• |
ide | kryesore

Laguna Blu/Hani m… që gatuat

Arkiva, Ide
2015-08-28-13-24-49--1026864748.jpeg



Ajo që po ndodh me “Lagunën Blu” në Qerret, ku zyrtarisht si rrallëherë në botë, banojnë në një vend edhe e ashtuquajtura elitë intelektuale. edhe oligarkët financiarë, (më shumë si një plotësim ëndrre i bllokut të vjetër komunist) është një pasqyrë e mirë, që shqiptarët të kenë mundësi ta shohin ajkën e tyre të qumështit jo vetëm nga sipër kusisë, por këtë herë dhe nga poshtë. Kam parë shumë komentues racionalë nëpër rrjeteve dhe faqeve të ndryshme online që thonë se nuk i ha meraku për ç’po ndodh në lagjen me emrin “Laguna Blu”, pasi tendenca për zaptime me leje a pa leje kanë ndodhur dhe ndodhin në dhjetëra lagje të thjeshta të Shqipërisë.

Për shqiptarët e thjeshtë, në fakt, kjo nuk është një ngjarje lagjeje, por një ngjarje Shqipërie. Ajo u bë e tillë, pasi kjo përplasje për shkak të banorëve mediatikë, u kthye më shumë në një përplasje gazetarësh.

E para që të bie në sy lehtësisht është mllefi i pazakontë, fjalori i ulët, fyerja ndaj njëri- tjetrit, aq sa një kolegu i tyre i përbashkët, pronari i gazetës ‘Koha Jonë’, Nikollë Lesi, duke botuar një shkrim për këtë ngjarje në gazetën e tij, në titull kishte mitralozë, predha e raketa, si të përshkruante një sulm Hamasi.

Konkluzioni i parë dhe më i dukshmi për shqiptarët jashtë Lagunës Blu, se klasa politike, ajo që ne e anatemojmë vazhdimisht për këtë gjendje që po kalojmë, të duket shumë më me nivel dhe shumë më etike se kjo klasë gazetarësh e pronarësh mediatikë, që drita blu e lagunës ia ndërroi shpirtin, zemrën dhe skutat e mendimeve.

Ndërsa për mua personalisht, si njeri afër kësaj lagune për shkak të profesionit dhe jo si banor I saj, është deprimuese të shikoj se si kolegë, miq të dikurshëm me njëri- tjetrin, pjesëtarë të gëzimeve personale të njëri- tjetrit, pjesëtarë të sukseseve në karrierë të përbashkët me njëri- tjetrin dhe gjithashtu ,dua ta theksoj, bashkëluftëtarë në front të shumë presioneve të ligjshme e të jashtëligjshme ndaj shtetit për të gëzuar jetën në këtë Lagunë, të përfundojnë në këtë derexhe. Dhe në fakt dua ta pranoj publikisht se këtë që po ndodh sot në Lagunën Blu, miku im Fatos Lubonja e kishte paralajmëruar me kohë dhe këtu nuk kishte parasysh se e gjitha kjo do të vinte nga tendenca zaptuese e një oligarku. Le të jemi të ndershëm me veten dhe me të gjithë.

Kjo histori pavarësisht si po paraqitet në media, nuk është një tragjikomedi vetëm me një personazh negativ, Aleksandër Frangaj. Kjo histori fillon atëherë, shumë vite më pare, kur këto të ashtuquajtura fshatra turistike u ndërtuan për të zhvilluar turizmin, pra jo për t’u shitur si pronë, por për t’u lënë me qira gjatë gjithë vitit, në mënyrë që të zhvillohej e gjithë zona, që të kishte transport publik që do të sillte shqiptarët apo të huajt: që të kishte restorante e bare përreth: që të zhvillohej bujqësia në zonat rrotull: që të ngriheshin sera për të furnizuar banorët që do vinin e do iknin: që të kishte me dhjetëra e qindra shërbime, pra përveç të tjerave të punësoheshin dhe dhjetëra e qindra njerëz. Ky qe qëllimi dhe strategjia e ndërtimit të këtyre fshatrave turistike e jo t’i shiteshin si pronë një njeriu, që në shumë raste jo vetëm nuk shkojnë gjithë vitin, por dhe nuk shkelin vite me radhë. Është pikërisht ky deformim i kapitaizmit, i tregut kapitalist, dhe në të njëjtën kohë dëshira komunisto-provinciale për të jetuar si ish- bllokmenë, që jo vetëm i privoi këto zona nga një zhvillim i madh, jo vetëm i hoqi buxhetit të shtetit të ardhura të konsiderueshme, por dhe arsyeja kryesore që Laguna Blu po shndërrohet në Kënetë Gri të së ashtuquajturës Elitë Shqiptare dhe Oligarki Shqiptare.

Dhe pikërisht në atë kohë kur ndodhte kjo, shumë nga këta që sot janë në luftë të hapur me njëri -tjetrin apo dhe me Sandrin, merrnin 20 herë në ditë Sandrin apo oligarkë të tjerë: Hë mo ca u bë, hë mo burrë fol noi çik u ndërrua ligji, do i marrim shpitë atje. Janë po këta që fyhen me njëri- tjetrin sot se si kanë parë dhe “elitarë” të tjerë brenda Lagunës që kanë bërë njëri pas tjetrit shtesa pa leje ose ‘me leje’, po duke thyer çdo rregull dhe çdo hapësirë dhe nuk kanë folur asnjë fjalë publikisht, përkundrazi, në darkë mund të jenë mbledhur te baçja e shtëpisë së Sandrit dhe janë ankuar për Bathoren. Konkluzioni: po gatove m…m….do hash dhe m…. do gjuash.
Shkruar per Syri.net