• |
ide | kryesore

Portret/ Marin, gruaja që rrezikon Francën

Arkiva, Planet
le-pen.jpg



Pushtet lokal? Aspak. Rëndësia e vërtetë e zgjedhjeve rajonale në Francë lidhet me zgjedhjet presidenciale të 2017-ës. Marine le Pen, udhëheqësja fitimtare e Frontit Nacional, do ta përdorë suksesin e madh, si trampolinë për t’u “hedhur’ drejt pallatit presidencial.

Për Zonjën e Zezë, që shkon përtej 40%-shit në rajonin e Picardie-Nord-Pas-de-Calais, fitorja e transformon qeverinë e saj në një “forcë qeverisëse”, e gatshme të transferohet në qendër të pushtetit. “Eshtë revolta e popullit kundër elitave – ka thënë udhëheqësja e Frontit Nacional për RTL-në. Qytetarët nuk e durojnë dot më përçmimin e një klase politike që për vite të tërë ka mbrojtur interesat e veta, dhe jo ato të popullit”.

Në sytë e Le Pen, kjo fitore në zgjedhje lokale sanksionon “futjen përfundimtare” të Frontit Nacional në familjen e “partive të mëdha” transalpine. “Jemi të pandalshëm”, thoshte që gjatë ditëve të fundit Marine. E cila ka në kokë një gjë të vetme. Dhe sigurisht, jo presidencën Nord-Pas-de-Calais, por garën presidenciale të 2017. “Do të rifitojmë territoret e humbur të Republikës”, ka thënë dje, duke komentuar rezultatet e parë dhe lëshuar slogane me tone pothuaj presidenciale. “Vive la France, Vive la Rèpublique francaise”. “Vendi është nënjë situatë dramatike, sa i përket krijimit të pasurisë – ka shpjeguar për RTL-në – dhe tani, populli francez ka dëshirë për ndryshim”.

Rezultati i zgjedhjeve rajonale është shumë i rëndësishëm për të parashtruar raportet e forcës në brendësi të qendrës së djathtë. Deri pak javë më parë, republikanët e udhëhequr nga Nicolas Sarkozy shpresonin në një “ortek” neogolist. Për ish kreun e shtetit, i zgjedhur pak më shumë se një vit më parë në krye të partisë, bëhej fjalë edhe për t’u imponuar brenda partisë, kundër sfidantëve. E megjithatë, tre javë pas tronditjes së atentateve xhihadistë të 13 nëntorit, shumë zgjedhës potencialë kanë shkuar drejt të djathtës ekstreme lepeniste. Duke dobësuar pozicionin e Sarkozysë dhe forcuar atë të sfidantëve të tij, në zgjedhjet e brendshme që mbahen vjeshtën e ardhshme. Duke nisur nga Alain Juppe, ish kryeministër dhe kryebashkiak aktual i Bordosë.

Mes socialistëve, fjala kyçe është rezistencë, rezistencë, rezistencë. Shumica që deri sot qeveriste në 21 rajone nga 22 (edhe pse reforma elektorale i ka reduktuar në 13), gjendet në një situatë shumë të vështirë. Në Francën e pas atentateve, rritja e jashtëzakonshme e popullaritetit të Hollande, nuk solli impaktine  dëshiruar pozitiv për kandidatët socialistë në zgjedhjet rajonale. 16 muaj nga zgjedhjet presidenciale, PS duhet të rindërtojë gjithçka. Kthesa “neoliberale’ e kryeministrit Manuel Valls duket se nuk ka shpërblyer. Në sytë e shumëkujt, një aleancë e re me ekologjistët dhe të majtën radikale duket më se e domosdoshme.

Në Paris, shumëkush mendon se përparimi i lepenistëve mund t’i shkojë për shtat Hollande. Në rast të një balotazhi të mundshëm kundër saj në garën presidenciale, do të ishte ai në pozicion të avantazhuar. Në atë rast, do të përsëritej skenari i 2002, me Jacques Chiracun që u gjend në raundin e dytë përballë Jean-Marie Le Pen. Atë ditë, shumë socialistëve iu desh të “mbyllin hundët” dhe të votojnë për kandidatin neogolist. Këtë herë mund të verifikohet skenari i kundërt, me të djathtën e moderuar që është e detyruar të mbështesë socialistin në emër të “paktit republikan”. Një hipotezë që nuk duhet marrë e sigurtë. Sot, PS është copë-copë dhe loja është e gjitha për t’u luajtur./ IlGiornale-Bota.al