• |
ide | kryesore

Propozim martese LIVE te “Kënga Magjike” (foto)

Arkiva
sefgggg.jpg



Një djalë i ka propozuar live në Kënga Magjike vajzës që ai dashuron. Luli është emri i djalit nga Puka, i cili i ka bërë të dashurës së tij, Marsit, nga Pogradeci, propozimin e martesës në skenën e Këngës Magjike. Ai i është ulur në gjunjë në sytë e të gjithë publikut dhe shikuesve, duke e bërë atë të mallëngjehet dhe të thotë pa asnjë dyshim ‘po’.

Ndërsa motra e djalit e kishte nxjerrë Marsidën në hollin e Pallatit të Kongreseve me pretekstin se ndihej keq, Ardit Gjebrea ka përfituar që të pyesë Lulin se si janë njohur.  Luli ka rrëfyer se prindërit e vajzes nuk e kishin dashur pasi ai ishte ‘malok, katolik, pra pa asnjë pikë lidhjeje’. Për një kohë të gjatë kishin bërë sakrifica, duke u dashur që vajza të shkonte çdo ditë deri në Lezhë, ku jetonte Luli, për të ndenjur me të. Ai tregoi se Marsida i kishte pëlqyer shumë që herën e parë që e kishte parë në lokalin ku ai ishte menaxher, dhe ishte përpjekur t’a gjente në çdo lloj mënyre, duke u shkruar të gjitha vajzave bjonde me emrin Marsida në Facebook.

Më pas, me ndihmën e motrës së Lulit, Marsida hyri brenda, dhe Arditi e thirri të ngjitej në skenë. Ndërsa vajza i drejtohej skenës, mbrapa saj qëndronte koreografja e Këngës Magjike. Për t’a bërë të dukej rastësore, Gjebrea i tha se e kishte pasur fjalën për Marsidën, koreografen e Këngës Magjike, e cila interpretoi një kërcim romantik së bashku me balerinin Endri. Megjithatë Arditi i kërkoi Marsidës, të fejuarës së Lulit, të qëndronte ndërkohë me të, dhe ulur në kolltuk, i bëri disa pyetje mbi veten, përfshirë edhe lidhjen që kishte me të dashurin. Në atë moment Luli hyri nga shkallët duke i qëndruar mbrapa. ‘Si e ke imagjinuar ti propozimin?’, e pyeti Gjebrea Marsin, ndërsa Luli e thirri 'zemër', duke e lënë vajzën pa fjalë. ‘A do të martohesh me mua?’, i propozoi ai duke u ulur në gjunjë të dashurës së tij. ‘Nuk e kisha pritur kurrë se mund të ishe ti që të më bëje një surprizë të tillë. Jam shumë e lumtur. Po, pranoj!’, tha Marsida.

Luli kishte kërkuar që propozimin t’ia bënte publikisht tek ‘Ka një mesazh për ty’, në ‘E Diela Shqiptare’, por do të ishte Kënga Magjike vendi ku do të bëhej propozimi më i veçantë në televizionet shqiptare. Shfletoni galerinë për të pare emocionet që u përjetuan live në Këngën Magjike!/anabel/