• |
ide | kryesore

Ja pse u arrit deri tek terrori

Arkiva, Ide
michel-houellebecq_400x400.jpg



Si pasojë e atentateve të 7 janarit, kam kaluar dy ditë përpara televizorit, pa mundur të shkëputem. Të nesërmen e atentateve të 13 nëntorit, nuk besoj as që ta kem ndezur televizorin. Jam kufizuar duke u telefonuar miqve dhe të njohurve që jetojnë në lagjet e prekura (dhe bëhet fjalë për shumë vetë). Mësohesh edhe me atentatet. Në vitin 1986 Parisi u godit nga një seri sulmesh, në vende të ndryshëm publike (bëhej fjalë për Hezbollah-un libanez, besoj, që asokohe mori përgjegjësinë).



Ndodhën katër apo pesë atentate, disa ditë larg nga njëri-tjetri, ndoshta një javë, nuk e kujtoj shumë mirë. Mirëpo ajo që kujtoj shumë mirë ishte atmosfera që u krijua, në metro, në ditët në vazhdim. Heshtja në korridoret nëntokësore, ishte e plotë, dhe kalimtarët kryqëzonin shikimet e ngarkuara me mosbesim. Kjo, java e parë. Pastaj, shumë shpejt, bisedat rifilluan dhe atmosfera u kthye në normalitet. Ideja e një shpërthimi të pashmangshëm kishte mbetur në ajër, kalonte në mendjen e të gjithëve, mirëpo kishte kaluar tashmë në plan të dytë. Mësohesh, edhe me atentatet. Franca do të rezistojë. Francezët do të dinë të rezistojnë, dhe pa lënë pas dore një heroizëm të jashtëzakonshëm, pa pasur nevojë për një “shkrepje” kolektive të krenarisë kombëtare.



Do të rezistojnë sepse nuk mund të bëhet ndryshe, edhe sepse mësohesh me çdo gjë. Dhe asnjë emocion njerëzor, as frika, nuk është e fortë si zakoni.



“Këp calm and carry on”. (Ruaj qetësinë dhe vazhdo përpara). Dakord do të bëjmë tamam kështu (edhe pse nuk kemi një Churchill në drejtim të vendit): Ndryshe nga sa mendohet, francezët janë disi të urtë dhe lejojnë që të qeverisen me lehtësi, por kjo nuk do të thotë që janë plotësisht idiotë. Defekti i tyre kryesor mund të përkufizohet si një lloj prirjeje sipërfaqësore për harresë, dhe kjo do të thotë që në mënyrë periodike nevojitet t’u rifreskohet kujtesa.



Situata dramatike në të cilën gjendemi u atribuohet përgjegjësive të caktuara politike; këto përgjegjësi politike duhet të analizohen, herët ose vonë. Është shumë e pamundshme që një oportunist i parëndësishëm që zë kolltukun e kreut të shtetit, ashtu si edhe trashëgimtari i vonuar që kryen funksionin e kryeministrit, për mos të folur pastaj për “tenorët e opozitës” (LOL), dalin me nder nga ky shqyrtim.



Kush ishte ai që dekretoi shkurtimet në forcat policore, derisa i katandisi në dëshpërim, thuajse të paaftë për të kryer detyrat e tyre? Kush na ka mashtruar për vite të tëra, që kufijtë janë një absurditet jashtë mode, simbol i një nacionalizmi të tejkaluar dhe të neveritshëm? Kuptohet menjëherë që këto përgjegjësi janë të ndara gjerësisht.



Cilët udhëheqës politikë kanë përzier Francën me operacione absurde dhe të kushtueshme, rezultati kryesor i të cilave ishte të futej në kaos fillimisht Iraku, pastaj Libia? Dhe cilët qeveritarë ishin gati, deri pak kohë më parë, për të bërë të njëjtën gjë në Siri? (Harrova, është e vërtetë që nuk shkuam në Irak, jo herën e dytë, mirëpo u desh pak, dhe duket qartazi që Dominique de Villepin do të futet në histori vetëm për këtë, që nuk është pak: Të kesh penguar që Franca për një herë, e vetmja dhe unikja herë e historisë së kohëve të fundit, do të merrte pjesë ne një ndërhyrje ushtarake kriminale – dhe për më shumë idiote).



Përfundimi i pashmangshëm është për fat të keq shumë i ashpër: qeveritë që janë zëvendësuar në dhjetë vitet e fundit (njëzetë? tridhjetë?) kanë dështuar në mënyrë të dhimbshme, sistematikisht, për të ardhur keq, në misionin e tyre kryesor, që është mbrojtja e popullsisë franceze që u është besuar përgjegjësive të tyre.



Populli, nga ana e tij, nuk ka dështuar në asgjë. Në fund, nuk dihet saktësisht se çfarë mendon populli, duke parë që qeveritë pasardhëse janë mbrojtur mirë nga thirrja për referendum (përveç njërit, në 2005-n, por preferuan që të mos e merrnin parasysh rezultatin). Sondazhet e opinioneve, në të kundërt, janë autorizuar gjithmonë dhe – për aq sa vlejnë-tregojnë përafërsisht gjërat e mëposhtme: populli francez ka ruajtur besimin dhe solidaritetin lidhur me ushtrinë dhe forcat policore; ka pritur me zemërim predikimet e “të majtës morale” (morale?) për pritjen e refugjatëve migrantë dhe nuk ka pranuar kurrë pa dyshime aventurat ushtarake të jashtme në të cilat qeveritarët e saj i kanë tërhequr.



Mund të përmenden pafundësisht shembuj të mbeturinës-sot për faqe të zezë-që është krijuar midis qytetarëve të cilët duhet t'i përfaqësonte. Diskreditimi që sot godet në Francë bashkë me klasën politike dhe jo vetëm të shfrenuar, por edhe legjitime. Dhe më duket që zgjidhja e vetme që mbetet do të ishte ajo e drejtimit të ngadaltë drejt formës së vetme të demokracisë reale, dhe me këtë nënkuptoj demokracinë e drejtpërdrejtë.



*Autori është shkrimtar francez. Marrë nga “Corriere della Sera”. Përshtati në shqip Valeria Dedaj (shekulli)