Në Shqipëri prej kohësh mbizotëron një rregull i pashkruar: mediat e kërkojnë fajin tek opozita. Pak a shumë kështu ndodhi edhe këtë herë me historinë e famshme të bunkerit.
Disa prej tyre filluan të publikojnë me tituj të mëdhenj shifrat për faturat e dëmeve që i ishin shkaktuar pronës publike. E zbuluan papritmas këtë ndjeshmëri ndaj saj, sepse nuk e kishin treguar aspak kur, në po të njëjtin miting, u fol për paratë që i mungojnë buxhetit nga tatimet dhe doganat, për tenderat e shokëve dhe koncesionet qindramilionëshe.
Disa të tjera e çuan edhe më në grotesk shqetësimin e tyre, duke krijuar një fabul me deputetin babaxhano- piktoresk të parlamentit shqiptar, i cili shkoi tek bunkeri të shijonte një picë në furrë druri. Por zjarri i vënë nga opozita ishte fikur, ashtu siç janë fikur për këto media edhe denoncimet e Kaubojsit, se Rama e mashtroi për t'i grabitur paratë për fushatë.
Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte tentativa e fundit për të "kapur" PD-në në kontradiktë me qëndrimet e ndryshme që ka ndaj bunkerëve. Mediat e varura nga qeveria, filluan të ripublikojnë imazhe dhe foto nga një tjetër bunker, që Basha dhe Berisha e kanë inaguruar me pompë. Atë që ndodhet përballë kryeministrisë dhe hotel Rognerit.
Dhe konkluzioni i tyre qe: PD nuk e ka me bunkerët, kjo është thjeshtë një lojë. PD po instrumentalizon ish të përndjekurit, se kur qe puna, ajo vetë e inaguroi një "bunker artistik".
Vetëm kur lexon dhe dëgjon këto argumente e kupton se me sa lehtësi, injoranca dhe padija mund të vihet në shërbim të pushteteve. Vetëm kur je para tyre, e ke më të lehtë të dallosh se si servilizmi flirton me budallallëkun.
Sepse mes dy bunkerëve, "atij të kohës Basha- Berisha" dhe këtij "të erës Rama", nuk ka asnjë lloj ngjashmërie.
Bunkeri tek ministria e Brendëshme është një monstër betoni e ngritur rishtas, një riprodhim kitch dhe pa vlerën e një relike të kohë së Enverit. Ndërsa bunkeri i dytë është origjinal, i vendosur aty prej vitesh dhe i rrethuar në mënyrë konceptuale nga një pjesëz e murit të Berlinit dhe një skelet i galerive të tmerrshme të Spaçit.
Bunkeri te ministria është një përpjekje sipërfaqësore e delirit individual të Ramës për të gënjyer turistët e huaj që kalojnë nga qendra. Ai është në vargun e një sërë aktesh të tilla aspak kolegjiale që duan të kurojnë deliret e artistit të dikurshëm përmes postit të kryeministrit. Bunkeri tjetër është vepër e artistit Ardian Isufi dhe shkrimtarit Fatos Lubonja. Që në pamje të parë ai duket se nuk ka për qëllim butaforinë dhe dukjen, por thjeshtësinë dhe reflektimin.
Bunkeri i Ramës është pjesë e një strategjie të tërë; me ringjalljen e shtëpisë me gjethe, me rihapjen e tuneleve të Dajtit, me ngritjen e dhomës së vjetërsirave në kryeministri. Natyrisht me të gjitha këto nuk mund ta akuzosh shefin e qeverisë si nostalgjik të komunizmit. Ai nuk e ka dashur dhe e përçmon atë rregjim. Por në të kundërt ai po e përdor në mënyrën më banale trashëgiminë e tij. Sipërfaqësor deri në dhimbje, ai do ta shesë atë thjesht si suvenir.
Ndërsa "bunkeri" që i atribuohet kohës së PD-së, nuk është pjesë e një projekti "rilindjeje", por një vepër e veçuar e cila duke bashkëvendosur edhe karkasat e Spaçit përkrah mbetjeve të murit të Berlinit, do të na tregojë se vuajtja e veçantë e viktimave të komunizmit në Shqipëri, ishte pjesë e një utopie marramendëse botërore.
Ka dhe shumë argumente të tjerë se përse midis këtyre dy "bunkerëve" nuk ka vend për ngjashmëri dhe krahasim. Ato mund t'i bëjnë kritikët e artit dhe estetët. Por edhe këto besoj se janë të mjaftueshme për të ritreguar një gjë që tashmë e dinë të gjithë: se si mediat e shtuara pro qeveritare mund të gërmojnë kudo për t'i shërbyer pushtetit.
Dhe për të bërë këtë, nuk i tremben as guximit të injorantit për të hyrë në një debat estetik, as frikës së shërbëtorit për të mos shkuar më larg seç duhet dhe as turpit se mund të dalin bllof.
Natyrisht që një qëndrim të tillë nuk e mbajnë as për bindje morale dhe as për edukim estetik. Reshtohen kështu në krah të piktorit kryeministër se duan t'i rrëmbejnë që nga tunelet e Dajtit e deri tek trojet e bregdetit.
Dhe për ta arritur këtë duhet të bërtasin: fajin e ka opozita. Duhet të çirren se Bashës i ka mbetur edhe një "bunker" për t'u djegur: ai që konceptoi Ardian Isufi dhe Fatos Lubonja.
Lapsi.al