërat do të rregulloheshin tani e dinë që këtë punë e ka marrë lumi. Gjërat do bëhen gjithnjë e më keq dhe do të plasë lufta, një luftë civile. Këtë askush s’do ta pranojë, por të gjithë e dinë, kjo s’ka kthim pas.

Charlie Hebdo ishte dita juaj në fakt, dita që do të nxirrnit këtë libër, ju përforcua juve kjo bindje atë ditë? Ishte një shenjë?

Jo, sepse s’e mbaj veten si dikush që orientohet drejt irracionales, përndryshe do të thosha që ky ishte fati tim, mbase e kam një fat që përkon datat, ngjarjet për mua, që jam një vegël e Zotit për të zbuluar një gjë të tillë. Mbase, ku i dihet.

Domethënë ju jeni një parashikues, jo parandalues.

Jo, s’është aspak kjo, është një koincidencë. Zoti e bën koincidencën nëpërmjet meje, Zoti bën gallatë me mua, tha të vëmë daljen e Charlie Hebdo dhe librin e Houellebecq në të njëjtën ditë, thjesht Zoti bëri gallatë.

Komunikoni ju me Zotin, ju bëni gallatë me Zotin?

Unë jo, por ai komunikon me mua, më dërgon shenja.

Ju ka dërguar një shenjë së fundmi?

Jo, jo kohët e fundit. Por mbase s’është ai Zoti siç e përfytyrojmë ne. Mbase Zoti është ajo që grekët e quanin Fati, një fuqi organizative, jo personale që krijon takime, koincidenca, e gjithë këto.

Në fakt cilat janë shenjat që po i flasin botës tani, që po i ulërijnë, shenja që Obama, Merkeli, Holondi nuk i kuptojnë, as Papa madje.

As unë s’e di. Jo të gjithë janë aq të zgjuar sa të shkruajnë libra, duhen nuhatur gjërat në kohën e duhur, por veçanërisht kjo kërkon të jesh në gjendje të dekriptosh shenjat. S’e di, më ra mua për hise ta bëja këtë do të thosha, thjesht më ra për hise.

A ka shumë njerëz që po flasin apo janë pak ata që i flasin kësaj epoke si ju? A pëlqeni njerëz të tjerë, a lexoni njerëz të tjerë?

Jo, me aq sa di unë jo, s’do të thotë që jam më i mirë se të tjerët, do të thotë që në fakt mendoj se jam i zgjedhur nga Fati për këtë. Kam dalë në këtë konkluzion, s’mund të shpjegohet ndryshe. Është e shkruar, është një lloj Fati që më shoqëron, që lëshon rrufe mbi mua.

Cila ishte rrufeja e fundit që kur nisët dhe mbaruat këtë libër, si e ndryshoi ajo planin e këtij libri?

Është dështimi i pajtimit, i bashkimit, një rrufe negative në fakt, është dështimi mizor i pajtimit.

Si është bota që shikoni ju, çfarë do të ndodhë? Si në filmat e Hollivudit për Apokalipsin apo shumë më keq?

S’do të jetë si në filmat e Hollivudit, s’e di, s’e di, jo. Do të ketë një riekuilibrim në kuptim shpirtëror dhe mbase bëma e islamit,mbase më pak e bujshme.

Kush janë ata që bëjnë këto bëma, ISIS?

Njerëz që besojnë tek islami, me siguri.

Janë integristë apo besimtarë në përgjithësi?

Ka dhe besimtarë në përgjithësi, ka një ekuilibër forcash.

Do ta bëjnë këtë me dhunë, duke vrarë apo me nënshtrim?

Përzierje e të dyjave, por s’di asgjë në thelb, s’di gjë.

Ju e keni frikën apo e pëlqeni thellë-thellë?

Thellë meje, as që më plas fare.

Ju jetoni këtu, i përkisni kësaj bote?

Pak a shumë.

Domethënë sistemit i ka ardhur fundit dhe në një farë mënyre duhet të ndryshojë?

S’di asgjë se si do të shkojnë gjërat, por nuk shkruajmë një libër sepse e dimë se çfarë do të ndodhë, shkruajmë sepse dimë se çfarë dëshirojnë njerëzit dhe çfarë i frikësohen. S’është parashikim se çfarë do të ndodhë, ka të bëjë me eksplorimin e asaj që mendojnë njerëzit. Njerëzit kanë frikë nga islami dhe unë kam eksploruar këtë frikë nga islami, është më e thjeshtë se kaq. S’do të thotë se do të ndodhë ajo që i frikësohemi, por dimë se çfarë mendojnë njerëzit rreth nesh. Në fakt, ky është qëllimi i të shkruarit një libër, t’i shpjegosh njerëzve atë që kanë në kokë më mirë sesa ata e kuptojnë këtë vetë, kjo është arsyeja pse ata ju lexojnë në fakt.

A keni marrë kërcënime për këtë libër?

Jo, jo në të vërtetë.

Ju besoni që shkrimtarët kërcënohen, apo i shpikin për arsye publiciteti?

Po, vrasja e një shkrimtari ose e një karikakaturisti. Diçka është e sigurt, që islamistët kanë dëshirë të bëjnë publicitet dhe vrasja e një personazhi mediatik është gjithnjë diçka e mirë, kjo tërheq vëmendje, bën përshtypje, të vrasësh është një mënyrë për të bërë publicitet, një plan i mirë mediatik. Gazetat do të shkruajnë artikuj nëse vrasim.

Kjo është arsyeja pse i vrasin gazetarët?

Po, mbase jo gazetarët sepse s’janë shumë të njohur, por shkrimtarë të njohur po, karikaturistë të famshëm, në çdo rast është më mirë të vrasësh një person të njohur nëse qëllimi është të vritet vetëm një person. Por mund të vrasësh dhe shumë persona anonimë dhe ky është një plan mediatik gjithashtu. Mendoj që kur islamistët vrasin, ata gëzojnë një mbulim të shkëlqyer mediatik.

A ju bën përshtypje se si vrasin, veshja, kujdesi që kanë për gjithë skenën, është një film më vete?!

Po, po më duket interesant. Unë jam një publik normal, më impresionon kjo gjë.

Po ju, si ka mundësi që s’keni frikë apo ju kanë zgjedhur, nuk do ju prekin, ju jeni Kasandra në një farë mënyre.

Kam përshtypjen që është një nga ato pyetje pa përgjigje logjike. S’e di. Për shembull, dikur s’kisha frikë në provim, jo se isha i sigurt që do i merrja provimet, por thjesht s’ishte në natyrën time.

Ju nuk jeni depresiv?!

Jam në fakt, jeta nuk më mjafton plotësisht nëse nuk bëj diçka të ngjashme si shkrimi i një libri ose diçka tjetër. Jeta më duket e pamjaftueshme, jeta më rri ngushtë.

Cigarja?

Më ndihmon.

Pse?

S’e di. Është çështje kimie. Më jep një ndjesi të këndshme, më gjallëron mendjen për pak sekonda ose për ca minuta ndonjëherë, ka efekt të ngjashëm me kafenë, në fakt.

Mesa duket bota është kundër duhanit, alkoolit, seksit? Jo, akoma, s është vënë kundër seksit.

Kjo është e urryer, shumë e urryer, pfff. Një anë shumë e zymtë e socializmit, ky obsesioni për shëndetin, i pakëndshëm, e pranoj që s’e di si jemi katandisur kështu, por është e sigurt që është një botë prej së cilës ke dëshirë t’ia mbathësh.

Po ku të shkojmë!

Po, është një obsesion mbarë botëror ky. Asgjëkund, thjesht them që ndjej nostalgji për kohë më të mira që kam jetuar në rininë time. Pak nga të gjitha, patenta s’ishte me pikë asokohe, ishim më pak të kontrolluar, s’kishte shumë rregulla për alkoolin kur i jepje makinës, ishte një botë më e lirë, ku njerëzit merrnin frymë më lirisht, një botë më e lumtur. Sot, e urrej gjithë këtë.

Po natyra, a jetonit në harmoni me natyrën dikur?

Jo, asnjëherë në të vërtetë, jo me sa di unë.

Dikur në rininë tuaj?

As që më kujtohet.

Duhet ta mbyll?

Jo, sinqerisht nuk më kujtohet të kem jetuar në harmoni me natyrën në rininë time. S’po them ta mbyllim, jo. Thjesht nuk e di më pse nuk ka harmoni në botë, s’kërkoj kaq shumë. Megjithatë dua vetëm ca çaste fluturake, të këndshme. Kjo më mjafton.

Ç’do i thoshit lexuesit shqiptar, me cilin libër ta nisë, ku të ndalojë, cilin libër të mos lexojë?

E njëjta këshillë, të më lexojë sipas rendit kronologjik të botimeve, s’e them për vete, por për të gjithë autorët që kam njohur, është gjë e këndshme të shohësh evoluimin e tyre, është diçka e re, unë vetë lexoj sipas rendit kronologjik, por mendoj që as librat e mi s’duhet të bëjnë përjashtim nga ky rregull.

Pse thonë që “Thërrmijat” është libri juaj më i mirë? Ju e besoni këtë, realisht është më i miri?

S’e kam idenë. Jo, jo nga këndvështrimi i shkrimtarit s’është shumë e rëndësishme, pak a shumë autori i do librat e tij, sa më shumë e mundon një libër, aq më shumë e do. Kjo s’ka të bëjë aspak me suksesin final në fakt, s’bëhemi dot kritikë.

Po kritikët ndaj veprës tuaj ju kuptojnë juve, e kuptojnë veprën tuaj apo thjesht duan të dinë për nënën tuaj, për fëmijërinë tuaj?

Jo, s’ekziston një kritikë e përgjithshme, kritikët janë individë, s’jam në gjendje ta përmbledh kritikën ndaj meje. Kritikët janë aq të ndryshëm sa çdo lexues që zgjedhim rastësisht. S’e di, por s’mendoj se ekziston një qëndrim i përbashkët kritike. Në përgjithësi, kjo ndryshon me kohën.

Çfarë është letërsia për juve sot, ju vetë lexoni apo vetëm shkruani?

Lexoj, por letërsia s’ka ndryshuar shumë në shekuj, ka gjithnjë të njëjtat objektiva, i reziston kohës. Ka dhe njerëz që s’lexojnë, që u pëlqen kinemaja ose telefilmat, por njerëzit që lexojnë sot janë të njëjtët me ata që lexonin para dy shekujsh.

A s’ka ardhur fundi i letërsisë, i filmave, është koha e internetit?

Jo, interneti s’ka ndryshuar asgjë në fakt, interneti është interesant, mua më pëlqen shumë, por s’është e njëjta gjë, kontakti me njerëzit nëpërmjet internetit s’është i qëndrueshëm, hymë nga një sit në tjetrin, s’arrijmë të fiksojmë vëmendjen në asgjë, në fakt.

Interneti është fajtor për ndryshimin e botës apo i bëri mirë botës?

Ai lehtëson jetën praktike, bën të larmishme shprehjen e ideve pra, është diçka e mirë, mua më pëlqen, e shoh më shumë si progres.

Më pëlqeu libri juaj me Bernard-Henry Levi edhe pse e pranoj, kapërceja pjesën kur ai shkruante dhe ju lexoja juve.

Mendoj që tani jemi shumë të ndryshëm nga njëri tjetri dhe për të pasur sukses me një libër të tillë, duhet të jesh të ndryshëm, por jo shumë. Kur u shkrua libri, ishim të ndryshëm, por jo shumë, tani jemi shumë të ndryshëm. Që atëherë më kanë propozuar shumë bashkautorë të tjerë, por nëse do ishin njerëz me të cilët mendojmë njësoj, s’do të ishte aspak interesante. Duhet të kesh mendime të ndryshme për të diskutuar. Por asokohe ai ishte më i qetë, s’e kishte kapur ende delli i angazhimit luftarak si tani.

Kam një peshë shumë të madhe pas kësaj interviste, dua t’ju falënderoj.

Pse një peshë kaq të madhe?

Sepse ndjeva që më përcollët diçka.

Vërtet?

… sepse i tillë është Houellebecq. Pasi e dëgjon, ai të shënjon.

Me bindjen e tij, se bota po ecën keq, gjërat po venë në dreq.

Sepse po vjen përplasja e madhe…

Michel Houellebecq nuk është vetëm shkrimtari më i madh francez, emri më autoritar bashkëkohor, autori më kontrovers, më i lakuar dhe më i shitur i momentit. Ai është mbi të gjitha, Kasandra e kohës sonë.

Ai e sheh plagën e kësaj kohe, e vë gishtin mbi të, e shtyp fort, fort, fort dhe tregon atë që propaganda zyrtare, konsumizimi, publiciteti, televizioni e fshehin, tregon luftën në prag, mes atyre që kanë gjithçka dhe atyre që nuk kanë asgjë për të humbur sepse asgjë kanë…