• |
ide | kryesore

Qendër rajonale në Shqipëri kundër ekstremizmit të dhunshëm

I pakategorizuar
lleshi-300x169.jpg



Shqipëria ngre arsenal ”kapacitetesh të buta” për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm. Flet për DW Sandër Lleshi, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i jryeministrit të Shqipërisë.

Z. Lleshi, sapo është miratuar Strategjia Kombëtare e Shqipërisë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm? Çfarë synon kjo strategji, si i përgjigjet dhe parandalon rreziqet e kohës që po jetojmë?

Sandër Lleshi: Sot bota duhet të luftojë jo vetëm terrorizmin, por edhe rrënjët e tij, ose, thënë ndryshe, ekstremizmin e dhunshëm. Kjo u bë e qartë në shkurt të këtij viti, në Samitin e Shtëpisë së Bardhë, organizuar nën kujdesin e Presidentit Obama. Nëse për terrorizmin janë zhvilluar kapacitete të shumanshme, të cilat janë aktive prej shumë kohësh në vatrat e nxehta të tij, parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm është ende më shumë një qëllim se sa një realitet. Nëse për terrorizmin nevojiten kapacitete “të forta” si shërbimet inteligjente, forcat e armatosura etj., përballimi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon kapacitete të tjera, të themi “të buta” si shkolla, institucione sociale, institucione fetare, media etj. Strategjia shqiptare për përballimin e ekstremizmit të dhunshëm synon parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizimit të të rinjve, krijimin e mundësive, që personat e margjinalizuar, pa perspektivë, të mund të përfshihen në programe edukimi e punësimi për të mos rënë pre e përpjekjeve të grupeve apo rrjeteve ekstremiste. Kjo strategji synon një rol shumë më aktiv të shkollës, të institucioneve fetare, të medias dhe të institucioneve të tjera për t’u përballur me propagandën radikalizuese dhe ekstremiste, që tenton të prekë nxënësit, studentët, rininë dhe personat e margjinalizuar. Në përpjekje për të rritur shkallën e bashkëpunimit ndërinstitucional, strategjia synon të hapë rrugë të reja për një shkollë dhe një polici që është pjesë e komunitetit. Ajo synon gjithashtu të inkurajojë bashkëpunimin rajonal në fushën e përballjes me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.

A ka strategji Shqipëria kundër çdo lloj ekstremizmi, jo vetëm atij të dhunshëm?

Strategjia, për të cilën po flasim, synon të krijojë mundësi dhe kapacitete të shtetit dhe shoqërisë për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Ajo e përkufizon radikalizmin e dhunshëm si një vendim për të anashkaluar proceset politike apo metodat jo të dhunshme të nxitjes së ndryshimit, duke favorizuar përdorimin e metodave të dhunshme për të sjellë ndryshimin. Ndërsa ekstremizmin e dhunshëm, strategjia e re e përkufizon si përdorim të dhunës për arritjen e objektivave politikë. Në këtë kuptim mund të thuhet se strategjia e re orientohet kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm për aq kohë sa përmes tyre synohet plotësimi i objektivave politike.

Z.Lleshi, si harmonizohet strategjia e sapomiratuar me strategjinë e NATOs dhe vendeve të tjera të rajonit apo Europës?

Strategjia Globale e Kombeve të Bashkuara kundër Terrorizmit ka qenë një ndër dokumentet kryesorë referues për hartimin e këtij dokumenti të ri të Shqipërisë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Nga ana tjetër, Shqipëria ka nënshkruar e ratifikuar konventat dhe protokollet e Kombeve të Bashkuara mbi terrorizmin dhe, përpos kësaj, është edhe bashkësponsorizuese e Rezolutës 2178 (2014) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si edhe e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit. Në një linjë dhe në vijim të Samitit të Shtëpisë së Bardhë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të zhvilluar në shkurt të këtij viti, tre muaj më pas, në maj 2015, në Shqipëri u zhvillua Samiti Rajonal Ballkanik kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, prej të cilit rezultuan konkluzione shumë të rëndësishme për një qasje rajonale ndaj fenomenit në fjalë. Në Samitin e Udhëheqësve në Nju Jork, në shtator 2015, të organizuar nën kujdesin e Presidentit Obama, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraqiti objektivat strategjikë të Shqipërisë kundër ekstremizmit të dhunshëm. I rendita këto tregues për të thënë që përpjekjet e Shqipërisë janë në harmoni të plotë me përpjekjet ndërkombëtare në këtë fushë. NATO, BE, SHBA, si dhe vendet e rajonit të Ballkanit janë partnerë kyç në realizmin e objektivave të strategjisë.

A ka filluar ndërkohë zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Shqipwrisë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm? Cilët aktorë lokalë apo ndërkombëtare po përfshihen?

Po, po fillon. Aktorët kryesorë në realizmin e saj janë institucionet e arsimimit, institucionet e kujdesit dhe përkrahjes sociale, bashkësitë fetare, media, komuniteti i kërkimit shkencor dhe universitetet nga vendi, rajoni dhe bota. Një ndër elementët e rëndësishëm që do ta mbështesë zbatimin e strategjisë do të jetë edhe krijimi i një qendre rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm, e cila do të ketë për qëllim bashkërendimin e përpjekjeve dhe të kapaciteteve rajonalë në përballimin e ekstremizmit të dhunshëm.

A po mbështetet kjo strategji me mjete adekuate financiare?

Sigurisht, që zbatimi i strategjisë kërkon mjete financiare, të cilat do të vihen në dispozicion si nga autoritetet shtetërore ashtu dhe nga partnerët e përfshirë në këtë sipërmarrje.

A do të ketë mbështetje nga NATO apo struktura të specializuara nga BE apo SHBA për zbatimin e saj?

Mbështetja nga NATO, BE dhe SHBA është një element i natyrshëm që mbështet zbatimin e strategjisë. Gjithë procesi i hartimit të saj është zhvilluar në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me aktorët e sipërpërmendur. Kështu do të jetë edhe procesi i zbatimit të saj./Dw/