• |
ide | kryesore

Hipokrizia me luftën kundër kancerit të gjirit

Arkiva, Ide
Ard_Vehbiu_400x400.jpg



Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit, të thotë një dritare kërcyese mu në hyrje të uebsajtit të QSUT Nënë Tereza. Shëndeti i gjirit varet nga ty, një gjest i thjeshtë të shpëton jetën!, të thotë faqja e Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë.
Kështu, në vështrim të parë, nisma duket fisnike për nga qëllimet dhe efektet. Madje edhe ecja simbolike, tradicionale kundër kancerit të gjirit, mund të interpretohet si diçka e mirë dhe e shëndetshme, edhe pse naive.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, me këtë rast promovoi sloganin “Një instagram më pak, një mamogram më shumë.”

Në fakt, shumë dhimbje shkakton ky lloj kanceri – tek viktimat, tek të afërmit, por edhe në planin simbolik, si një sëmundje që prek një imazh që e shoqërojmë gjithnjë me jetën, me nënën dhe fëmijën.

Kohë më parë kam humbur nga kanceri i gjirit njeriun më të dashur; dhe sot njerëzit më të afërt e më të shtrenjtë në jetën time janë gra dhe vajza që potencialisht i ekspozohen këtij kanceri.

Nuk di nëse mamografitë e vajzave dhe grave të shëndetshme, sidomos nën një moshë të caktuar, ndihmojnë apo jo për të ulur vdekshmërinë nga kanceri i gjirit.

Nuk di as nëse një rezultat negativ i mamografisë vërtet mund të garantojë mungesën e sëmundjes.

Një gjest i thjeshtë ndonjëherë mund të shpëtojë jetën; por kanceri i gjirit është sëmundje tepër serioze, për t’u likuiduar me slogane të tilla.
Edhe zotimi i kryebashkiut Veliaj (i përshtatur nga anglishtja), për të vënë përballë instagramin me mamogramin, më duket i pagoditur: nuk ka nevojë t’u bësh thirrje vajzave dhe grave që të sakrifikojnë, simbolikisht, gëzimin e jetës në emër të një parandalimi me efekt të dyshimtë, sidomos për grup-moshën e Instagramit.

Por pyetja që më mundon, kur dëgjoj për fushata të tilla sensibilizimi, është tjetër: nëse institucionet e shëndetësisë publike, në Shqipëri, do të jenë në gjendje të përballojnë rezultatet e këtyre përpjekjeve për t’i bindur vajzat dhe gratë të ekzaminojnë gjirin masivisht, përfshi këtu edhe kryerjen e mamografive.

Sa më shumë ekzaminime, aq më shumë diagnostikime të reja, aq më shumë pseudo-diagnostikime (false positives). Çdo diagnostikim, dyshim ose false positive duhet ndjekur më tej – me analiza të tjera, mamografi të tjera, ekografi.

Do të ketë nevojë për biopsi dhe ndërhyrje kirurgjikale, radioterapi dhe kemioterapi. Do të ketë nevojë për shërbime të ndihmës psikologjike dhe psikiatrike, për të gjitha gratë e traumatizuara, përfshi këtu edhe viktimat e pseudo-diagnostikimit.

A është në gjendje shëndetësia publike të përballojë, në vijueshmëri, suksesin e një fushate të tillë? A i ka mjekët, kirurgët, radiologët, infermierët e specializuar, shtretërit në spitale, qendrat ambulatore, barnat e kemioterapisë, teknologjinë e nevojshme dhe strukturat e ndërmjetësimit social dhe të komunikimit?

Nuk e kam përgjigjen e kësaj pyetjeje. Më kanë akuzuar më se një herë nuk informohem mirë, para se të kritikoj; prandaj do t’u lutesha lexuesve të më ndihmojnë, mua dhe lexuesit e tjerë: a i ka mundësitë shëndetësia publike në Shqipëri t’u përgjigjet pasojave të një fushate të tillë kaq dramatike?

Një gjest i thjeshtë nuk mjafton për të shpëtuar jetën: por mjafton për të krijuar një ankth, një alarm dhe një dramë. Që një gjest i thjeshtë të ndihmojë, duhet që shëndetësia publike të jetë e përgatitur për t’u dalë zot fushatave të veta.

Përndryshe, muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit mund të përfundojë në muaj të reklamës për shërbimet e shëndetësisë private; madje edhe po të mos përfundojë në tullumbace të shfryrë, si shumë fushata dhe koreografi të tjera spektakulare.
Marre nga Peizazhe te fjales/Titulli origjinal: mamografi dhe koreografi