• |
ide | kryesore

Qyteti me një sekret të errët, ende të pasqaruar

Arkiva, Planet
qy.jpg



Brixhendi është një qytet i bukur buzë lumit  Ogmor në Uells. Por, ky qytet fsheh një sekret, i cili i ka veshur në të zeza shumë nëna, e të cilin as shkencëtarët nuk dinë ta shpjegojnë
 
Dale Crole kishte vetëm 18 vjet kur e vari veten në një magazinë të papërdorur. Më pas, shoku i tij më i mirë David Dealing (19) e vari veten në një pemë, para kishës.
 
Po ashtu, disa ditë më vonë, shoku i tyre i përbashkët, Tom Davis (20) e vari veten në të njëjtën pemë. Përnjëherë, kjo qytezë u gjet në mes të një epidemie të vetëvrasjeve të të rinjve.
 
Midis viteve 2007 dhe 2009 vetëvrasje bënë 25 persona, ku 24 prej tyre jetës i dhanë fund me varje. Nga viti 2012 e deri më sot, në territorin e Brixhendit kanë ndodhur edhe 79 vetëvrasje.
 
Një rast tjetër
Në një mëngjes të prillit, të vitit 2009, Michelle Stephenson hapi dritaren e banjës së katit të dytë të shtëpisë së saj, me qëllim të ajrosjes. Vetëm para pak më shumë se një viti, vajza e saj Kelly, e mençur, e bukur, vetëm 20- vjeçare, i kishte dhënë fund jetës së saj duke u varur në shtëpinë e axhës së saj, disa orë larg vendlindjes së saj, Brixhens. Michelle dhe burri i saj, Dean, kishin qenë te një psikolog, ku dukej se kishin filluar ta tejkalonin dhembjen për humbjen e vajzës. Por, kur Michelle shikoi nga dritarja pa se burri i saj, Dean, 41- vjeçar, e kishte varur veten në oborr të shtëpisë, duke përdorur litarin e karriges luhatëse të vajzës së tyre 3- vjeçare. Ishte i biri i saj, Dale, i cili i ndihmoi asaj për ta zbritur burrin e vdekur nga pema. Dale, ai nga fillimi i këtij tregimi, i cili më pas edhe vetë do të bënte vetëvrasje.
 
Në kërkim të shkakut
Prindërit për këtë fajësojnë edhe mediet, duke thënë se ato ndikojnë te fëmijët e tyre, të cilët ndoshta tanimë mund të jenë depresivë, për shkak të tërë atyre artikujve rreth vetëvrasjeve në këtë qytet. Kështu ata gjejnë zgjidhje për vuajtjet e tyre, duke e ditur se edhe ata do ta tërheqin vëmendjen. Duket se edhe policia mendon kështu, sepse në vitin 2010 kërkoi nga mediet që të mos i publikonin lajmet rreth vetëvrasjeve.
Një teori tjetër ka të bëjë me paraqitjen e ndonjë sekti vetëvrasës. Por, nuk ka asnjë dëshmi të fortë për këtë pohim. Një adoleshent për këtë dukuri fajin ia vë mërzisë në këtë qytet, meqë, sipas tij, njerëzit nuk dinë çka të bëjnë me veten e tyre.
 
Ky fenomen mund të jetë edhe shembull i asaj që psikologët e quajnë efekti i Wertherit, ku vetëvrasjet ndodhin në grup. A ka mundësi që këto vrasje të jenë vepër e ndonjë vrasësi serik? Apo, mos kemi të bëjmë me ndonjë pakt sekret të të rinjve, që të takohen bashkë në botën tjetër? Edhe pse të gjitha opsionet janë të mundshme, askush nuk e ka të qartë pse një numër kaq i madh i njerëzve i kanë dhënë fund jetës së tyre me varje, e nuk ishin përcaktuar për ndonjë mënyrë tjetër të vetëvrasjes