• |
ide | kryesore

Ku po afrohet LSI me PD?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Dita e djeshme ka shënuar ndoshta përkimet më të forta në deklarata mes PD-së në opozitë dhe LSI-së që vazhdon të jetë pjesë e qeverisjes.

Edhe nga selia e PD-së, edhe nga kulla 24 katshe, edhe nga godina e LSI-së, edhe nga zyra e ministrit të Drejtësisë, kanë ardhur mesazhe të njëjta.

Duket sikur të dyja partitë e koalicionit të djeshëm qeveritar mezi kanë pritur që të shpalleshin rezultatet paraprake të Komisionit të Venecias.

Ato kanë brohoritur pothuajse me një zë, sikur janë çliruar nga frika se mos Edi Rama po kapte drejtësisë, me ndihmën e pakursyer të ambasadorëve më të rëndësishëm perendimorë.

Ato janë gëzuar që ekspertët e Venecias i kanë marrë parasysh disa nga vërejtjet e tyre. duke hapur mundësinë e ripunimit të shumë pikave të draftit deri në produktin përfundimtar.

Duke e pasur të qartë se as PD, e aq më pak LSI, nuk merakosen për rregullimin real të sistemit të drejtësisë, ky konvergim i tyre në qëndrime, shpreh në fakt çlirimin nga një ankth.

Nga ankthi se Edi Rama (i provuar tashmë si alergjik ndaj institucioneve të pavarura dhe me një tendencë të hapur të nënshtrimit ndaj kundërpushteteve) mund t'i përdorte gjykatësit dhe prokurorët e reformuar, si vegla kundër rivalëve të tij politikë.

Në më shumë se në një rast, Ilir Meta nuk ka hezituar ta shprehë privatisht paranojën e tij se me hapjen e aferës DIA- CEZ, vëllai i tij armik tentoi ta shpinte prapa hekurave.

Sali Berisha megjithëse sheh përditë flirtimin e shëmtuar të prokurorit të Përgjithshëm me qeverinë, nuk e shet për asnjë çast ish të përzgjedhurin e tij, duke e mbajtur si mburojën e fundit ndaj ndonjë revanshi të mundshëm.

Të dyja partitë kanë frikë se mos humbasin kontrollin e procesit dhe i dhurojnë me duart e tyre rivalit, armën perfekte për t'i hequr qafe.

Dhe kjo frikë nuk buron vetëm nga mëkatet e të shkuarës së tyre, siç mundohet ta shesin idhtarët e Ramës, por përveç asaj edhe nga mungesa e besimit që ngjall kryeministri për të ndërmarrë reforma të ndershme dhe të drejta.

Pikërisht se situata është e tillë në lojë kanë hyrë ambasadorët.

Në një farë mënyre ata janë bërë garantë se kjo reformë e bërë nën vëzhgimin e specialistëve të tyre do të jetë e paanshme.

Por, për ta kryer këtë rol ata nuk mund të mbështeten as tek thirrjet ultimative se “reforma mund të kalojë pa opozitën”, as tek kërcënimet se dikujt do t'i prishen pushimet e ardhshme verore.

Nëse duan t'i vënë gjoksin këtij procesi, ata duhet ta menaxhojnë atë me durim.

Ata duhet të bindin së pari shqipëtarët dhe së dyti palët që janë në lojë, se ai do të jetë i pastër, i ndershëm dhe i paanshëm.

Ata duhet të garantojnë se kryeminisri do ta ketë të pamundur ta përdorë atë për qëllimet e tij të mbrapshta.

Ata, natyrisht, nuk mund t'i japin fjalën askujt se është i paprekshëm, por ama mund t'i sigurojnë të gjithë se do të jenë të barabartë para ligjit.

Sepse përndryshe ky angazhim mund të krijojë efektin e kundërt.

Mund të afrojë, nga frika e përbashkët, ish koalicionin e djeshëm qeverisës, pikërisht atë që prodhoi procese qesharake. Gjykime ku rezultoi se Ilir Meta nuk kish mbajtur kurrë një bllok në dorë, se Gërdeci qe thjesht një aksident teknik dhe se në 21 janar nuk kish qëlluar askush.

Ky afrim sapo ka filluar duke përdorur si shkas rekomandimet e Venecias.

Lapsi.al