• |
ide | kryesore

Lëreni Kombëtaren të qetë që të vazhdojë të fitojë

Arkiva, Ide
Vasili-300x193.jpg



Gjithçka që kombëtarja jonë e futbollit prodhoi, qoftë si emocione, si standard i ri i ambicieve tona, si thyerja e tabuve të të pamundurave ishin veçse pozitive dhe pa asnjë të metë. Prova se një punë e organizuar shumë mirë dhe mbizotërimi i një projekti teknik afatgjatë përkundrejt empirizmit të mëparshëm me shumë pathos, por pa ide dha fryte të paimagjinueshme që na mësojnë shumë. 

Gjithçka paskëtaj do të duhet të konceptohet ndryshe. Tifozeria shqiptare e shkëlqyer dhe që e do me zemër kombëtaren do të duhet të sillet gjithmonë e më me kujdes, pasi mund ta dëmtojë kombëtaren (nuk ka ndodhur gjer më tani); organizmi teknik duhet të mëtojë të rrisë edhe më tej nivelin; organizimi tërësor nga ana e federatës, i cili ishte në një nivel mjaft të mirë, duhet të rrisë edhe më tej standardin e administrimit; gazetaria sportive duhet të braktisë emotivitetet objektive e subjektive, por të profesionalizohet shumë e më shumë. Të gjithë kanë marrë një shtysë shumë të fortë për një ndryshim tashmë të motivuar fort nga një dimension i ri suksesi.

Megjithatë, në qendër të gjithçkaje mbetet një rezultat i mrekullueshëm si kualifikimi i Shqipërisë për në Francë. Të gjitha përsiatjet, dyshimet, thashethemet, bizantinizmat pa fund që nuk munguan të ngrenë kokën, kanë krijuar një ambient të ri pas fitores, që nuk ka fare të bëjë me atë ambient që duhet të formësohej përqark këtij suksesi dhe asaj që na pret përpara sfidës së Francës.

Për këdo duhet të jetë e qartë se pavarësisht subjektivizmave, pavarësisht simpative apo antipative personale, pavarësisht ambicieve të dështuara apo të parealizuara të gjithsecilit që flet e shkruan, është fakt që përpara nesh është një Kombëtare, e cila është tashmë një projekt suksesi i madh dhe që tejkalon mediokritetin e dikurshëm të të kënaqurit me pak apo të të ngushëlluarit me qindra “scuzante” se si është e pamundur arritja e një objektivi të fortë.

Projekti i Kombëtares është solid, pasi të gjithë komponentët e tij janë në vendin e duhur dhe përplotësojnë më së miri njëri-tjetrin. Futbollistët, De Biazi dhe Duka janë tre kolonat e patjetërsueshme mbi të cilat projekti u ndërtua, që prodhoi suksesin dhe që ka sfidën e vështirë që të vazhdojë të funksionojë bindshëm në Francë dhe më tej.

Çdo mbivlerësim i njërit prej faktorëve dhe nënvlerësim i tjetrit është rënia në gabimin fatal që na rikthen në mediokritetin e së shkuarës. Realiteti aktual është i qartë dhe kokëfortë; pra, secili nga të tre këta faktorë ka meritën e tij të plotë, që as nuk i zë vendin dhe as nuk ia errëson aspak meritën tjetrit, përkundrazi, bashkëveprimi i të treve është edhe kyçi i suksesit.

Loja mediatike e mbivlerësimit të njërit dhe nënvleftësimit të tjetrit është një lojë e vjetër, dëmtuese dhe që ripërsërit qarjet e sharjet e të shkuarës. Brenda Kombëtares ekziston një realitet i gjallë dhe dinamik me të gjithë larminë që kjo sipërmarrje e madhe sportive ka brenda. Askush nuk ka pse bën detektivin privat për promovimin e thashethemeve lidhur me kontratën e ardhme të De Biazit apo të vlerësimeve subjektive për të dhe federatën, pasi De Biazi dhe federata e dhanë provimin e një bashkëpunimi shumë të suksesshëm, pa pasur nevojë për bujurdinë e thashethemeve. Le t’i lëmë të qetë të vazhdojnë të bashkëpunojnë e të zgjidhin përditshmërinë e tyre pa ndërmjetës mediatikë.

Karrierat sportive të De Biazit e të futbollistëve janë një realitet shumë dinamik, me shumë objektiva dhe ambicie të natyrshme, edhe personale, sikurse është sporti vetë dhe futbolli në veçanti, por këto s’kanë asfare të bëjnë me një projekt të qëndrueshëm të një kombëtareje, e cila ka thyer tabutë dhe synon të ecë pa kthim në këtë rrugë dhe ku ndryshimi i vazhdueshëm, pasurimi i saj me vlera të reja dhe hapja drejt vlerave sportive që ajo realizoi, të mbeten moto e saj.

Sot, të gjithë ne kemi Francën përpara. Kombëtarja, De Biazi dhe Duka duhen lënë të qetë që t’i japin një dimension tjetër suksesi projektit të Kombëtares në këtë kompeticion, i cili formëson edhe më shumë një personalitet të fortë përfaqësimi sportiv, aq të nevojshëm për “France 2016”, por akoma më shumë edhe për eliminatoret e Botërorit, ku na presin përballje shumë të mëdha si ato me Spanjën e Italinë, që kanë shkruar faqe të mëdha të historisë së futbollit botëror.

Shqipëria ka parë plot kritizerë të sëmurë e pa ide dhe nga këta kemi pasur plot dhe me bollëk, ndërsa rezultate të mëdha nuk kemi pasur asnjëherë të vetme. Tani e kemi një rezultat të madh dhe vazhdimësia e këtij rezultati dhe e këtij projekti sportiv e menaxherial ka nevojë për qetësi për ta perfeksionuar atë. Detyra jonë publike është që të japim gjithsecili, për aq sa ne mundemi, stimuj pozitivë, frymëzim dhe besim të plotë për kombëtaren tonë, pra ta lemë të qetë kombëtaren të vazhdojë që të fitojë. /Petrit Vasili/