• |
ide | kryesore

Nga çfarë do ta pastrojë Edi Rama, Shqipërinë

Arkiva, Ide
prec zogaj.jpg



“Të pastrojmë Shqipërinë” është slogani që po përdor Kryeministri Edi Rama në disa takime partiake të kohëve të fundit. Pa e bërë të qartë për çfarë pastrimi e ka fjalën. E ka për mbeturinat, plehrat, mbetjet dhe papastërtitë e ndryshme që ndotin dhe shëmtojnë mjedisin në disa zona të vendit? E ka për të korruptuarit dhe korruptuesit e shumtë brenda dhe rreth e rrotull qeverisë dhe administratës? E ka për radhët nga bota e malavitës që njohën në fitoren e tij fitoren e tyre, duke u bërë pjesë e saj? E ka për aleaten LSI të Ilir Metës, siç dekriptojnë dhe pohojnë një numër jo i vogël analistësh politikë? Apo e ka për opozitën e Lulzim Bashës, të cilën s’ka reshtur ta pikturojë e anatemojë si të keqen më të madhe të historisë?
Edi Rama e ka lënë në mjegull sloganin e tij të pastrimit. Sekush le ta mendojë si t’i pëlqejë, si t’i vijë për mbarë. E rëndësishme për të është të perceptohet si pastrues, si fshesëmbajtës i madh politik, i rrethuar nga duzina fshesëmbajtësish me të vegjël politikë që janë skuadra e tij. Të jesh pastrues, të marrësh përsipër i pari pastrimin e vendit, do të thotë të jesh vetë i pastër. Në mos i kulluar fare, më i pastër se të tjerët. Në planin propagandistik, që është plani ku Edi Rama është kapur si me mastiç, kjo duket se bën akoma punë. Më e pakta, u jep mundësi eskortave të rralluara të militantëve, servilëve dhe zëdhënësve të hapin gojën, të mëtojnë epërsi ndaj palës tjetër së paku në rrafshin e një gjëje që mashtrueshëm ngjan të jetë subjektive dhe e pamatshme, siç është të qenit ose jo i pastër në politikë.
Por pyetja qëndron sërish e varur si çengel: Për çfarë pastrimi e kanë fjalën? Logjika provon të përgjigjet: Nuk mund të jetë fjala për pastrimin e mbeturinave, plehrave, mbetjeve, papastërtive. Kjo është punë e bashkive, nuk është punë Partie. Bie, pra, ideja e pastrimit në kuptimin fizik, material të fjalës. Mbetet ideja e katharsisit, e pastrimit, pasurimit dhe zbukurimit të brendshëm shpirtëror të njeriut, ashtu siç konceptohej nga grekët e vjetër, nga Platoni apo Aristoteli dhe siç është zhvilluar nëpër shekuj përgjatë hoveve etike dhe estetike që ka njohur qytetërimi modern, shoqëria e hapur, politika e re e përmasave të reja njerëzore dhe humane.
Ta ketë fjalën për katharsin, thua, por ka zgjedhur fjalën pastrim për të mos u dukur se po imiton Fatos Nanon, i cili në vitin 2001 pati ndërmarrë një tur të paharruar politik në shenjën e katharsisit, që e la në mes! Nuk duket se Rama ka në mendje katharsin. Po të ishte kështu, do të duhej të gjente fjalë të tjera, duke qenë se fjala pastrim i rri shumë ngushtë konceptit të katharsisit. Veç kësaj, nuk shohim të ketë asnjë shenjë dhe asnjë të dhënë që të tregojë se turi “Të pastrojmë Shqipërinë” është orientuar drejt një pastrimi, ndriçimi dhe ajrimi të natyrës shpirtërore apo etike.
Një lëvizje e tillë, po të ekzistonte vërtet, do të duhej të identifikonte disa “njolla” të zeza apo të murrme të ndërgjegjes politike aktuale dhe të vijonte me ndjesë dhe mea cupla për premtimet e braktisura, për krushqinë politike me njerëzit e botë së krimit, e tjerë. Katharsisis është individual në radhë të parë. Vetëm kështu rrezaton edhe në shoqëri. Bie, pra, edhe ideja e pastrimit si katharsis. Mbetet ideja e pastrimit politik, e eliminimit të kundërshtarëve të brendshëm dhe, për aq sa është e mundur, edhe e kundërshtarëve të jashtëm.
Kjo ide nuk ka në kontekstin e sotëm peshën e vjetër të tmerrit, por jehonat e kësaj relikeje famëkeqe të historisë vijnë vetvetiu në kujtesë: autodefetë e Inkuizicionit mesjetar në emër të pastrimit të fesë së krishterë nga heretikët, Revolucioni francez, ai “pisllëk tej e tej në emër të pastrimit dhe virtytit”, siç thoshte De Mestre, kur “Liria dhe Virtyti lidhen martesë me gijotinën”, siç ka shkruar Adam Mihnik; dhe pastaj me radhë holokausti nazist, vrasjet, burgosjet dhe deportimet staliniste dhe enveriste, “partia e pastër” që la Enver Hoxha para vdekjes, pasi vrau dhe preu sa mundi- të gjitha këto në emër të Pastrimit, Rendit të Ri, Botës së re, Rilindjes dhe paradigmave të tjera shëlbuese, që janë burimi i krimeve dhe mizorive më të mëdha që njerëzimi ka njohur.
Këto mizori e desemantizuan fjalën pastrim në politikë, duke i dhënë kuptimin e sinonimit me kobin. Dhe kështu pastrimi politik u bë formula e pisit. “Nuk ka qenie më të pista se këta, të pastrit”, shkrimtari i madh gjerman, Bertold Breht, qe shtyrë deri në një sentencë të tillë, duke pasur parasysh retorikën dhe plojën naziste. Sentencat e thella janë universale, të vlefshme në thelbin e tyre në çdo kohë. Natyrisht, nuk mund të bëhen sot krime politike masive në Shqipëri në emër të pastrimit. Nga ana tjetër, pastrimi si koncept dhe aksion politik ka dhe mund të këtë një domethënie pozitive në realitetin e ri të demokracisë.
Kjo kërkon qartësi të madhe nga subjekti që e ndërmerr për të shmangur çdo reminishencë me të kaluarën e luftës së klasave; kërkon kulturë të madhe për të mos ngatërruar me dashje apo nga budallallëku kufijtë e sundimit të ligjit me ato të lirisë dhe gjendjes njerëzore asnjëherë e bardhezi. Në turin e tij në hava “Të pastrojmë Shqipërinë”, Edi Rama po tregon se nuk ka as kulturën, as qartësinë e domosdoshme. Opozita, dhe madje edhe aleatja e tij, LSI, janë gjithnjë një ose shumë hapa përpara tij në sfidën pozitive për një pastërti më të madhe në politikë, që është koncept gjithashtu i ndryshëm, më realist dhe më human se koncepti jakobinist pastrim.
PD u bë nismëtare dhe ia doli të shtynte drejt konsensusit projektligjin e dekriminalizimit. LSI, ndoshta edhe në përgjigje të nënteksteve dhe sulmeve anonime të Ramës, shpalli tri pika që godasin në pikën e pastërtisë: të mos kandidojë individë me rekorde kriminale (që tani do të vendoset me ligj, por LSI e tha përpara); të mos kandidojë biznesmenë, një vendim radikal për një ndryshim radikal të imazhit që ka krijuar kjo parti dhe politika në tërësi; të publikojë online buxhetin dhe shpenzimet e Partisë, një masë që sigurisht nuk e zgjidh akoma çështjen e pagesave nën dorë për blerje votash, por që prek me një zgjidhje të parë nyjen nevralgjike të degradimit të jetës politike, atë të financimit të partive dhe shpenzimeve okulte.
Të tjerët po ecin me projekte konkrete, me nisma konkrete. Rama me propagandë. Së paku, të marrë guximin dhe pastrojë qeverinë e tij dhe administratën e tij nga të korruptuarit dhe të paaftët me damkë, që vendosin, që bëjnë ligjin. I ka në tenderët pa garë dhe me dorë të rëndë, i ka në dogana, i ka në tatime, i ka kudo. Të pastrojë brenda familjes, se jashtë saj nuk ka tagër, nuk bëhet dot gjykatës, edhe po të dojë. Në të kundërtën, nuk do na mbetej tjetër veçse të vazhdojmë të citojmë në një kontekst tjetër sigurisht frazën e Bertold Brehtit për pastrimin si formulë të pisllëkut.
/panorama/