• |
ide | kryesore

Hajvani i rëndomtë Ismail Morina

Arkiva, Ide
ne-banjo-by-kushtrim-ternava.jpeg



Më ka rastisur, pa dashjen as kënaqësinë time, por me përgjegjësinë time intelektuale, të shkruaj aqherë për heronjtë tanë kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë (pothuajse të gjithë janë të tillë). Përshkrimet, interpretimet, analizat, porositë edhe mund të jenë të njëjtat, por rastet e reja prore kërkojnë dhe meritojnë qoftë edhe vetëm një përsëritje.

 
Së fundmi, olimpit të ndyrë të atyre heronjve kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë iu është shtuar edhe Ismail Morina, i njohur me shumë me nofkën Ballisti. Ky budallai i rëndomtë, u bë hero kombëtar për shumicën e shqiptarëve anekënd me një gjest prej nacionalisti të çmendur, krejtësisht jo sportiv në një ndeshje futbolli. Për pasojë, ndeshja u ndërpre dhe për më tepër rrezikoi edhe jetët e vetë futbollistëve në fushë.
 
E megjithatë, nuk mbeti pothuajse kush pa u ndier i kënaqur nga veprimi i tij. U ekzaltuan edhe vetë ata që u rrezikuan. Kështu e ka marrëzia nacionaliste, natyrisht.
 
Korit të glorifikuesve pra nuk i shpëtuan as mediet, as intelektualët.
 
Ndërkohë, dikujt i ra ndërmend të bënte edhe dokumentar për të. Por, më mirë s'ka ku të vejë, ngase cilido që të ketë qenë qëllimi i fundmë i autorit, që nën dritën e diellit duket të jetë glorifikimi, për ata që duan të kuptojnë përtej tij, shumë gjëra flasin qartë.
 
Ja një e dhënë me rëndësi: ai, të paktën në kohën e realizimit të dokumentarit, na paska pas qenë i varfër. Një emigrant i pafat, i zvarritur rrugëve të botës. Jo një i varfër që ka zgjedhur vetë të jetë i tillë, por një i varfër që paska pas përfunduar i tillë në pamundësi pune. Nga dokumentari doli se tipi paska një ëndërr të blinte një vinç (jo më për të bërë ndonjë skandal prej debilli) për të punuar dhe të krijonte familje.
 
Gjë më të fisme se një ëndërr e tillë zor të ketë.
 
Kjo, në të vërtetë, përveç shpalosje e një ëndrre, ishte një kërkesë për ndihmë. Tash jo aq e fisme, të kuptohemi. një kërkesë për ndihmë jo nga njëri në pamundësi, por thjesht nga njëri në dembeli.
 
E megjithatë, një i varfër, sidomos kështu kur nuk e shohim më thellë problemin, zgjon te ne përherë ndjenjën e dhembshurisë, ani pse edhe vetë ne mund të jemi të varfër, të varfër të lodhur dhe të rraskapitur nga puna, fizike a çfarëdo, që nuk paguhet aq sa të kemi një jetë dinjitoze. Bashkëndjenja është e natyrshme. Bashkëndjejnë edhe kafshët, e lëre më njerëzit.
 
Ia blenë vinçin?
 
Nisi të punojë me vinçin apo diçka tjetër?
 
Jo.
 
Jo, nuk ia blenë viçin.
 
Jo, nuk nisi të punojë (nuk i ofroi askush punë në një bar si kamerier?).
 
Porse, diçka ai tipi bleu. Ai tipi bleu diçka të shtrenjtë. Bile, ai bleu një gjë, të cilën, kur ne varfanjakët e shkretë, me një punë që s'na nxjerr nga muaji në muaj, e shohim rrugëve, e shohim si simbol të pasurisë, luksit. Në të vërtetë, kur e shohim rrugëve një makinë të tillë, në vendet tona, pothuajse në të gjitha rastet ne e identifikojmë saktësisht pronarin e saj: një kriminel, një bandit, një gangster. Sepse ajo është:
 
Range Rover! Një makinë që ç'ke me të!
 
Epo, të mos punosh, ja e bukura e fatit. Të mos punosh dhe të kesh një makinë të shtrenjtë sa të të rrëqethen qimet e kresë.
 
E nga arrestimi i tij i fundit, del se në makinë i janë gjetur një armë pa leje (siç shkruaja edhe herave të tjera: se armë me leje na qenka në rregull!) dhe disa bileta të falsifikuara. Heroi kombëtar, hajvani i rëndomtë, me armë dhe bileta të falsifikuara.
 
Varfanjaku i shkretë, emigranti i përvuajtur, heroi kombëtar!
 
Hajvani i rëndomtë.
 
Por, këtë hajvanin e rëndomtë, për shkak se është hero kombëtar, marrim vesh, na e paska pritur dhe nderuar edhe familja Jashari (edhe ata ndakan medalje, o Zeus!). Sa lehtë budallai i rëndomtë, hero kombëtar, gjen strehë të budallenjtë e tjerë të rëndomtë. Kudo.
 
Nuk ka, këtë mund ta them në kupë të qiellit, gjë më të shëmtuar dhe absurde se afria, bashkëndjenja nacionaliste, përkrahja dhe bashkëndarja e qëndrimeve dhe veprimeve të këtij hajvani të rëndomtë. Duke e mbështetur këtë hero kombëtar, hajvan të rëndomtë, mbështesim qëndrimet më jonjerëzore, më barbare të mundshme.