• |
ide | kryesore

A duhet ta braktisë Europa Turqinë e sulltanit Erdogan?

Arkiva, Planet
Sultan-Erdogan (1).jpg



Në portin turistik të Bodrumit, jahtet janë të ankoruar në krah të gomoneve me të cilat refugjatët kalojnë tre miljet detare që i ndajnë nga Greqia dhe Europa. Dy botë të ndryshme bashkëekzistojnë, për më tepër duke injoruar njëra-tjetrën. Herë pas here, mes tingujve të muzikës disko në baret bregdetit, rojet bregdetare dhe grupet e vullnetarëve zbarkojnë të mbijetuarit e ndonjë fundosjeje që sapo kanë shpëtuar.

Me sipërfaqen e saj shumë të madhe, Turqia është një kuzhinetë natyrore mes Europës dhe kaosit të Lindjes së Mesme. Nuk është habi që udhëheqësit e Bashkimit Europian po përpiqen të sigurojnë bashkëpunimin e Ankarasë për të ndalur prurjet e imigrantëve. Në katër vitet e fundit Turqia, që ka 75 milionë banorë, ka pritur dy milionë njerëz.

Nëse mendohet për ksenofobinë që ka prodhuar në një pjesë të mirë të Europës, këtu pasojat negative të këtij fenomeni kanë qenë pak a shumë të përmbajtura. Por tensionet etnike dhe politike janë përkeqësuar prej atentateve terroriste, si ai që ndodhi në 10 tetor në Ankara, si dhe në prag të zgjedhjeve të parashikuara për në 1 nëntor.

Duke parë regjimin gjithnjë e më autoritar të presidentit Erdogan, si dhe ashpërsimin e konflikteve të brendshëm, është e kollajtë të harrosh se gjërat nuk duhej të shkonin detyrimisht keq. Pak vende janë transformuar kaq rrënjësisht brenda një gjenerata. Turqia ka qenë pjesë e NATO-s që nga viti 1952, dhe është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian prej vitit 1999, edhe pse sot, lidhja e saj me Perëndimin është gjithnjë e më shumë në diskutim.

Në fillim të viteve nëntëdhjetë, vendi ka rizbuluar dimensionin e tij lindor. Presidenti i atëhershëm, Turgut Ozal kryente vizita simbolike në vendet e shenjtë në vendet turkofonë të Azisë qendrore, diplomacia turke ishte rikthyer të ishte aktive në Kaukaz dhe portet e Detit të Zi ishin shumë të trafikuar. Në vijim, Turqia ka rigjetur rrënjët e saj myslimane nën shtytjen e një klase të mesme anadollake në rritje, e cila dëshironte të ndahej prej laicizmit të rreptë që ishte trashëgimi qysh prej viteve të kemalizmit.

Kjo ka sjellë shfaqjen, në fillimet e viteve dy mijë, të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP akronimi në turqisht), një formacin islamik i moderuar, i cili që nga ajo kohë nuk e ka lënë pushtetin. Ende në vitin 2011, Turqia përshkruhej si një model për vendet që, me pranverën arabe, përpiqeshin të çliroheshin prej regjimeve diktatoriale, si dhe të gjenin një ekuilibër mes islamit dhe demokracisë.

Pra, çfarë shkoi keq? Eshtë folur shumë për obsesionin e Erdoganit, që të bëhet një “sulltan” i ri. Kohët e fundit, qeveria ka rindezur luftën kundër kurdëve, për të siguruar mbështetjen e nacionalistëve dhe ka goditur kundërshtarët e saj, me metoda prej shteti policor. Por çështja është shumë më komplekse. Shumëkush pyet se çfarë do të ndodhte, nëse Bashkimi Europian do të kishte mbajtur lidhje më të ngushta me Turqinë.

Përshtypja e turqve progresistë është se janë shpërdoruar shumë shanse. Tratativa t për anëtarësimin në Bashkimin Europian janë zvarritur prej vitesh, mbi të gjitha sepse opinioni publik europian nuk ka pranuar asnjëherë idenë e asociimit me një vend të madh mysliman. Kjo e ka shtyrë Turqinë që të hedhë sytë gjetkë: drejt Rusisë, që sot është furnizuesi i saj parësor me energji, dhe drejt Lindjes së Mesme, me idenë e një diplomacie “neo-otomane”, që megjithatë është përmbyllur me luftën në Siri.

Për shumë vite, politikanët europianë kanë shfrytëzuar për qëllimet e tyre, fobinë e vjetër të armikut mysliman. Ngjitja e Shtetit Islamik dhe shumëfishimi i kërcënimeve ndaj sigurisë, vetëm sa e kanë amplifikuar këtë tendencë.

Sot, europianët e gjejnë veten duke dialoguar me nëj Turqi të izoluar. Sondazhet tregojnë se shumica e turqve nuk e dinë se cili është aleati kryesor ndërkombëtar i vendit të tyre. Vetëm 23% konsiderojnë SHBA një aleat strategjik, ndërkohë që Bashkimi Europian dhe Gjermania shihen në mënyrë favorizuese, vetëm nga 41 dhe 38% e turqve.

Një herë e një kohë, Turqia aspironte të bëhej fuqi kulturore dhe diplomatike në nivel rajonal. Sot është në vështirësi, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë, problemeve me sigurinë dhe pakënaqësisë së brendshme, pasojat e të cilës mund të shfaqen dukshëm në zgjedhjet e 1 nëntorit.

Shumë shpejt, ujërat e Egjeut do të bëhen rrezikshëm të ftohta për refugjatët. Bashkimi Europian ka premtuar të rrisë mbështetjen ekonomike për Turqinë, por për të përballuar dimensionet e shumta të krizës së këtij vendi, paratë nuk do të mjaftojnë. Europianët duhet që më në fund të vendosin se çfarë lloj marrëdhënieje duhet të ndërtojnë me një vend të bindur që shumë premtime, jo vetëm ato humanitare, nuk janë mbajtur.

Autorja NATALIE NOUGAYRÈDE është gazetare franceze. Ka qenë korrespondente e Liberation dhe BBC nga Cekosllovakia dhe Kaukazi dhe ka drejtuar Le Monde nga 2013 deri në 2014. Këtë koment e ka shkruajtur për The Guardian

Bota.al