• |
ide | kryesore

A do të ndodhë dhe në Kosovë skenari Ukrahinas?

Arkiva, Ide
2015-05-08-06-04-22-1398395375.jpeg



A jemi në krizë? Po. Kush është në krizë më të madhe: Pozita apo Opozita? Natyrisht, Opozita. Atëherë, ç’duhet bërë? Së pari, duhet të zhbëhet gabimi kolosal i procesit postzgjedhor nga viti i kaluar, duke krijuar marrëveshje brenda natës në kafene. Zotërinjtë që kanë marrë këso vendimesh të rënda është dashur ta kenë parasysh edhe daljen nga to. Ata nuk e kishin kuptuar se veprimet e tyre do të jenë me pasoja të pariparueshme duke lënë peng një qëndrim të pakuptimtë dhe pa adresë. Duke i lënë në ankth dy milion qytetarë. E dimë se politikanët me dinjitet të tepruar e kanë vështirë për ta kuptuar se me akte të tilla mund ta humbin edhe fytyrën. Në fund të fundit, ata bëjnë politikë për të fituar – e jo për të tentuar të bëjnë gjëra të pamundura. Prandaj, dinjiteti i tepruar nuk është privilegj. Është mashtrim prej dinjiteti. Burrështetasit kurajozë dhe të mençur duhet t’iu paraqesin palëve një kompromis të studiuar mirë, që do t’ia lejonte secilit të thirrej në fitore. Duke mos e gjetur këtë kurajë, ata gjetën tradhtarin, sic ndodh zakonisht në Ballkan. E gjetën Isa Mustafën, si njeri që tradhtoi marrëveshjen e VLAN-it, por nuk patën kurajën që t’i shihnin edhe gabimet e veta, duke mos gjetur kësisoj mundësi për kompromise tjera. A ka kjo Qeveri paaftësi dhe a bën gabime? Shumë. Ka ministra që as idenë s’e kanë se çfarë është kjo punë. Ministrat kanë poste të dhuruara nga liderët, jo të merituara. Shikojeni Zyrën e Kryeministrit dhe përbërjen e saj. As për Komunën e Shtimjes nuk është, e lëre më që ajo zyrë ta përfaqësojë ndonjë strukturë shtetërore vendimmarrëse. Por, kjo është edhe natyrë – është mentalitet. Shteti që punëson dhe merr këshilltarë që vendin e parë të punës e kanë “këshilltar” – i ka punët keq. Shumë keq. Më habit fakti se si kjo Opozitë nuk bën gjënë e duhur për ne, qytetarët, por krijon kauzë jo për vete, por për ta forcuar Pozitën. Krijon kauzë për Asociacionin dhe Demarkacionin. Dy gjëra që u krijojnë shumë armiq dhe nuk fitojnë asgjë. Përveç rrëmujës ku humbet gjithçka, përfshirë edhe gjasat për zgjedhjet që vijnë.   Atëherë, ku jemi?   Para dy viteve, Vitali Kliçko bashkë me ithtarët e tij bllokoi disa herë punën e Parlamentit në Ukrainë. Njëjtë pikë për pikë si këtyre ditëve në Prishtinë. Madje, 244 deputetët e shumicës bashkë me Qeverinë e prorusit Janukoviq ndërruan ndërtesën për të vazhduar punën. Dihet çfarë ndodhi mandej. Ukraina sot nuk është më ajo para “Revolucionit të Portokalltë”. Rusia ka marrë rajonet më të rëndësishme të saja dhe Vitali Kliçko është shpërndarë duke folur, sërish, nëpër shumë studio të mediave gjermane. Analog me ngjarjet në Ukrainë, dy javë pas zgjedhjeve nacionale, opozita bullgare me protesta bllokoi hyrjen në Parlament për 41 ditë, me kërkesën për shpartallimin e Qeverisë së porsazgjedhur socialiste, duke synuar të imponojë zgjedhje të reja. Në natën e 42-të ndërhyri policia dhe shpartalloi opozitarët. Gjatë përleshjeve u lënduan rëndë 20 policë dhe demonstrues. Ndërhyri BE-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare, duke kërkuar dialog. E njëjta Qeveri bullgare vazhdon punën edhe sot – në dialog me opozitën. Nga cilët këta shembuj të para dy viteve mund të mësojmë për ta përshkruar më së miri situatën në Kosovë? Dinamika, intensiteti, gjuha politike, aksionet dhe praktikat – siç është në natyrën e proceseve të këtilla – janë identike. As synimi nuk dallon – në shënjestër gjithmonë është pushteti! Në njëfarë mënyrë, zhvillimet në Ukrainë janë më të përshtatshme për të bërë krahasime me Kosovën ngase si atje rusët, edhe në Kosovë serbët, mezi presin që krizat e brendshme dhe “revolucionet” t’i shpërdorin për ta riaktualizuar çështjen e territoreve – më troç marrjen e tyre. Domosdo dhe fatmirësisht, Serbia për veriun as minimalisht nuk mund të bëjë si Rusia, mirëpo – me kartën e sigurisë – mund ta shkoqë për vete një autonomi maksimale, apo një zonë “neutrale dhe krejtësisht të pavarur”. Rreziku ekziston. Opozita nuk e përfill këtë duke menduar se KFOR-i është ai që ruan sigurinë dhe territorin e Kosovës. Por, nuk është kështu. Përkundrazi, opozita i jep një dimension krejt hiperbolizues Asociacionit të Komunave, duke e trajtuar si Supershtet. Ajo e do pushtetin dhe për këtë ka zgjedhur mjetet adekuate: bllokimin e Parlamentit (si në Ukrainë), demonstrata rrugëve nëpërmjet tubimit të nënshkrimeve, me protesta (si në Bullgari), dhe ashtu siç kanë paralajmëruar; finalizimi i gjithë këtyre do të kurorëzohet me “tërmete politike” (Kurti), çka përkthyeshëm do të thotë: trazira masive. Por, deri në çka? Shumica prej nesh jemi të bindur se masat nuk do t’iu përgjigjen thirrjeve të Opozitës. Megjithatë, gjithçka është e mundur dhe çdokujt i lejohet të profetizojë dhe parafytyrojë për vete skenarët se çka mund të ndodhë. Do ta pësojë Kosova si Ukraina, apo do të ndodhë si në Bullgari? Do të shndërrohet Kosova në një vend të përgjysmuar, në anarki, si zonë eksperimentesh parapolitike, apo do të ngjajë si në Bullgari, ku opozita dhe pozita u detyruan të dialogojnë?   Aktualisht, Opozita duket të jetë e gatshme të djegë shumëçka për të mos i pranuar marrëveshjet e nënshkruara me serbët rreth Asociacionit, si dhe me malazezët për demarkacionin. Thirrjen e Kryeqeveritarit për dialog treshja opozitare e kualifikoi si dobësi dhe komunikoi edhe më me këmbëngulje se do të vazhdojë barrikadimin. Parlamenti mbetet arena ku opozita e bashkuar do ta animojë popullin deri sa të jenë pjekur kushtet për trazirat në përgatitje e sipër. Në stilin e atyre arabe? S’ka gjasa. Në gjithë këtë situatë ndodh edhe një afekt që ka të bëjë me rikonfigurimin e forcave politike në vend: tkurret opozita, respektivisht ndodhë fuzionimi, përbashkimi, shkrirja e forcave opozitare në favor të alternativës njëdimensionale politike të VV-së. Çka ndodh vërtet me opozitën e përbërë nga tri parti të vogla, që të gjitha me një histori relacionesh jo aq të këndshme ndërmjet vete? Bashkimi në veprim i tyre nuk del si përbashkim i tri koncepteve politike, siç ilustroi më së miri “seanca e vezëve”, por më shumë del si absorbim i opozitës – AAK-së së dobësuar dhe Nismës së pashpresë – nga ana e VV-së. AAK dhe Nisma dorëzuan profilin e tyre politik dhe përbashkuan stilin në favor të praktikave dhe aksioneve të trazirave të VV-së, që partia e Albin Kurtit e ka patent të saj që nga fillimet e deri sot. Vetëvendosja ia imponoi suksesshëm agjendën, metodën dhe kulturën politike pjesës tjetër të opozitës. Me vetëdije dhe strategji të VV-së, apo për shkak të naivitetit të të tjerëve, mbetet çështje analizash për më vonë. Sot Kosova nuk disponon më me një opozitë plurale partish, por më tepër gjendet nën tensionin e një komandimi që bashkë me qeverinë rrezikon ta djeg edhe shtetin.   Në ashpërsimin e krizës patjetër se ndihmon edhe sjellja e Pozitës. Në vend të ndonjë komunikimi intensiv për të bërë sa më transparente luftën e saj në dialogun me Serbinë, ajo mezi gjen kohë për të komunikuar me opinionin e brendshëm, e sidomos me Kuvendin. Opozita manipulueshëm ka arritur t’i interpretojë marrëveshjet me Serbinë si dëshira personale të “duos tradhtare” Mustafa–Thaçi, edhe pse realiteti është totalisht i kundërt: konsensusi në fund u imponua nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, duke i lënë të pakënaqura të dyja palët e motivuara nga interesat e tyre etnonacionaliste. Marrëveshjet janë ndërkombëtare. Parlamenti ndoshta nuk do të ishte shndërruar në arenë të tillë nëse kryesia e Kuvendit do t’i përmbahej rregullores së punës dhe ligjeve që garantojnë ecurinë e punës së Kuvendit. Kryekuvendari, përherë duke u zbavitur me bllokuesit, duhet ta kuptojë se nuk është si Presidentja, nga e cila kërkohet ta ketë mirë me të gjithë, por roja ligjore që e ka obligim të sigurojë rend në Parlament.   Për shumicën absolute të përfaqësuesve të shoqërisë civile, si mediat, analistët, OJQ-të, institutet e varura e të pavarura, akti permanent i bllokimit të parlamentit konsiderohet suspendim flagrant i demokracisë pluraliste. Mos të flasim për reagimet e dy partive më të mëdha për nga votat. Ky qëndrim nga të gjithë argumentohet me shpërfilljen, mohimin, e së drejtës së qytetarëve për t’u përfaqësuar me të dërguarit e tyre në parlament. Pothuaj nuk ka mbetur shtet dhe instancë ndërkombëtare e lidhur me Republikën e Kosovës që nuk e ka dënuar publikisht bllokadën dhe sjelljen aktuale. Për cilat interesa vepron atëherë Opozita? Për cilin “Popull”? Për shumicën e qytetarëve sigurisht jo.Kjo është absolutisht e pamundur. Mbetet vetëm një gjë si shpjegim: Opozita nën komandën e VV-së nuk beson se ndonjëherë do ta marrë pushtetin nëpërmjet votës dhe besimit të shumicës dhe ka vendosur që këtë ta bëjë me rrugë tjera. “Në emër të popullit, kundër shumicës, drejt suspendimit të demokracisë pluraliste, qoftë edhe me trazira dramatike” – kjo duket të jetë deviza praktike e bllokuesve të Parlamentit. Me çfarë çmimi? Kjo pyetje nuk i intereson opozitës. Gjithçka që ajo do është pushteti. Mbase më shumë si në Ukrainë, sesa si në Bullgari. A do t’ia dalë? Asnjëherë! Për një fat të Kosovës, sigurinë e saj ende e garantojnë ata që ia bashkëmundësuan lirinë. * Autori eshte drejtor i Klan Kosova. Titulli origjinal:Bllokada: Ku jemi, çfarë duan, si do të përfundojë?