• |
ide | kryesore

Profil/ Llalla, kryeprokurori antiamerikan

I pakategorizuar
llall-lu-1024x703.jpg



Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me sa duket i është prishur rehati. Ai erdhi në pushtet në kohën e qeverisë së shkuar si produkt i një konsensusi mes Berishës dhe Metës. Kur pushteti ndryshoi, dhe në fuqi erdhën socialistët, ai u shndërrua nga një kukull bikonsensuale në një kukull trikonsensuale. Objektivi qe i qartë: i duhej bërë qejfi të gjithëve për të qëndruar në karrige.

Dhe kështu bëri…

Nuk ngacmoi asnjë nga krimet e pushtetit të Berishës dhe prandaj ky i fundit nuk e sulmon kurrë.

I dha Ramës të gjithë favoret që donte që nga goditja e ish guvernatorit Fullani, kryebashkiakut Gjika e deri tek shantazhimi i bashkiakëve të tjerë lokalë që i detyroi të mos kandidonin.

Luajti edhe pro Metës në çështjen e Tom Doshit dhe me një fjalë u mundua ti përkëdhelte të gjithë.

Por, me sa duket koha e rehatllëkut për të ka përfunduar. Së pari sepse drafti i reformës në drejtësi, pavarësisht asaj që thotë Komisioni i Venecias, parasheh largimin e tij.

Dhe së dyti sepse është filozofia e tij e të mbajturit mirë duke mos bërë asgjë, që ka gjetur një kundërshtar të fortë: ambasadorin amerikan në Tiranë.

Dhe tani problem i ka dalë përtej Atlantikut.

Ditët e fundit kanë shërbyer për  të lexuar më mirë një konflikt që deri tani më gëlonte në kulisa.

Pak kohe më parë Ambasadori amerikan, Donald Lu tha këo fjalë: “Unë e di kush është kundër reformës në drejtësi; ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk e ndjekin penalisht dike”.

Por, pavarësisht nga kjo vijë e kuqe, Llalla këtë të hënë, i doli kundër reformës. i përkrahur edhe nga ministri i LSI-së Manjani, partia e të cilit ka një pozicion shumë ambig për reformën.

Kryeprokurori u deklarua publikisht kundër saj. “Po merren veprime të nxituara. Ka munguar procesi i konsultimit”, u shpreh Llalla.

Sipas tij edhe mund të ketë “elementë problematikë” në prokurori, por “institucioni ka kapacitetet për t’i luftuar”.

I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadorit Lu: “Dhe sa kohë duhet të presim, që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se; nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi? tha ai”. Në një mbledhje të disa kohëve më pare, kur kontradiktat e kryeprokurorit me amerikanët nuk kishin dalë ende në shesh, Lu i ishte drejtuar në një mbledhje përfaqësuesve të Llallës që bënin vërejtje për reformën: ““Me sa kuptoj, disa personave iu është thenë prej eprorëve të tyre se çfarë të thonë, ose më keq akoma, të mos thonë. Nëse është e vërtetë, kjo më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë se sa të ardhmen e saj demokratike”.

Por, mëria amerikane nuk përfundoi me kaq. Me një stil tashmë të njohur (përmes levave të tyre të njëjtën taktikë diplomatët amerikanë e zbatuan edhe ndaj vizitës së padëshëruar të Ilir Metës në ShBA) Llalla u godit edhe nga Zëri i Amerikës. Në valët e tij fjala iu dha njeriut që Llalla sapo e kishte transferuar dhe i cili është përmendur për një rrahje me grushta me kryeprokurorin, Shkëlqim Hajdarit.

Hajdari e kundërsulmoi tangent shefin e tij. Por më shumë sesa këto fjalë simboli ishte i qartë: Ky është fati që i pret kundërshtarët e reformës. Ata do të trajtohen si armiq të ShBA-së.

Me sa duket Adriatik Llalla e ka marrë përsipër këtë rol. Jo vetëm për të ruajtur vendin e tij të punës dhe status quonë që ka vendosur në prokurori, por mbi të gjitha sepse deri më tani ka edhe mbështetjen e hapur të PD-së dhe atë të tërthortë të Ilir Metës. /Lapsi.al/