• |
ide | kryesore

A duhet t’i përgjigjesh dhunës me dhunë?

Arkiva, Ide
ne-banjo-by-kushtrim-ternava_1444814897-4135255.jpg



A duhet t’i përgjigjesh dhunës me dhunë?

Është një debat i pafundmë, ama me plot përgjigje të vlefshme.

Përveç lëvizjeve të ndryshme paqesore në histori, ka edhe mjaft shembuj artistikë, biografikë, etj., me anë të cilëve është tentuar të na jepen, nëse më lejohet ky titull qesharak, “udhëzime për kapërcimin e krizave”.

Dua të nisem nga shembulli tragjik dhe kapital: Sokrati.

Të mohoje zotat zyrtarë, do të pësoje reagimin e pamëshirshëm të shtetit. Filozofi i mohoi zotat zyrtarë, dhe e pësoi reagimin e pamëshirshëm të shtetit. I mohoi, sepse ishin zota të rremë, andaj nuk kishin të bënin me të vërtetën. E megjithatë, ai nuk i mohoi ligjet e shtetit, përmes të cilave mbaheshin në fuqi zotat e rremë. Morali është i thjeshtë dhe i qartë: e vërteta duhet të thuhet patjetër, por ligjet në fuqi duhen respektuar; ngase vetëm duke i respektuar (thënë të vërtetën), do të mund t’i përmirësojmë ose tamam ndryshojmë.

Sokrati u dënua nga ligjet në fuqi, e piu vetë kukutën dhe vdiq.

Pasi që tha të vërtetën e vet.

Nuk i mblodhi ithtarët e vet që të grushtohen me gardianët e burgut; nuk i bëri mbështetësit e vet të dalin rrugëve të hedhin gurë, të kallin shtëpi, të shkretojnë çfarë t’iu dalë përpara; nuk la të kuptohet për përkrahësit e vet se për të vërtetën që po e thoshte meritonin ta rrëzonin pushtetin dhe ta merrnin në duart e veta, për t’i imponuar ligjet e veta, zotat e vet.

S’ka përmbysje, ka vetëm një evoluim. Ndoshta shumë të ngadalshëm, ndoshta shumë të dhimbshëm.

***

Në shembull tjetër do të nxirrja nga kinematografia.

Te ‘Hævnen’ (Golden Globe dhe Oscar), regjisorja daneze Susanne Bier realizon një situatë konfikti, në të cilën, personat e involvuar, lehtësisht do të mund të përfundonin me përdorimin e dhunës. E tëra mund të duket banale, por, natyrisht, konfliktet lindin nga banaliteti pothuajse gjithmonë. Anton (interpretuar nga Mikael Persbrandt), një një mjek suedez me shërbim në Afrikë, i cili sapo e ka ndarë fëmijën e vet të mos kacafytet me një tjetër, e ha një shpullë poshtëruese nga një qytetar danez, i ati i fëmijës tjetër. I biri i tij i madh (Elias) dhe shoku i tij (Christian) nuk e përpijnë dot flakareshen dhënë një burri të rritur. I kërkojnë të hakmerret. (Hævnen do të thotë tamam: hakmarrje). Mirëpo, Anton këmbëngul t’i bindë (dhe edukojë) se reagimi i dhunshëm ndaj dhunës nuk është zgjidhje. Dhe i duhet tërë kohës t’ua thotë këtë, me fjalë. Duke qenë se nuk binden me fjalë, kërkon të shkojë më thellë. I merr me vete, shkon te vendi ku punon danezi i dhunshëm, mekanik, dhe i kërkon ta qëllojë përsëri me shpullë. Nayrisht, në fillim kjo gjendje e vë në siklet mekanikun, të afërmit e tij dhe punëtorët e tjerë të pranishëm. Të të lutë njeriu ta rrahësh! Një gjë e paparë dhe e padëgjuar. Ama, po, ashtu është. I kërkon t’ia fusë një shpullë tjetër, si ajo e asaj dite. (Do të thoni se përzgjedhje e tillë e personazheve të kundërvëna, nga shtresa të ndryshme shoqërore, është tendencioze). Natyrisht, pas këndelljes, dhe sidomos duke u ndier i poshtëruar edhe më nga një gjendje e tillë, mekaniku nuk ia përton punës: e qëllon, gjithnjë e më dhunshëm. Ja ku donte të dilte Antoni. Kthehet kah fëmijët dhe iu thotë (nga mbamendja, përmbledhtazi): “E shihni, është fare e lehtë të qëllosh me shpulla. Ja, unë jam më i fuqshëm se ai, shikojini muskujt e mi, gjoksin, po desha e bëj fërtele. Por, kjo nuk është njerëzore. Nuk bëhen kështu punët. Ne nuk jemi kafshë që të grushtohemi dhe vritemi”.

Sigurisht, filmi është më kompleks se kaq. Antonit do t’i duhet edhe më të përballet me argumentin e dhunës, reagimin individual ndaj të keqes. Situata më domethënese, natyrisht, është në fund të filmit, pasi rikthehet në Afrikë në shërbim dhe merr për shërim në kampin e tij një gjeneral përbindësh, të njohur për krimet e tij makabre. Duke qenë mjek, do ta shpëtojë nga hakmarrja e të afërmëve të viktimave të tij dhe do ta shërojë. Megjithatë, posa të shërohet, jashtë dyerve të spitalit të tij, s’ka ç’t’i bëjë, do të mbetet në duart të atyre që duan hakmarrjen.

***

Ka edhe një film tjetër (të bërë nga romani homonim i Pascal Mercier), Tren nate për Lisbonë, me regji të Bille August, që trajton pothuajse po këtë argument. Në të na rrëfehet se si doktori Amadeu de Prado e shpëton nga vdekja xhelatin e Lisbonës, diktatorin Rui Luis Mendes, në kohën kur, po të ndiqte instinktin e masës, fare mirë do të mund ta linte të vdiste si qen rrugësh, pa pasur asnjë pasojë. Dhe duke e kursyer shoqërinë nga dhuna e tij e mëvonshme. Ama, ai nuk mund ta bëjë këtë. Për këtë, të gjithë do t’ia kthejnë shpinën. Ngase kaq mundet njerëzia: të gjykojë pa ditur gjë, të mos i kap gjërat në esencën e vet. Masa është e pamëshirshme dhe dashakeqe. Ama ai nuk do të pendohet, ngase si doktor ka bërë as më shumë as më pak se sa atë për të cilën ka qenë i thirrur. Kjo është etika! Kjo është, para se gjithash, përgjegjësia!

***

Te ‘Mbi dhunën’ (On Violence), Hannah Arend ka thënë: “Praktika e dhunës, si çdo veprim, e ndryshon botën, por ndryshimi më i gjasshëm është drejt një bote më të dhunshme”. Dhe: “Dhuna për nga natyra është instrumentale; si të gjitha mjetet, ka prore nevojë për një guidë dhe për një justifikim për ta arritur qëllimin që ndiqet”.

***

“Duhet shuar dhunën më parë se sa zjarrin”, ka thënë Herakliti.

Çfarë e bën këtë të urtë të mendojë se dhuna njerëzore është më e frikshme dhe më e papërballueshme se “dhuna natyrore” (zjarri)?

Ngase njeriu është masë e të tërës. Që ta shuajë zjarrin, njeriut nuk i nevojitet mirëkuptimi i tij. Është një palë arbitrare dhe e gjithëfuqishme. I ka të gjitha “kompetencat” për të vepruar. Ndërsa, që të shuhet dhuna ndër-njerëzore lypset mirëkuptimi ndër-njerëzor. Duhet t’i bëhet thirrje “natyrës njerëzore”.

Walter Benjamin, në esenë ‘Për kritikën e dhunës’, ka gjetur gjuhën si ilaçin e vetëm: “Ka një sferë deri në atë pikë jo të dhunshme të marrëveshjes njerëzore sa të jetë tamam e paqasshme për dhunën: sfera e vërtetë dhe e vetme e «mirëkuptimit»: gjuha”.

***

Kështu është: Qenia që nuk banon në gjuhë është e prirë (sepse kjo është natyra e saj) të jetë e dhunshme. Pra, të jetë kafshërore. Qeniet e dhunshme nuk duan të strehohen te dialogu, duan të ndjekin instinktin kafshëror. E përjashtojnë gjuhën. E zgjedhin dhunën.