• |
ide | kryesore

Të kesh turp të jesh socialist

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg



Goditja me vezë kundër Edi Ramës ishte shumë më tepër sesa një akt simbolik, ndaj një pushteti që po degradon me shpejtësi. Ata studentë kurajozë që nuk e kapërdinin dot kthimin e kriminelit në vendin e krimit, pra vizitën e mbështetësit të universiteteve private në një aulë të publikut, ishin të qartë për atë që po bënin. Përpara se të lëshonin vezët e turpit, ata lëshuan mbi kryeministrin fjalët "hajdut" dhe "klientelist".

Filozofia e tyre ishte e strukturuar. Shumica me bindje të majta, alergjikë ndaj një kaste që po shfaros dhe po rrëmben gjithçka në këtë vend, ata nxituan në mënyrën e tyre për të na treguar se kupa po derdhet. 
Në shpjegimet që i bënë më pas aktit të tyre, ata qenë po aq të qartë: ata dënonin me forcë praktikat e kapitalizmit liberal deri në kafshëri, që u hiqte studentëve shqiptarë mundësinë e shkollimit pa barriera financiare. Ata dënonin favorizimin e klientëve të Berishës të konvertuar në pengmarrës të Ramës. Ata dënonin zaptimin e çdo gjëje vetëm në emër të një grupi të vogël njerëzish. 
Në fakt, kauza e tyre përmblidhej vetëm në kundërshtimin e ligjit të arsimit të lartë, por e parë më gjërë, ajo është përfaqësuese e shumë shqetësimeve që pushteti i telendisur dhe kleptokratik i Edi Ramës, po u shkakton sot shqiptarëve.
Ata studentë, si të tjerët, kanë dëgjuar këto ditë për një leje ndërtimi që kryeministri ka dhënë për ortakun e Shkëlzenit në Gërdec, Delijorgjin. Si njeriu që i shpëtoi vezëve me moton "këmbët e lehta, faqe e bardhë", Rama iu shmang edhe akuzave për këtë skandal duke thënë se ajo ishte një leje e Bashës. Gënjeu edhe njëherë sikurse e ka zakon, sepse në atë rast Lulzim Basha, nuk kish bërë as një të tretën e punës. Leja mban firmën dhe vulën, gjobëvënien dhe vullnetin e Edi Ramës. 
Po e njëjta situatë u pa edhe tek konflikti i Laguna Blu. 
Ata studentë dhe të tjerët me siguri e dëgjuan Edi Ramën të thotë se në buzë të detit po ndërtohet me firmën e Berishës. Gënjen dhe mashtron ky rrens patologjik që këtë herë nuk ka firmosur për të vjedhur, por për të kapur mediat.
Ata studentë dhe të tjerët e kanë dëgjuar kryeministrin të fliste dikur për shëndetësi falas. Por ata po shohin se si bëhen sot tenderat dhe koncesionet në mjekësi: aty si gjithmonë fitojnë ish klientët e qeverisë Berisha, të cilët kanë të ngritura edhe strukturat korruptive edhe cach-in e nevojshëm, edhe mungesën e skrupujve për të kapur njeriun e 200 milionëve (sipas OSBE-së).
Pra në thelb, vezët e protestuesve të djeshëm kundër Ramës, janë vezë që mund t'i kishin hedhur ndaj tij një shumicë më e madhe shqiptarësh. Sepse shqetësimin e atyre studentëve me bindje të majta, sot e kanë edhe shumë grupe të tjera interesi. Në thelb ai është i njëjtë: është pafuqia për të parë klientët e djeshëm të doktorit, të kalërojnë këtë "legenin e gjatë" siç e quante dikur njëri nga përfituesit.
Por t'i kthehemm ligjit për arsmin e lartë. Ai ishte totalisht i mbështetur, i sponsorizuar, i shkruar dhe në fund me synimin për të përfituar, ato universitete që financuan politikisht dhe moralisht regjimin e djeshëm. Ato po kapin edhe të sotmin. Po e njëjta fabul përsëritet edhe në rastin e Deliorgjit edhe në atë të Laguna Blu edhe në atë të koncesioneve në shëndetësi. 
Duke shikuar këtë fenomen, të gjithë socialistët që kanë parë të rilindin nën Edi Ramën djajtë e ëndërrave të tyre më të këqia, kanë të drejtë të ndihen të turpëruar. Ashtu si studentët majtistë që protestojnë kundër ligjit për arsimin e lartë, ata po e shohin çdo ditë e më të pashpresë, se fatkeqësisht pushteti nuk ka ndryshuar. Se Edi Rama, njeriu që bëri fushatë duke premtuar një rindarje më të drejtë të pasurisë (ku 5 përqind zotëronte sipas tij gjysmën e pasurisë së shqiptarëve) është kthyer me shpejtësi në një dordolec të kastës.
Pak ditë më parë një biznesmen pranë të majtës më pohonte se në çdo garë që zhvillohet sot me fonde shtetërore (me përjashtim të atyre ku paracaktohen miqtë e Ramës), fitojnë ish biznesmenët e Berishës. "Ne kemi financuar ardhjen e tyre në pushtet dhe nuk na kërkojnë dot para për herë të dytë, ndaj të pangopur, tenderat dhe lejet ua japin atyre", më tha i dëshpëruar dhe shtoi: "ky nuk është pushteti i socialistëve, sot të vjen turp të jesh i tillë". 
Me sa duket ka të drejtë. Ndonëse unë nuk e di se sa realisht diskriminohen në gara ata biznesmenë që janë të majtë, një gjë e di me siguri: po, sot është vërtet turp të ndihesh i tillë.
Shumë nga ata që kanë besuar dhe votuar për një shtet me të drejtë dhe më të barabartë, po e shohin kryeministrin e tyre të telendisur, të kapur, të korruptuar, të pafuqishëm, të dhjerë. Ata kanë filluar të kenë ndroje të afishohen si socialistë. Zgjatimet e pushtetit të Berishës, sot po i përdhosin përmes Edi Ramës. Dhe atyre nuk u ka mbetur asgjë më shumë, vetëm se të marrin nga një vezë në dorë. /Lapsi.al/