• |
ide | kryesore

Deshmia/ A e burgosën Fatos Nanon amerikanët?

Arkiva, Dossier
nano gjyq.jpg



Burgosja e liderit socialist Fatos Nano në verën e vitit 1993 ka ruajtur shpesh një tis misteri. Nga njëra anë dihej se urdhëruesi i saj direkt ka qenë ish presidenti i kohës, Sali Berisha, por nga ana tjetër gjithmonë ka pasur dyshime se pas tij fshiheshin edhe diplomatët amerikanë në Tiranë. Madje thuhej se kjo fatkeqësi i kish ardhur Nanos, pasi firmosi një deklaratë të përbashkët me liderin e vjetër të Pasokut, Papandreu, sipas motos “Ballkani i ballkanasve”.

Zyrtarisht Nano akuzohej se i kish shkaktuar shtetit 9 milionë dollar dëme gjatë kohës kur ishte kryeministër, pasi kishte favorizuar një biznesmen Italian që lëvronte ndihmat e Shqipërisë. Pas arrestimit – në atë kohë- thuhej se ishin ambasadori Uilliam Rajerson dhe zëvendësi i tij që me pas do të kishte një karrierrë të shkëlqyer në diplomacinë amerikane, Kris Hill.

Këto pandehma i ka shtuar më shumë edhe vetë Fatos Nano me intervistat e tij ku akuzonte direkt këta personazhe. Është bërë proverbiale shprehja e tij “Me thikë në dhëmbë” për Hillin.

Në një fjalim dy ditë përpara arrestimit më 27 korrik, ai akuzoi se “diplomatë si [Chris] Hill-i dhe [ambasador] Rajersoni … pasi i kryen karrierat e tyre në CIA dhe Beograd, e vunë skenarin në tavolinën e Berishës”.

Po si qëndron në fakt e vërteta?

Në librin e tij të sapobotuar në shqip “Shqipëria e re”, Fred Abrahams përpiqet të hedhë dritë edhe mbi këtë ngjarje. “Ambasadori Rajerson e mohoi që Amerika të kishte qenë në ndonjëfarë mënyre e përzierë, por më tha që ai dhe Chris Hill-i “ishin të bindur që Nanoja ishte hajdut” shkruan Abrahams në libër, pas intervistës me ish ambasadorin.  Ai ka pyetur po ashtu edhe Kris Hillin. “Chris Hill-i e mohoi me këmbëngulje që Uashingtoni të kishte propozuar ose nxitur arrestimin e Nanos. “Është e pakonceptueshme që ndokush në qeverinë amerikane të ketë thënë që kjo ishte ide e mirë”, më tha ai. Pyetja ishte se çfarë duhej bërë me këtë çështje. “A do ta kundërshtonim [Berishën] në publik apo do të arsyetonim me të kokë më kokë?”, pyeti ai. “Ne në përgjithësi e menduam që të arsyetonim me të kokë me kokë”.

Por, përpos këtyre dëshmive që vijnë për herë të parë, Abrahams ka shfletuar edhe dokumentat e Departamentit të shtetit dhe të CIA-s. Ndërsa në kabllogramet që ambasada i çonte qendrës në Uashington mohohej implikimi dhe rroli i Berishës në këtë ngjarje, agjensia e inteligjencës mendonte pak më ndryshe. CIA shkruante se megjithëse nuk kishte prova që ta implikonin direkt Berishën ai ka “autoritetin dhe pushtetin për të përcaktuar ngjarje”. Agjencia e konsideronte rolin e Berishës në arrestim “të mundshëm por jo të provueshëm”.

Po a kanë pasur pra dorë amerikanët në atë që The Economist-i e quajti “gjyqi i fundit farsë në Europë”. Versioni më i mundshëm është që diplomatët e këtij vendi të kenë ditur gjithçka dhe të kenë mbyllur një sy, në valën e mbështetjes pa kushte ndaj Berishës siç ishin në atë kohë.

Për të shuar kuriozitetin deri në fund, Fred Abrahams e ka pyetur shumë vite më pas edhe Nanon për akuzat e tij ndaj amerikanëve (ato gjenden të gjitha të përmbledhura në librin “Çështja Nano”) Dhe me qartësinë që të jep distanca kohore ish lideri socialit i është përgjigjur: ““Kjo nuk kishte të bënte fare me Hill-in si person ose diplomat, apo me Rajersonin. Pozita e SHBA në atë kohë – mbështetje për qeveritë dhe fjalë të këqia për ish-komunistët – ishin, një produkt i gatshëm i ofruar ndaj vendeve ish-komuniste” tha ai.

(lapsi.al)