• |
ide | kryesore

Hajdutët e shtetit

Arkiva, Ide
IMG_20151110_232605.jpg



Sapo mbarova së lexuari librin më të fundit me titullin e goditur “Hajdutët e Shtetit: Pse korrupsioni është një kërcënim për sigurinë botërore” të Sarah Chayes, eksperte në luftën kundër kleptokracisë kolektive, korrupsionit, marrëdhënieve civile-ushtarake, etj. Nuk e di, por duke shfletuar faqet e tij, më kaploi ankthi e pakënaqësia, ndjeva zhgënjim e dhimbje nga ngjashmëria e analizës teorike me politikën praktike shqiptare. Dhe jo pa arsye. Nga analiza e librit, në dritën e skandaleve të fundit, ku është përfshirë koalicioni qeverisës, nuk është vështirë të kuptohet që dhe, në rastin e Shqipërisë, po shfaqet, me ditë e orë, një korrupsion i paturpshëm. Madje, në sytë e publikut, të paktën në një pjesë dërrmuese të tij, veprimtaria qeverisëse, me korrupsionin mbytës, sipas termave të zonjës Chayes, po i ngjan një “organizate kriminale” apo po funksionon si e tillë. Mbi të gjitha, në shikimin publik të ditës, thelbi i qeverisjes në çdo hallkë është se të uzurpuarit e funksioneve shtetërore, po i “rilind” ato thjesht për të përfituar financiarisht!…
٭٭٭
Në librin e Chayes, një person ky kyç për programin e demokracisë dhe zbatimit të ligjit në një OJQ prestigjioze (Carnegie Endowment), tregohet sesi lulëzon një qeveri e trasformuar në një organizatë kriminale, kur trashëgon në habitatin e saj një sistem gjyqësor të kompromentuar, që shtrin mbrojtjen e tij nga zyrtarët më të vegjël të provincës (që janë çelësi për të mbledhur e blerë vota apo për të gjeneruar të ardhura nga veprimtari korruptive, në ushqim e funksion të rrjetit kriminal), e deri në majë të piramidës shtetërore. Edhe në rastin tonë, nisur nga media, pretendime të opozitës apo pozicionime ndërkombëtare, ky korrupsion në nivelin politik-administrativ është shfaqur qartë në mjaft afera me shuma prej qindra milion eurosh.
Po ashtu, zonja Chayes na e bën të qartë, në faqet e librit të saj, se ajo që bëjnë qeveri të tilla të rilindura në organizata kriminale është, pikërisht, të uzurpojnë dhe akumulojnë elementë të funksioneve zyrtare, duke i koduar ato ndryshe për përfitime maksimale të paskrupullta. Dhe, në të njëjtën kohë e shfrytëzojnë abuzimin e korrupsionin brenda sistemit gjyqësor, duke e stimuluar ushqimin korruptiv ndaj tij, nga njëra anë, apo duke e mbajtur atë nën presion politik, nga ana tjetër, pikërisht për t’i kufizuar fushën e veprimit dhe aftësinë për t’u rebeluar, reaguar e ndryshuar. Po aty, ajo thekson, gjithashtu, dhe ndikimin e rrjetit kriminal mbi vetë strukturat e sigurisë e policisë, deri krijimin e njësive paramilitare në shërbim të trafiqeve të saj. Në realitetin shqiptar, muajt e fundit, po ndeshen jo pak shenja të ngjashme shqetësuese me efekte e pasoja të rrezikshme!…
٭٭٭
Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë, shifrat e deklaruara apo të hamendësuara, të përfituara në nivele të ndryshme të korrupsionit janë seriozisht të mëdha. Vetëm në muajin e fundit, në Shqipëri, janë dëgjuar lajme nga më skandalozet, konkretisht nga rasti i ndërtimeve me leje abuzive, tek “mushkonjat” e mbushura me drogë, nga skandalet zinxhir tek CEZ, OSHEE, tek firot në dogana e tatime apo tek tenderi për dializën, pa lënë mënjanë edhe kërcënime politike apo pseudo-kompani të krijuara rishtazi e ish-kompani ministrash, që janë kaluar në duar të tjera, si përfituese pothuajse absolute në mori tenderësh shtetërorë. Apo, akoma, flitet për familjarë pushtetarësh, përfitues milionash në koncesione e tenderë të ndrysëm shtetërorë, për martesa e festa super luksoze, për tenderë radarësh apo rikonstruktime godinash, që të gjitha kapin shifra mahnitëse, etj. Bile, po t’i shtojmë atyre efektet shoqëruese të korrupsionit kapilar të këtij rrjeti të kriminalizuar, atëherë ka shumë mundësi që humbjet e mitmarrjet, vjedhjet e evazioni, të kapin në total vlera të miliarda eurove.
Akoma më shqetësuese janë akuzat e fundit, që kanë pushtuar dhe shtypin perëndimor. Sipas tyre, vetë rrjeti ynë policor i sigurisë është i përfshirë, në nivele të larta, në trafik droge; dhe në të njëjtën kohë, ai po përdoret për nënshtrim e “bindje”, për të ushqyer psikozën e frikës dhe ndëshkimit. Pa dyshim, e gjitha kjo ka çuar në një perceptim publik mbi një qeverisje në metamorfozë negative, ku po huazon mjaft tipare, sa shqetësuese, po aq dhe të rrezikshme të një “organizate” të korruptuar dhe kriminalizuar. Për më tepër, në deformimin e saj, ajo përpiqet të shfaqet si e sofistikuar, por nuk i shpëton dot arrogancës, sjelljes brutale, manipulimit “inovativ” në procesin e maksimizimit të të ardhurave të anëtarëve të rrjetit, në vend që të merret me mirëqeverisjen e vendit, për të cilën u votëbesua jo shumë kohë më parë. E gjitha kjo tablo, po ushtron trysninë e vet mbi institucionet ndërkombëtare dhe analistët vendas, që nga fillimisht të hutuar e tronditur, po realizojnë tani që nuk bëhet më fjalë për një lëvizje politike në dështim, por për një prirje zhvatëse që për të mbuluar thelbin e saj, e gjen shpëtimin e qeverisjes tek “pikturimi” i fasadave e “vetëflijimi elektoral” duke “pastruar” pasuritë publike e private të vendit, gjithmonë “në të mirë të popullit”…
٭٭٭
Në libër, një element i rëndësishëm i analizës është se çdo organizatë kriminale, përfshi dhe atë që kryen rastësisht rolin e qeverisjes, është një strukturë vertikalisht e integruar. Kjo nënkupton, p.sh., që, nëse një oficer policie i korruptuar merr lekë nën dorë, një pjesë e mirë e këtyre parave zhvendoset lart zinxhirit të hierarkisë, duke ju bashkuar rrëkeve të tjera deri në majat e saj. Një korrupsion i tillë kapilar, si qelizë e mega-korrupsionit, është tepër i vështirë për t’u zhdukur. Ai, si kancer, e gjen mënyrën për t’u rritur e zgjeruar sërish, kjo edhe kur disa hallka të zinxhirit të tij këputen falë ndërhyrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, denoncimeve politike të opozitës, medias apo aktorëve vendas, akoma të paprekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë e individin.
Duke lexuar librin “Hajdutët e shtetit”, çdonjëri me të drejtë mund të pyesë: si është e mundur që të funksionojë një sistem i tillë jo i natyrshëm i një pakice, që i imponohet shumicës, që e zhvat këtë të fundit?! Në fakt, në vetvete, një sistem i tillë ka në bazë shkëmbimin, konkretisht paraja e mbledhur prej qytetarëve, në nivelin e poshtëm, p.sh., nga polici, gjyqtari, mjeku, zyrtari, sekseri, etj. (të cilët janë në një kontakt direkt me këta qytetarë), zhvendoset e ngjitet lart, duke u garantuar atyre vendin e punës, mbrojtjen joligjore dhe jetëgjatësinë e pajustifikuar në detyrë!
Për fat të keq, qytetari, deri ditën që e ka pranuar këtë si normë dhe nuk rebelohet, e sheh një mundësi të tillë si të vetme për të mbaruar punë, madje shpejt dhe në mënyrë efektive. Ndërkohë, parimorët e rezistentët apo valët e të varfërve dhe të pafatëve përplasen si dallgët në breg, pa asnjë shpresë e mundësi. Pra, po të lexohet ky libër, nuk kemi pse të habitemi, p.sh., kur kryeministri, tek ne, del në një debat televiziv dhe mbron deri në detaje tepër specifike aferat e denoncuara në tenderë publikë, bile dhe zyrtarët e përfshirë në to. Prandaj, dhe pyetja që ndeshet shpesh në rrjetet sociale është: pse se do të rrezikonte ai apo çdo ministër e zyrtar i lartë veten dhe reputacionin për të mbrojtur një zyrtar ose nëpunës të korruptuar më poshtë në hierarki? Pse do të vendoset ai me dashje nën syrin e ciklonit? Pse të mbrohet me “vetëmohim” çdo ndryshim i mundshëm, madje tepër i nevojshëm në qeveri? Për Sarah Chayes, në çdo organizim të këtij lloji, konsiderohet si praktikë e detyrueshme, që çdo anëtar i tij apo rrjetit përkatës të gëzojë imunitet dhe të ketë garanci, që të mos ndodh kolapsi i kësaj organizate si e tërë apo të rrezikohet ajo. Prandaj, po t’i shtohet kësaj “sjelljeje mbrojtëse”, sistemi i drejtësisë, kapja apo të influencuarit e tij, atëherë një organizatë e tillë e kriminalizuar e garanton jetëgjatësinë, shtrirjen e fuqizimin në komandim e qeverisje.
٭٭٭
Një pyetje radhë është: si reagojnë aktorët vendas në fushën e biznesit apo dhe ata ndërkombëtarë, p.sh., me vështirësimin e menjëhershëm të kushteve të të bërit biznes? Normalisht, një pjesë më e ndershme, por dhe likuidja, mund të zhvendoset jashtë kufijve, një pjesë tjetër do të ulë ndjeshëm aktivitetin ekonomik e investimin, në pritje apo duke shpresuar për një mjedis e situatë të ardhme më të mirë. Por, e gjitha kjo, shkakton depresion, papunësi e reduktim në konsum.
Mbetet dhe një pjesë e tretë që i nënshtrohet sistemit të korruptuar e adaptohet, duke ndarë pjesën e luanit të fitimit me pjesën kriminale administrative-shtetërore, duke u bërë dhe transformuar, kështu, në pjesë të kancerit që, për të gjeneruar me shumë para për ushqim të “kuçedrës”, bëhet pjesë e vjedhjes me tenderë shtetërorë, angazhohet në shkelje të kushteve ligjore, abuzimit me mjedisin e lëndën e parë, përfshirjes në ndërtime të paligjshme (duke gllabëruar jo vetëm toka të përbashkëta publike, por dhe ato private të individëve të caktuar). Pjesë e abuzimit mund të bëhen dhe lojtarë ndërkombëtarë, që kanë interesa konkrete në përdorimin e lëndëve të para, shfrytëzimin abuzues të krahut të lirë të punës apo dhe ata, që deformojnë e shkëmbejnë rolin e monitoruesit e raportuesit me përfitime të shpejta, për kohën e shkurtër të stacionimit në vendin tonë…
٭٭٭
Sipas zonjës Chayes, situata bëhet akoma më e rrezikshme, kur u shtohet atyre dhe një element tjetër i rëndësishëm: ai i presionit, psikozës së frikës e poshtërimit. Të tillë janë, p.sh., rastet e mitmarrjes së detyruar, kur viktimat e korrupsionit ndodhen nën trysninë e oficerit të policisë, zyrtarit e sekserit të tyre; sidomos kur një mitmarrje të tillë ia kërkojnë atyre mu në fytyrë, me arrogancë maksimale, pa ngurrim, ndrojtje e mirësjellje, deri me kërcënim e shoqërim në komisariat, kur refuzohet zhvatja (ekstorsioni) e nënshtrimi i padrejtë.
Por, për zonjën Chayes, ka dhe një limit! Në të vërtetë, çdo organizatë e kriminalizuar ose mafioze, që jo vetëm të merr paratë, por dhe dinjitetin, pavarësisht dhunës së përdorur, duhet të konsiderojë dhe “mbushjen e kupës”, gjatë të cilës revolta popullore mund të bëhet tepër e dhunshme, deri shkatërrimtare e gjakësore. Pikërisht, këtë mësim të Chayes duhet ta ketë parasysh dhe politika e qeverisja shqiptare, sepse, si në rastin e rënies së piramidave financiare, dhuna mbars dhunën. Mund të fillojë me një protestë me vezë, por nuk dihet asnjëri fundi i një pakënaqësie popullore!…
Sidoqoftë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Duhen llogaritur sidomos dëmet afatgjata ndaj sistemit demokratik dhe vendit në tërësi, duke zhvatur burime të krijuara nga taksat e popullit, që duhet të shkonin për mirëqenie dhe shërbime për të gjithë. E thënë thjesht, paratë që duhet të prodhonin të mira publike si edukimi, shëndetësia, infrastruktura, etj., pjesërisht përvetësohen e futen në “xhepa”, në “dyshekë” apo llogari offshore jashtë vendit, duke krijuar regres, depresion ekonomik, papunësi, amortizim në rritje. Dhe e gjitha kjo nuk mund të ribëhet, kthehet, shërohet apo rikuperohet lehtësisht. Por, ka dhe diçka tjetër, sepse nuk është ky i vetmi dëm që po përjetohet në kuptimin e shtetit. Në fakt, po pranohet, krijohet e mbruhet një dorëzim publik ndaj korrupsionit, ndaj një filozofie shtetërore dhe zyrtarëve të korruptuar, mbi të gjitha po ushqehet një korrupsion kapilar i kudogjendur në çdo hallkë shoqëruese të tij.
٭٭٭
Normalisht, themeli i një shteti demokratik është që populli i tij të vet-pranojë, të mbështesë dhe të besojë qeverinë e zgjedhur me vullnetin e tij dhe në mënyrë demokratike. Ai duhet të jetë i bindur se çdo përpjeke, shpenzim kolektiv energjish dhe të ardhurash, po shkon për të mirën e tij, për një jetë me standard më të lartë dhe të ardhme më premtuese. Nuk është frutdhënëse, madje është e rrezikshme, nëse në gjirin e tij fillon të lindë apo të zërë rrënjë e kundërta pra se qeveria e tij nuk po punon, po shpenzon para jo për të mirën e përbashkët, po gënjen e përfiton individualisht. Aq më keq, po të shihet ajo si armike e një të ardhme më premtuese.
Si shpëtim ndaj këtij “armiku të përbashkët”, qoftë dhe virtualisht, një pjesë e popullit zgjedh si rrugë largimin (dëshmi për këtë është eksodi i fundit me qytetarët tanë, të renditur në statistika, të dytët mbas atyre të Sirisë), por, nuk përjashtohet dhe nxitja e reagimit ndaj pjesës tjetër deri në konflikt, që mund të ketë dhe efekte shkatërrimtare, sado që të vlerësohet demokratik e revolucionar!…
Pra, po qese në vazhdimësi cenohet dinjiteti i personal i qytetarit në marrëdhëniet e tij me hallkat e ndryshme të përfshirjes së makinës shtetërore, fillon e ushqehet në proces pakënaqësia e inati, mosbindja civile, reagimi e revolta; akoma më keq, eventualisht e nxitur dhe nga elementë të caktuar, edhe dhuna e precipitimet shoqëruese të saj. Për Sarah Chayes, kjo rezultante e pritshme, në dukje katastrofike, mbase nuk është kaq apokaliptike! Sipas saj, historia na mëson se, në mjaft raste, një shpërthim i brendshëm është dhe rruga e vetme për të rrëzuar një regjim të kriminalizuar. Por, ajo mendon se ideale është kur ky shpërthim është i kontrolluar nga një forcë demokratike; pra kur zhvillohet një lëvizje emancipuese, e denje dhe e gatshme për të mbushur vakuumin, e aftë për të kuptuar e luftuar, mbi të gjitha korrupsionin që po kërcënon deri sigurinë globale, dhe jo të bëhet pjesë e tij, të shndërrohet e të përvetësojë tentakulat e mbetura, të riushqejë qelizat kapilare të qeverisjes të korruptuar të lënë mbas krahëve…