• |
ide | kryesore

Katër mësimet e terrorizmit (2)

Arkiva, Ide
vetonnnn.jpg



5.

Shqiptarët nuk kanë ku të fshihen, siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që nuk e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull , çfarëdo që të jetë konsiderata për veten. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë individ, pa marrë parasysh në do ta quajë veten pjesë të një populli, një besimi a një kundrimi politik.

Terrorizmi i cili goditi sërish Parisin të premtën e 13 nëntorit të vitit 2015 është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, me pretendime të shtrirjes globale.

Ky konstatim duhej të ishte i llahtarshëm, por me kokë të esëllt shtrohet një kundërpërgjigje. Nëse shekulli XXI ka parë globalizim të papresedencë (të informatave, të tregjeve , të sëmundjeve si AID-si ) përse duhej të ishte e çuditshme që të paraqitet edhe terrorizmi në këto përmasa.

Dhe , ky vazhdon të jetë mësimi i parë i cili vazhdon të harrohet, vetëm për t’u përkujtuar pas çdo sulmi të këtillë. Aspirata e terrorizmit global është të kuptohet si i tillë;  pra që çdo njeri të ndihet i pasigurt kudo që është , sepse do të mund të jetë cak i sulmit terrorist. Duhet të ndihet i pasigurt kur punon në zyrën e tij në Wall Street, duhet të ndihet i pasigurt kur blen në supermarket apo kur shkon në koncert në Paris, duhet të ndihet i pasigurt kur del për shëtitje a treg në Beirut e Tunis apo kur niset me avion nga Sharm el Sheikh për në Moskë.  Duhet të ndihet i pasigurt ndërsa e lexon këtë tekst në Prishtinë a Tiranë.

6.

Terrorizmi është global poashtu, sepse ekziston kapaciteti teknologjik për të zhvilluar luftë globale. Lufta nga ajri nuk njeh pengesa kohore: një avion bombardues mund të niset prej bazës së vet në SHBA , të lëshojë  bombat në Ballkan apo në Lindje të Mesme dhe të kthehet mbrapa. Një pilot i "dronëve"  të armatosur, i cili rri para monitorit të vet në bazën ajrore të Floridas mund të urdhërojë goditjen me predhë në Afganistan, Jemen apo Irak, të përfundojë orarin e vet të punës dhe të kthehet në shtëpi për jetë familjare.

Por, kjo është rrugë dykahëshe. Sulmet që u bënë në SHBA më 2001, në Londër më 2005 apo Madrid më 2004 si dhe Paris gjatë këtij viti duan të tregojnë se edhe terrorizmi ka kapacitet të depërtimit global, siç ka armatimi i shteteve të mëdha. Dhe ky është mësimi i dytë.

Mësimi i tretë derivon prej të dytit. Shtetet e fuqishme kanë epërsi të jashtëzakonshme teknologjike në zhvillimin e luftës. Shembulli i bombarduesve apo dronëve, mbikëqyrja satelitore e zhvillimeve tek kundërshtari në kohë reale, interceptimi i komunikimit elektronik, anijembajtëset bërthamore – që të gjitha këto janë epërsi që tejkalojnë mundësitë e kundërshtarit.

Në momentin kur ekziston shpërpjesëtim i këtillë i jashtëzakonshëm mes forcave  të kundërshtarëve, krijohet lufta asimetrike, një nocion tashmë i vënë në funksion prej kohësh në shkencën e luftës.

Në këtë luftë asimetrike, kundërshtarët e fuqive të mëdha perëndimore (të marrim si shembull SHBA, Britaninë e Madhe dhe Francën) nuk kanë forcë t’i përgjigjen me të njëjtën masë (dronë, bombardues, etj), por shërbehen me mjete që i kanë në dispozicion, për të krijuar dëmin më të madh të mundshëm. Dhe mjeti të cilin kanë zbuluar se krijon efektin më të madh është terrorizmi.

 

7.

A është ky zbulim origjinal, se në luftë asimetrike terrorizmi është mjet që përpiqet të krijojë barazi frikësimi, një zbulim i cili tashmë lidhet, në paragjykim, me Islamizmin, arabët, apo Islamin në përgjithësi- varësisht prej interpretimit?

Të mos shkojmë më larg në histori e as të largohemi prej Lindjes së Mesme, prej nga gjenerohet në masë të madhe terrorizmi i sotëm global, e të marrim një shembull nga një këndvështrim tjetër. Kur nacionalistët hebrenj deshën të kundërshtonin atë që ata konsideronin si okupim britanik të tokës së tyre, një grup i organizatës Irgun vendosi më 1946 një bombë e cila shkatërroi Hotelin King David, seli e Administratës dhe Komandës Britanike në Jerusalem , duke vrarë oficerë britanikë e civilë të kombeve të tjera, gjithsej 91 sish. Ky njihet në literaturën e sigurisë si njëri prej sulmeve më të spikatura terroriste në shekullin XX. Anëtarët e kësaj organizate, Irgun, u quajtën terroristë, britanikët një ditë u detyruan të largohen (madje me dëshirë të madhe ) nga aty, ndërsa dy prej anëtarëve të kësaj organizate terroriste do të bëheshin më vonë kryeministra të Izraelit (Menahem Begin dhe Yitzak Shamir).

 

8.

Në qenka bomba në Hotelin King David të Jerusalemit e njëjtë me, për shembull, shpërthimin e kampit të marinsëve amerikanë dhe atyre francezë në Beirut më 1983 (me gati 300 të vrarë) ? Apo me shpërthimin e Parisit më 13 nëntor të vitit 2015?  Në, të gjitha këto raste, terrorizmi është mjet me të cilin pala më e dobët mendon se do të krijojë baraspeshën e frikësimit, thyerjen e vullnetit të palës tjetër.

Por, për dallim prej shpërthimit në Hotelin King David të Jerusalemit, shpërthimi i Beirutit të vitit 1983 do të fillojë një formë të re të sulmeve terroriste, të cilat do t’i shohim edhe më 2015 në Paris, e ato janë forma vetëvrasëse e sulmeve.

Edhe ky akt nuk është risi në historinë e luftërave. Në fjalorin e përditshëm, në medie, sulmi i Beirutit më 1983 dhe ai i Parisit në nëntor të vitit 2015 quhen "sulme kamikaze", për nder të metodës së përdorur të pilotëve japonezë, në fund të Luftës së Dytë Botërore, për të goditur me sulme vetvrasëse anijet e Marinës superiore amerikane.

Në analet e terrorizmit, ndërkaq, jeleku i parë i mbushur me eksploziv, si formë e "luftës asimetrike" nuk ishte shpikje e palestinezëve e ndonjë arabi apo myslimani tjetër. Për herë të parë u përdor nga një terroriste tamile (e lëvizjes "Tigrat e tamilit" të Sri Lankës, me ideologji marksiste-leniniste e bazë religjioze hinduiste) kundër ish kryeministrit indian Raxhiv Gandi më 1991.

Dhe ky është mësimi i katërt: nuk ekziston përcaktim religjioz a kombëtar i terrorizmit. Ai është një mjet (ç’është e vërteta i palegjitimuar nga Ligjet e luftës) i "luftës asimetrike".

 

 

*(Pjesa e dyte e shkrimit me 5 vazhdime per islamin shqiptar dhe terrorizmin. Nesër pjesa e tretë. me poshte pjesa e pare)