• |
ide | kryesore

A po bëhet Basha i guximshëm

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg



Lulzim Basha ka hedhur dje një hap të madh. Ndryshe nga sa parathuhej në korridore se u kishte dhënë fjalën ndërkombëtarëve se do ta kalonte reformën në drejtësi, ai i tha mbrëmë asaj një JO të fortë në Opinion. Ne nuk mund të votojmë një reformë që i jep kryeministrit një pushtet të pamatë mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, qe pak a shumë mesazhi i Bashës. Përpos faktit se ai e bën për herë të parë një deklaratë të tillë, ajo përmban mbi vete edhe një tjetër risi. Prej kohësh, që në fillim të detyrës së tij si kreu i opozitës, madje që nga ngjarja e armëve kimike, Basha ka pasur profilin e atij që ndryshe u thotë ndërkombëtarëve dhe ndryshe vepron pasi këshillohet me Berishën. Kështu i kish premtuar ambasadorit Arvizu për armët siriane dhe më pas u rrotullua 180 gradë. Kështu thuhej se po sillej edhe me lutjet që i bënin diplomatët e SHBA -së, dhe BE-së për t'iu bashkëngjitur procesit që pretendon të kthejë përmbys piramidën e korruptuar të drejtësisë.

Dilema ishte se Basha do të hezitonte ndërmjet presionit të aleatëve perendimorë dhe presionit të paraardhësit të tij, që e ka si mendësi që mos i japë kundërshtarit politik asnjë benefit edhe kur ato janë në të mirë të gjithë shqipttarëve. Po të mendosh se Berisha e percepton këtë reformë si një armë në duart e Ramës për të goditur mëkatet e pushtetit të kaluar dhe familiarëve të vet, dilema se me kë do të rreshtohej Basha bëhej edhe më e madhe. Dhe më në fund ai foli. Ai zgjodhi të injorojë ndërkombëtarët duke riskuar një stinë vetmie të madhe në raportet me ta.
Po me të njëjtin stil u soll ai edhe me një tjetër aferë të këtyre ditëve. Ai vendosi të godasë fort nga selia e PD- aleatin më ta madh të kësaj partie kur ajo qe në pushtet, televizionin Klan. PD e quajti pronarin e tij Frangaj, një klient të Ramës që po grabiste tokat e bregdetit, që po shiste median tek ai dhe më në fund e krahasoi atë me Koço Kokëdhimën. Pavarësisht nga qëndrimet editoriale të TV të Frangajt, pavarësisht se si u soll ai me zgjedhjet e Tiranës në krahasim me katër vite më parë, hapi që vendosi të hedhë Basha duke e shpallur publikisht divorcin me të, nuk qe një hap i lehtë. 
Në pamje të parë duket sikur ai ka humbur në një javë dy aleatë të mëdhenj. Edhe ndërkombëtarët me refuzimin e reformës në drejtësi edhe një nga televizionet më të mëdha në vend, pas denoncimit të zaptimit të trojeve tek Laguna Blu.
Simboli i asaj që ndodhi u përmblodh më së miri në një forografi të shpërndarë në mediat online. Aty lideri i opozitës dukej duke hyrë krejt i vetmuar në korridoret e TV Klan. Ndryshe nga pritjet pompoze që i bëhen kryeministrave, ndryshe nga sa Basha qe mësuar më parë, kjo klishe e shpreh më së miri rrugën e vështirë ku ai po futet: atë të ftohjes me shumë nga faktorët që i kish pasur aleatë kur ishte në pushtet. 
Natyrisht, kjo nuk është një rrugë e lehtë. Natyrisht ajo e zgjat së tepërmi shikimin e dritës në fund të tunelit. Natyrisht për Bashën ajo ka dhe një kosto shtesë, sepse shumëkush do të tentojë ti përkthejë zgjedhjet e tij si shprehje të vullnetit të Berishës (që jo gjithmonë është e pavërtetë). 
Por pavarësisht nga këto, kjo ecje e gjatë në shkretëtirë, në Shqipëri ka rezultuar si rruga e vetme (megjithëse plot sakrifica, injorim nga të gjithë, përbuzje, tallje e harrim) për të shkuar drejt pushtetit. A nuk u kthye pas një marshimi të tillë, i braktisur dhe i harruar nga të gjithë, Fatos Nano në vitin 2002? A nuk përsëriti të njëjtën fabul Berisha i 2005 pasi në një moment i mbetën aleatë vetëm TV Shijaku, Selfo i ballistëve me Spahinë e zogistëve? A nuk kaloi përmes sakrificash, fshikullimesh nga ndërkombëtarët, telendisjesh nga mediat e pushtetit, opozita tetë vjeçare e Ramës?
Të gjitha këto raste tregojnë se këtej nga anët tona, në një demoktaci hibride si Shqipëria, nuk mund ta prekësh parajsën e pushtetit, pa kaluar përmes ferrit të klientëve të tij të përhershëm. 
A është futur edhe Lulzim Basha në këtë trajektore danteske? Dy qëndrimet e fundit të bëjnë të dyshosh se po.
/lapsi.al/