• |
ide | kryesore

Terrorizmi/ Pse ne jemi më të rrezikuarit?

Arkiva, Ide
vetonnnn.jpg



Si u gjetën shqiptarët në problemin e terrorizmit që thirret në Islam e që sipas dr.Robert Pape, duhej të ishte produkt i konfliktit të nacionalizmit arab me të tjerët?

Ekzistojnë, grosso modo, dy shpjegime kontekstuale.

I pari është shpjegimi historik, i dyti ka të bëjë me karakterin e shoqërive shqiptare.

Shpjegimi historik është se ka bomba e vrasje në Paris, frikë nga bomba e vrasje në Bruksel, alarme terrori gjithandej Evropës, sepse në pjesë e madhe e Lindjes së Mesme është ose pa shtet, ose pa shtete funksionale. Iraku është shtet i cili nuk mund ta quajë veten funksional prej Luftës së parë të Gjirit dhe ndërhyrjes së forcave aleate me amerikanët, e posaçërisht jo prej okupimit nga forcat amerikane dhe mungesës së plotë të kapacitetit për të administruar nga aspekti i jetës civile atë shtet.

Siria është shtet i cili ekziston vetëm formalisht si emër në OKB; përbrenda është krejtësisht jofunksional me pjesën të madhe të vendit të vënë nën kontroll (funksional) të një lëvizje ideologjike që e interpreton Islamin me ekstremizëm politik, një lloj internacionale fashiste religjioze e shekullit XXI.

Palestina e konsideron veten shtet, por nuk është më afër shtetësisë se ç’ka qenë kur janë shpallur Marrëveshjet e Oslos; rituali i luftërave me "joystick" kundër Gazës, përfshi edhe vrasjen e fëmijëve të saj, e dëshmojnë këtë.  Kurdët në Irak dhe ata në Siri kontrollojnë një pjesë të territorit të tyre me shpresë se ky kontroll do të krijojë shtetin e tyre të pavarur, diçka që Turqia republikane, prej Ataturkut deri te Erdogani e ka konsideruar si pamundësi.

 

14.

Kjo në histori quhet revidim i Luftës së Parë Botërore. Po ç’kanë shqiptarët e gjorë me këtë? Kanë përbashkësinë historike. Çintegrimi i Jugosllavisë solli shtete të reja, përfshi në fund edhe Kosovën e pavarur, një revidim i statu quos nga Lufta e parë botërore. Shqiptarët dhe sirianët, palestinezët, kurdët, libanezët ishin pjesë e një hapësire politike të përbashkët në fillim të shekullit XX. Dhe që të gjithë këta ishin në shoqëri me kroatët, sllovakët, ukrainasit dhe çekët ndërsa përfundonte Lufta e parë botërore; që të gjithë jetonin në perandori shumëkombëshe dhe që të gjithëve u caktoheshin kufijtë e shteteve ku do të jetonin.

Brenda njëzet vjetëve të kaluara, kjo përbashkësi kombesh që dolën si dolën nga Lufta e parë botërore ka prodhuar një lumë refugjatësh. Nga çintegrimi i Jugosllavisë, pastaj luftës në Bosnje, Evropën e vërshuan një milion qytetarësh të ish Jugosllavisë- kroatë, boshnjakë, shqiptarë, serbë, romë. Nga çintegrimi i Irakut dhe Sirisë, një valë e madhe disa milionëshe, një lum i pandërprerë po kalon nga Turqia për në Evropë. 

 

15.

Ky ishte konteksti historik, ai objektiv, pra interpretimi se nuk mund t’i ikësh valëve të historisë, atyre që sjellin dhunë e refugjatë.

Për më tepër, ky kontekst objektiv ende nuk ka përfunduar së ndërtuari. Nga hapësira shqiptare, Shqipëria është në NATO por jo ende e përgatitur të jetë me të dyja këmbët shtet i Bashkimit Evropian, një certifikatë e llojit të vet e të qenit pjesë e Perëndimit. Kosova dhe Maqedonia janë shtete që ende nuk e kanë përfunduar konfigurimin e tyre. Kosova është shtet i cili ende përpiqet të definojë sovranitetin e vet, duke u ndërlikuar edhe më në një proces negociator të koklavitur me Serbinë. Maqedonia ka bërë përparim të mëtejmë tek vendnumërimi, izolimi nga integrimi evropian dhe ai i NATO-s dhe në krijimin e dy sistemeve paralele, korruptive e klienteliste, një maqedonas dhe një shqiptar.

Në këtë kontekst hyn në kombinim karakteri i shoqërive shqiptare që definohet prej shteteve të papërfunduara, institucioneve të dobëta shtetërore, dobësisë së lidershipit politik dhe një skeme jete ekonomike që prej prodhimeve të veta eksportin më të madh e ka emigracionin dhe paranë e gatshme (në importim të çdo gjëje të nevojshme).

Pjesë e këtij karakteri është edhe pluralizmi religjioz, e brenda tij prania, ku më e madhe e ku më e vogël e Islamit, në formën e vet tradicionale.

Islamizmi , apo Islami politik, është përpjekur dhe ka arritur te depërtojë tek një numër shqiptarësh myslimanë (ende në pakicë). Në Maqedoni, vend ku autoritetet në komunizëm janë përpjekur prej dhjetëvjetësh të forcojnë identitetin religjioz të shqiptarëve në dëm të atij kombëtar (duke favorizuar arsimin religjioz në dëm të atij kombëtar), rrymat vehabiste dhe salafiste kanë punuar, në kushtet e stagnimit të një ri-aranzhimi marrëdhëniesh demokratike në Maqedoni që veten ta paraqesin si alternativë. Në Kosovë, përballë një strukture të korruptuar politike dhe sociale (të krijuar nga elitat lokale e me bashkëpunim të institucioneve Perëndimore), Islamizmi është përpjekur ta paraqesë veten si alternativë.

 

16.

Si ka mundur që nëpër derën e Islamit të futet një ideologji, Islamizmi? Njëri shpjegim është i pranisë shumëvjeçare të doktrinarëve islamistë, nëpërmjet të shoqatave bamirëse apo ndihmave në ringritjen e Islamit në Maqedoni e Kosovë. Ky ka qenë një presion pothuajse njëzetvjeçar, i financuar me paratë e disa vendeve të gjirit, në mesin e të cilëve kryesori është Arabia Saudite.

Si rrjedhojë, vjen i dyti shpjegim: bashkësitë islame në Maqedoni, Kosovë  dhe Shqipëri (kjo e fundit më e dobët se dy të parat për shkak se është institucion i prodhuar rishtas, në tranzicion) iu nënshtruan, sa më shumë e sa më pak këtij presioni. Dhe testi i këtij nënshtrimi qe lufta e Sirisë. Në vitin 2012, ashtu si e tërë bota, edhe Bashkësia Islame e Kosovës u përballë me nevojën që të kuptojë e të shpjegojë se çka po ndodhë në Siri. Nga kreu i Bashkësisë Islame u përcoll një qarkore me detyrimin që në xhamitë e Kosovës të mbahet një "hytbe" (ligjëratë) ku lufta në Siri do të shpjegohet nëpërmjet të rëndësisë së "Tokës së Shamit". Atë që e paralajmëroi që në titull, se Sirinë e sotme do ta trajtojë nëpërmjet të emrit të vjetër kuranor (ndonëse Shami përfshin edhe Irakun e Palestinën e sotëm)  Bashkësia Islame e elaboroi më tutje në tezat të cilat duhej t’i zhvillonin imamët.

Tezat mund të ishin të kësaj bote. Të thoshin, për shembull, se në Siri po ndodhë një luftë e tmerrshme, në të cilin pushteti po vret një popullatë e cila i kërkon të drejtat e veta demokratike. Vrasja në emër të pushtetit, a cilado vrasje është në kundërshti të thellë me Islamin dhe porosinë e saj për paqe. Këtë e di mirë populli i Kosovës, populli shqiptar në veçanti. Siç e di që kur pushteti vret popullin e vet, në emër të Islamit a jo, nuk mund të qëndrojë në këmbë për gjatë.

Por, tezat ishin krejt të tjera. Imamët duhej të tregonin se pse Siria është toka e përzgjedhur e Allahut, se pse gjendet aty shtylla e besimit Islam dhe se si meleqet (engjujt) e Allahut i kanë shtrirë krahët e tyre. 

Dhe imamët e përmbushën këtë detyrim. Në xhamitë e Kosovës, më 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, besimtarëve iu deklamua se Pejgamberi ka thënë "Synoni-Mësyjani Shamit sepse ajo është Toka e përzgjedhur nga Allahu, aty i vendos robërit-besimtarët e Tij më të mirë".

Deri më sot, 300 shqiptarë të Kosovës janë nisur për në Siri, me besimin (dhe ndërmjetësimin intelektual të Bashkësisë Islame të Kosovës)  se aty i ka dërguar vet Allahu si robërit e Tij më të mirë.

 

 

17.

Në momentin kur imamët kosovarë filluan predikimet e tyre për "tokën e Shamit", bënë një kapërcim të rëndësishëm konceptual, teologjik dhe politik. Islami tradicional shqiptar është ndërtuar mbi traditën e bashkëkohësisë, logjikë e shkollës Hanefi të interpretimit të Islamit. Kjo do të thotë që fenomenet e sotme duhej të interpretohen jo nëpërmjet të leximit tekstual të Kuranit, por nëpërmjet të logjikës, brenda kornizës teologjike Islame.

Bashkësia Islame, ndërkohë, zgjodhi interpretimin tekstual, pra të kuptuarit e fenonemeve të këtoditshme me citim të tekstit Kuranor. Dhe ajo që qe fillim i një lufte mes regjimit të Assadit dhe kundërshtarëve të tij u shndërrua në "hytbe" si pjesë e Luftës së Kijametit, Luftës kataklizmike. Sepse, vetëm në atë kontekst, pra të  Luftës së fundit të botës, hyjnë citatet e Shamit, shtrirjes së krahëve të meleqëve dhe thirrjes që besimtarët më të mirë të shkojnë në luftë.

Dhe, kështu i bëri një shërbim të mirë ISIS-it,i cili demonstron në skajshmëri se si ndërtohet  ideologjia mu duke keqpërdorur këtë (dhe cilëndo) pjesë të tekstit Kuranor dhe duke e shndërruar veten në forcën që do të zbatojë  fjalë për fjalë atë që është shkruar në Kuran.

Bashkësia Islame e Kosovës, me apo dashje, e cënoi një traditë qindavjeçare të Islamit shqiptar, për t[ia hapur rrugën versioneve më konservatore të botës arabe, atyre vehabi dhe salafi.

 

 

18.

Rreziku i vehabizmit dhe salafizmit mund të matet me dhunën e ISIS-it dhe këtu pa dyshim se ka shumë qytete e kombe më të rrezikuar se shqiptarët. Por, jashtë terrorizmit, shqiptarët janë kombi më i rrezikuar në Evropë ngase ISIS, gjegjësisht vehabizmi dhe salafizmi prekin në thelbin e tij. Duke qenë kombi i cili është ndërtuar duke integruar religjionet në vete, e jo duke u ndërtuar nën ombrellën e një religjioni, identiteti kombëtar shqiptar nuk lejon që njëri religjion të zhvillojë dominim mbi të tjerët . Në interpretimin vehabi dhe salafi, myslimani është pjesë e një umma-je (një Bote myslimane) që është mbi kombet. Rjedhimisht, me këtë interpretim, identiteti fetar i myslimanit shqiptar është mbi identitetin e tij kombëtar.

ISIS këtë besim po e ndërton me një përcaktim racional strategjik. Terrorizmi dhe dhuna të cilën e përdorë nuk janë vetëm, nga aspekti taktik, metoda të luftës asimetrike. Ato janë pjesë e strategjisë, e krijimit të vetëdijshëm të distancës mes myslimanëve dhe "të tjerëve". Çdo vrasje e "të tjerëve" duhet të nxisë animozitetin ndaj Islamit deri në Islamofobi  dhe duhet të shërbejë që myslimanët të lidhen, si në çdo konflikt, me njërën anë. Me atë të "tyren". Dhe, njëherë të lidhur me "anën e tyre", të bëhen objekt i trajtimit me paragjykim që ndërton Islamofobinë.

Islamizmi dhe islamofobia, kështu, janë të përcaktuar që ta ushqejnë njëri tjetrin.

Në Francë, Belgjikë, Britani kjo strategji duhet të nxisë distancën mes myslimanëve të atyre vendeve, që duke qenë imigrantë, apo fëmijë imigrantësh, ende nuk janë integruar në tërësi, apo sapo e kanë kaluar atë prag. Por, tek shqiptarët, religjionet e të cilëve nuk kanë ardhur me popullata imigruese e postkoloniale, përpjekja për krijimin e ndasisë mes myslimanëve dhe të tjerëve (madje edhe mes myslimanëve "salafi", dmth, zbatuesve të fjalëpërfjalshëm të Kuranit dhe tradicionalistëve hanefi) prej drejtpërsëdrejti në trupin kombëtar,  godet një pjesë esenciale të identitetit kombëtar shqiptar, pluralizmin e tij të natyrshëm.

 

19.

Shqiptarët mund të lexohen si mikrokozmi i dëmeve të projektit të ISIS-it. Projekti, si çdo ideologji tjetër fashiste, ka të bëjë me pamundësimin e pluralizmit (në këtë rast religjioz). Myslimani, sipas ISIS-it, duhet të zhvillojë betejën e armatosur kundër të tjerëve, aty ku ai jeton; jo të bashkëjetojë me të tjerët, aty ku ai jeton. Më tej, myslimani nuk mund të ketë intepretim tjetër të Islamit, pos atij të diktuar nga ideologjia zyrtare e ISIS-it, ajo e vendosur në Luftën kataklizmike të fundit të botës.

Operacionet terroriste të zhvilluara në Paris, andaj, zhvillohen nga qytetarë të vendeve evropiane, me prejardhje arabe e të vendeve të Afrikës së Veriut e në lidhje organizative me organizatat terroriste në Irak dhe Siri (e të tjera simotra). Në rrjedhën logjike të strategjisë ushtarake të Islamizmit,të zhvillimit të luftës globale për të ndarë myslimanët prej të tjerëve (pastaj edhe të disiplinimit ideologjik të vet myslimanëve) shqiptarët që sot luftojnë në ISIS mund të jenë, së bashku me operativët që nuk kanë shkuar në Siri e Irak "njësitet" që duhet të krijojnë vijën ndarëse mes myslimanëve e të tjerëve ndër shqiptarë.

Si mund të jenë të rëndësishëm një grusht shqiptarësh në hartën e popujve evropianë, aty ku ka më shumë caqe të rëndësishme, në metropole botërore?

Sepse shqiptarët janë model funksional i pluralizmi religjioz- janë mohim i gjallë i tezës fillestare të ISIS-it dhe ideologëve të tij se Islami nuk mund të bashkëjetojë me të tjerët pos nëse nuk sundon mbi ta, madje se Islami nuk mund të ketë bashkëjetesë të brendshme të interpretimeve të ndryshme të të njëjtit tekst të konsideruar të shenjtë.

Sepse kështu, shqiptarët në sytë e ISIS-it janë Perëndim.

 

20.

Rreziku Islamist nuk do të ikën vetvetiu. Nuk do të na kalojë manash ne shqiptarëve. E as të kalojë nëpër një vis shqiptar e të mos kalojë kah tjetri; brenda një konteksti gjuhësor e kulturor është e pamundur të bllokosh edhe komunikimin religjioz. Islamizmi është tash i pranishëm në të gjitha shoqëritë shqiptare dhe janë dy gjëra që nuk do ta shporrin nga ne. E para është mbështetja vetëm tek organet e sigurisë. Këto institucione pa dyshim duhet të merren me dimensionin e kërcënimit të sigurisë që bart më vete radikalizmi fetar, por bazat e këtij veprimi janë mendore e shpirtërore, janë pjesë të predikimit fetar.

Rrjedhimisht gjëja e dytë që nuk do ta shporrë nga ne është paragjykimi mbi Islamin. Të konsiderosh se Islami vetvetiu krijon ISIS-in kontribuon që ISIS-i menjëherë t[i konsiderojë ushtarë të vetët çdo shqiptar që e ndien veten mysliman apo që ka prejardhje prej familjeve që dikur mund të ketë qenë myslimane. Për më tepër, krijon ndër shqiptarë një kompleks të panevojshëm inferioriteti. Shqiptari nuk ka pse të turpërohet nga identiteti i vet evropian, çfarëdo feje t[i përkasë.

Por, dy gjëra të tjera mund të ndihmojnë izolimin dhe shporrjen e islamizmit nga ne. Një, forcimi i traditës bazike të shqiptarizmës, që integron brenda kombit dhe shteteve tona që të gjitha identitetet, përfshi edhe ato fetare. Kjo traditë mbahet me relacionin e shëndoshë të ndarjes së shtetit prej fesë.  Pra Islami është pjesë e traditës së kombit dhe shtetit, po aq sa religjionet tjera, po aq sa format tjera të shprehjes kulturore-identitare. Dhe si i këtillë, Islami shqiptar duhet të mbrohet- me më shumë dije, më shumë kreativitet, me thellim më të madh shkencor e filozofik-nga sulmi i vehabizmit dhe salafizmit.

Dy, forcimi i institucioneve të demokracisë, të shtetit funksional, e brenda tij edhe të institucioneve fetare. Sfida për një gjë të tillë është shumë e madhe, jo vetëm se jetojmë momentin historik çfarë po e jetojmë në zhbërjen e shteteve dhe balanseve të krijuara në Luftën e parë Botërore. Sfida është e madhe sepse forcimi i institucioneve të demokracisë është i lidhur ngushtë me përcaktimin strategjik të shoqërive shqiptare për anëtarësim në Aleancën Atlantike (NATO,BE), një Aleancë e cila edhe vet po sfidohet me një dimension global që po e krijon shembja e shteteve dhe ideologjia e islamizmit global që po identifikohet me ISIS-in.

Sfidat shqiptare janë globale, janë sfida të Aleancës së shteteve demokratike. Por, për shqiptarët në veçanti, kanë dimension të kurrizit kombëtar.

·         *Keto jane dy pjeset e fundit te ciklit Shqiptarët pas sulmit terrorist të Parisit