• |
ide | kryesore

NYT: Përse turqit votuan sërish Erdoganin

Arkiva, Planet
erdogan-meeting.jpeg



Për partine e Rexhep Taip Erdoanit, e diela solli një ndryshim befasues në peisazhin elektoral të përvijuar aq zymtësisht për të nga votimet e qershorit; AKP-ja rifitoi shumicën në Parlament, Erdoani siguroi vazhdimësinë e dominimit të skenës politike vendase pas muaj të tërë trazirash politike e dhune.

Një triumf i madh për Presidentin; një zhgënjim i thellë për kundërshtarët, aq më tepër kur anketimet parazgjedhore parashikonin e shumta përsëritjen e skenarit të 6 muajve më parë.

Fitorja duket se përligj strategjinë elektorale të Erdoanit për t’u shfaqur sa më nacionalist si dhe ndjekjen e linjës së ashpër me militantët kurdë në jug-lindje të vendit, ku përplasjet kanë rifilluar prej kohësh.

Një pjesë e mirë rritjes së AKP-së, në fakt erdhi në kurriz të Partisë Nacionaliste të ekstremit të djathtë. Erdoani hodhi zarat dhe i eci, thotë për New York Times, Suat Kiniklioglu, drejtori ekzekutivit i Qendrës së Komunikimit Strategjik me seli në Ankara.

Ky për AKP-në ishte një sukses tmerrësisht i madh, shton ish-ligjvënësi që dikur ka qenë edhe vetë pjesë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, ndërsa sot rreshtohet në krah të kritikëve të partisë në pushtet.

Ishte pikërisht frika e njerëzve dhe dëshira për stabilitet ajo që i ktheu AKP-së shumicën parlamentare, e kjo u kuptua edhe nga vetë deklarata e Erdoanit pas shpalljes së rezultateve paraprake.

Gjatë 5 muajve, që kontribuan në ringritjen e partisë me rrënjë në fene islame, Turqia ra pre e sulmeve terroriste. Shpërthimet në Suruç e Ankara, rikthimi i makthit të vjetër të Partisë Punëtore të Kurdistanit, por edhe rreziku i shtrirjes së konfliktit sirian brenda kufijve të vendit, i shtynë turqit të zgjedhin strehën e sigurtë të sundimit njëpartiak, që mund të sjellë fundin e terrorit dhe qëndrueshmëri në vend.

Në strategjinë e saj grabitqare, thotë New York Times, qeveria e tranzicionit, një zgjatim ‘de facto’ i drejtimit të mëhershëm të AKP-së, nuk ngurroi të kërkonte jo vetëm mbështetjen e nacionalistëve, por edhe atë të familjeve që vajtonin humbjen e njerëzve të dashur nga sulmet vdekjeprurëse. Erdoan e përsëriti vazhdimisht gjatë fushatës së tij nevojën për bashkimin e vendit rreth një force të vetme e cila të garantojë stabilitet, ndaj dhe përshkallëzimi i beftë i aktiviteteve terroriste në periudhën që parapriu zgjedhjet e 1 nëntorit, konsiderohet tashmë si faktori kryesor që i siguroi AKP-së një rikthim kaq të fuqishëm në politikën vendase./portalb/