• |
ide | kryesore

C’po ndodh me Greqinë pas dorëzimit të Tsipras?

Arkiva, Planet
Alexis_Tsipras_Greek_Prime_Minister_Graffiti.jpg



Shanset janë zbehur përballë këshilltarëve të rinj të BE-së për Athinën

Nga Zeke Turner/“Politico”

Ajnshtajni e përkufizoi si papërgjegjshmëri, të kryerit e diçkaje sërish e sërish pa pushim, por duke pritur rezultate të ndryshme. Ky është pikërisht kurthi, që kërkon të shmangë Komisioni Evropian, teksa ka mobilizuar një ekip të ri ekspertësh për të këshilluar Greqinë, mbi paketën e re të shpëtimit.

Ndërmjet vitit 2011 dhe momentin kur u shpërbë në heshtje në fillim të këtij viti, Task Forca me ekspertët mbi Greqinë shpenzoi mijëra ditë pune – më shumë se 2.250 deri në fillim të 2014 – në përpjekje për të ndihmuar Athinën në zbatimin e reformave ekonomike dhe strukturore, në këmbim në miliardave eurove hua.

Ajo që u arrit qartazi, ishte përbuzja e hapur e popullit grek – për shumë pak rezultate të rëndësishme në disa fusha. “Pas pesë vitesh të Task Forcës së vjetër dhe dy memorandumeve (kontrata e shpëtimit), ne ende nuk kemi bërë asgjë”- u shpreh për “Politico” një veteran i misionit të fundit të ekspertëve të BE-së.

Me Athinën që tashmë do të tërheqë paketën e tretë të shpëtimit me vlerë miliardë 86 miliardë euro, Brukseli dëshiron të përfshihet nga afër në zbatimin e reformave – pa u dhënë megjithatë grekëve ndjesinë, se është duke shkelur vetë në terren.

“Ne kemi nevojë të shmangim përshtypjen, se po marrim përsipër ndonjë gjë”-, tha një zyrtar i BE-së i afërt me misionin e ri, që është emërtuar më nje term më pak ushtarak, Shërbimi i Mbështetjes së Reformave Strukturore. I kryesuar nga holandezi Marten Vervej, që ka një përvojë të rëndësishme në këshillimin e paketës së shpëtimit të Qipros, skuadra e re dëshiron të mbajë një profil më të ulët sesa Task Forca e dikurshme, lideri i së cilës në fund u detyrua të qarkullonte me një mikrobuz, që lëvizte me shpejtësi dhe me truproja të shumtë, që e mbronin nga zemërimi i athinasve.

“Ju duhet angazhimi i KE”- thotë Tom de Bruin, ish-këshilltar special në Task Forcën e dikurshme. Rregullat e reja të angazhimit për ekipin prej 10-15 ekspertësh, janë duke u hartuar në Athinë, larg vëmendjes së mediave. Ndoshta faktori më vendimtar i suksesit, do të jetë niveli i mbështetjes nga kryeministri i majtë grek. Kjo mbetet një çështje e hapur.

Aleksis Cipras erdhi në pushtet në fillim të këtij viti, me premtimin për të hequr masat shtrënguese të përcaktuara nga Berlini. Pas arritjes së një tjetër një marrëveshje këtë verë, për vazhdimin e ndihmës nga BE-ja dhe qëndrimin në eurozonë, si dhe rizgjedhjes së tij të mëvonshme në shtator, ai po e gjen veten në imponimin e reformave edhe më të rënda, ndaj të cilave dikur ishte kundër.

“Jam i shqetësuar nga mesazhi i vazhdueshëm që jep Cipras duke thënë: E pra ju e njihni këtë paketë, nuk mund të veproja ndryshe. Unë nuk besoj në të, por është e vetmja rrugë për të shkuar përpara”- thotë Tom de Bruijn, ish-diplomat holandez që ka punuar si një këshilltar i posaçëm i Task Forcës. “Kjo nuk  tingëllon shumë bindëse. Çdokush e di se në çdo biznes të madh, ju keni nevojë për angazhimin e bordit drejtues”-tha ai.

Asnjë menaxher

“Politico” foli me tetë anëtarët e Task Forcës, shumica e të cilëve insistuan të mbeten anonimë, pasi punojnë ende për Komisionin. Duke kujtuar përpjekjen e parë të BE-së, për ndërhyrjen në qeverisjen e një shteti sovran anëtar, ata japin pak shpresë për optimizëm, se pakoja e tretë e ndihmës për Greqinë, mund të ketë sukses në reformimin e ekonomisë, pikërisht aty ku paraardhësit dështuan.

“Gjasat që e gjitha kjo të ketë sukses, janë shumë të pakta”-tha anëtari i ekipit teknik, që përbëhej nga një staf prej rreth 20 ekspertësh, të cilët qëndronin në Athinë dhe 20 të tjerë në Bruksel, ndërsa u bashkoheshin me rotacion ekspertë të ndryshëm nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ky është kryesisht një problem i udhëheqjes politike. Por edhe i mungesës së përkushtimit nga kryeministri Cipras, dhe partia e tij Syriza që ka një përvojë të pakët në qeverisje. “Ata nuk kanë menaxherë, nuk mund të ndjekin dot procedurat dhe as hapa praktikë”- shprehet Haris Theoharis, që aktualisht është deputet i partisë opozitare To Potami (Lumi).

Theoharis, ishte kreu i autoritetit tatimor grek për gati 18 muaj, por i paraqiti dorëheqjen në vitin 2014 kryeministrit Antonis Samaras, për shkak të asaj që ai e përshkroi si kërcënimi i dhunës dhe presionit politik, për të shmangur ndjekjen penale të disa biznesmenëve që u ishin shmangur taksave, dhe që kishin lidhje me qeverinë konservatore të kohës.

Pamundësia e dukshme e mbledhjes së taksave, qëndron në zemër të vështirësive ekonomike të Greqisë, dhe është nyja gordiane e për përpjekjeve për të zbatuar disa reforma. Taksat, janë pika e parë që përmenden në marrëveshjen e fundit të ndihmës financiare për Greqinë. Autoritetet tatimore greke, arrijnë të mbledhin çdo vit 40-50 përqind të totalit të të ardhurave të tatueshme nga profesionistë të pavarur si mjekët, avokatët dhe arkitektë, thotë Friedrih Shnajder, një ekonomist dhe ekspert i njohur evropian  në Universitetin “Johan Kepler” në Austri. Vendet e tjera të BE-së mbledhin 70-80 përqind të taksave nga ky grup, shton ai.

Pesë vite më parë, rreth kohës kur Task Forca filloi punën, Shnajder e vlerësoi në 26.8 miliardë euro shumën e taksave të pambledhura nga punëtorët e pavarur. Vitin e kaluar, Greqisë i mungonin ende 20 miliardë euro, dhe reduktimi i asaj shifre i detyrohet pjesërisht tkurrjes ekonomike, dhe jo progresit në luftën kundër evazionit fiskal.

Shmangia nga taksat është një dukuri që i ka rrënjët e thella, që datojnë nga dominimin kulturor i Perandorisë Osmane, kur evazioni ishte një formë e krenarisë patriotike dhe mosbindjes nga ana e të kolonizuarëve. Ekziston një ndjenjë e ngjashme me evazionin e sotëm, sidomos pasi rritja e taksave u bë për të kënaqur kreditorët ndërkombëtare të Greqisë.

Theoharis argumenton se për disa, kjo ishte një çështje e nevojës ekonomike. “Kriza detyroi shumë njerëz të shmangnin pagesën e taksave, thjesht dhe vetëm për të mbijetuar”-mendon ai. Për të trajtuar këtë problem, ndërsa po shmangte përshtypjen se urdhrat jepeshin direkt nga Brukseli, Task Forca solli në Greqi ekspertë të taksave nga shtetet e tjera anëtare të BE-së si Bullgaria, Irlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Vervej ka ndërmend ta ruajë këtë strategji.

Qasja lara-lara

Por skeptikët mendojnë se kjo qasje lara-lara, nuk siguron nivelet e duhura të ekspertizës. Elena Paniritis, një veterane e Bankës Botërore, që ka punuar më herët edhe si këshilltare në Ministrinë e Financave, e quan atë si qasja e “sill me vete pijen tënde alkoolike”.

Një vështirësi që ekipi teknik i Komisionit, duhet të jetë në gjendje ta shmangë këtë herë, është rivaliteti me njerëzit që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka në terren. Theoharis shprehet se ekspertët e FMN-së “dinë shumë më tepër sesa thonë në lidhje më këtë çështje”, por ndjesia në Athinë në Bruksel ishte se institucioni me qëndër në Uashington, qe më i përshtatshëm për të dhënë këshilla në zhvillimin e botës sesa Bashkimi Evropian.

“Ka më shumë ideologji dhe pak ekspertizë”- ishte mënyra sesi e përshkroi ndërhyrjen e FMN-së një ish-anëtar i Task Forcës. Ekspertët e Komisionit u përpoqën të ruajnë profilin e ‘policit të mirë’ në kontrast, me atë që shumë grekë panë nga zbatimi i reformave ekonomike ortodokse të prezantuara nga fondi. Megjithatë, në realitet “nuk ishte e lehtë për njerëzit që të bënin ndonjë dallim”-pohon Kostis Chatzidakis, anëtar i parlamentit grek, që ka qenë Ministër për Konkurrueshmërinë dhe Zhvillimin në qeverinë Samaras.

Këshilltari i vetëm

Grekët filluan ta urrejnë menjëherë shefin  e Task Forcës, gjermanin Horst Reichenbach. Anarkistët grekë dogjën veturën e bashkëshortes së tij në shtëpinë e tyre në Potsdam jashtë Berlinit, në maj të vitit 2012, ndërsa zemërata mbërriti në atë pikë sa Reichenbach e pa të nevojshme të mbante plot 5 truproja në çdo kohë, gjatë qëndrimit të tij në Athinë.

Një yll i Komisionit Evropian dhe një nga arkitektët e Traktatit të Mastrihtit, dokumentit themeltar të euros, ai ishte caktuar në krye të misionit nga presidenti i atëhershëm i KE, Hoze Manuel Barroso. Por edhe CV-ja e tij yjore dhe s’mundi ta shpëtojë nga ajo që u shndërrua në një “proces paralel”- sipas fjalëve të një zyrtari të BE-së – e lidhur kjo me profilin më të lartë të grupit të kreditorëve, si Komisioni Evropian, Banka Qëndrore Evropiane dhe FMN-së, që ishin kolektivisht të njohur.

Ekipi i Vervej nuk do të garojë me FMN-në, e cila tanimë është tërhequr në një rol këshillues, dhe synon të shmangë mungesën e përqëndrimit që kishte dikur Task Forca për mbikëqyrjen 110 rrjedhave të ndryshme të punës tek reformat në 12 fusha të ndryshme, sipas raportit të fundit në korrik të vitit 2014, një vit i plotë para se puna të ndalej plotësisht.

Marrëveshja e re mes Brukselit dhe Athinës, parashikon dhënien e ndihmës në një numër shumë më të kufizuar fushash, duke përfshirë administratën tatimore. Asnjë nga këto, nuk do ta ndihmojë Komisionin Evropian, si këshilltari i reformës që po ndërmerr Athina, të kapërcejë një problem të madh të cilin De Bruijn, që tashmë është gjyqtar në Hagë, e përmblodhi shkurtimisht si hollandez:”Nëpunësit civilë grekë janë të organizuar keq, ata nuk kanë aftësitë e duhura, metodat e tyre të punës datojnë që nga shekulli i shkuar… “. “Ata nuk kanë një burokraci moderne si ne në Evropën Perëndimore”./Bota.al