• |
ide | kryesore

Si mbërriti Franca deri këtu ?

Arkiva, Ide
marine-le-pen_245043k.jpg



Pas zgjedhjeve të fundit europiane ( ku mori 25%) dhe disa garave elektorale me rradhë, Fronti Kombëtar në Francë po vazhdon marshimin përpara.

Në turin e parë të zgjedhjeve rajonale, të dielën në 6 dhjetor, partia e ekstremit të djathtë realizoi një performancë të panjohur më parë.

Ajo nuk arriti të marrë vetëm 27.8 përqind të votave të të gjithë francezëve, duke u ngritur mbi opozitën e republikanëve të djathtë dhe mbi socialistët në pushtet, por ajo doli në krye të 6 prej 13 rajoneve të Francës metropolitane.

Kjo valë « blu  Marinë » (si emri i lideres së partisë fituese Marine le Pen /ne foto lart/ – shenimi lapsi.al) e paralajmëruar nga sondazhet e opinionit është shumë shqetësuese 18 muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Pyetja që shtrohet është : si arritëm deri këtu ?

Si është e mundur që kjo parti reaksionare dhe ksenofobe që mishëron një ideologji të kundërt me vlerat e Republikës, që bën një demagogji të rrezikshme, të jetë parë si zgjidhje nga një francez midis katër të tillëve ?

Si është e mundur që ajo të drejtojë fatet cerekut të francezëve nëse të dielën e ardhshme i konfirmon rrezultatet e saj në Lindje, Veri dhe Jug ?

Stuhitë e vjeshtës

Që prej javësh stuhitë e vjeshtës kanë shpënë ujë në mullirin e frontit Kombëtar.

Mbërritja e refugjatëve nga lufta në Siri dhe Irak në portat e Europës, pastaj atentatet e 13 nëntorit në Paris, i kanë lënë mundësinë asaj të spekullojë duke ngatërruar enkas temat e emigracionit të përhershëm me atë të krizës aktuale të emigrantëve, Francën si vendi më i madh pritës i muslimanëve me atë të rrezikut terrorrist.

Tek një vend pa busull dhe plot ankth ky koktej i qëllimshëm nuk kaloi pa u ndjerë.

I prekshëm që në fillim të vjeshtës, i shtuar edhe më shumë pas 13 nëntorit, ai krijoi një dinamikë të pandalshme në favor të zonjës Lë Pen.

Por, e keqja është më e thellë. Nuk ka dyshim se partitë e mëdha që kanë udhëhequr Francën prej shumë e shumë kohësh janë tërësisht fajtore. Ato nuk arritën ta nxjerrin vendin nga ankthi dhe depresioni ku është zhytur. Dhe njëra palë edhe tjetra nuk ditën ti propozonin një projekt shoqërie që ti jepte besim në forcat e veta, në kohezionin dhe të ardhmen e saj kolektive.

 Kjo është e vërtetë për të majtën e cila prej tre vjetësh nuk arriti ta zvogëlojë kurbën e papunësisë ashtu sikurse kishte premtuar, por e shtoi atë me 700 mijë të papunë më shumë që prej vitit 2012 (Kur Holande fitoi ndaj ish presidentit të djathtë Sarkozi/ Shënim i Lapsit).

Por, edhe e djathta që qëndroi plot dhjetë vjet në pushtet nuk mund ti shmanget përgjegjësive. Me të kaluar iluzioni i zgjedhjes së Sarkozisë në vitin 2007, ajo nuk diti ti kurojë plagët prej të cilave vuan vendi.

Edhe kur flitet për pasigurinë ekonomike të një vendi që nuk njeh më rritje, edhe kur flitet për pasigurinë shoqërore që ka prekur miliona familje, edhe kur flitet për pasigurinë “kulturore” të një France që dyshon tek vetvetja apo për pasigurinë e vërtetë të shtuar prej terrorrizmit, e djathta dhe e majta janë njësoj fajtore.

Eshtë fakt që ato dështuan të japin zgjidhje në lartësinë e këtyre sfidave dhe rreziqeve.

 

Të gjitha këto cështje ekzistenciale ato duhet ti përballin nëse duan vërtet që ta ndalojnë valën në rritje të Frontit Kombëtar. Për një kohë të shkurtër ato nuk mund të bëjnë asgjë më shumë sesa të përpiqen të zvogëlojnë dëmet deri në raundin e 13 dhjetorit. Kjo nënkupton mobilizimin e zgjedhësve që nuk e panë të nevojshme të votonin në raundin e parë. Për këtë e majta duhet të ribashkohet duke flakur tejë sherret e vjetra kombëtare. Për këtë e djathta nuk duhet ti shmanget thelbit – ti vërë barriera Frontit Kombëtar – dhe pastaj të mendojë për të mundur të majtën.

Megjithëatë, edhe këto masa të përkohshme nuk mjaftojnë për gjatë. Franca ka nevojë për një rindërtim të thellë.

/Editorial i le Monde për gazetën e datës 8 dhjetor/ Përgatiti Lapsi.al