• |
ide | kryesore

Pse Basha mund t’ia zgjasë jetën Ramës?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Në këtë fund viti, kryetari i PD-së ka treguar edhe njëherë strategjinë radikale që pritet të vërë në jetë opozita për 2016-ën. Në një intervistë për Ora News, Basha ka folur për protesta dhe mosbindje civile që do ta çojnë vendin drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të reja.

Demonstrimet në sheshe, “arrestimi” figurativ i të koruptuarve, rrethimi i institucioneve që drejtohen nga hajdutë duket se do të jenë nismat e para të opozitës për vitin që vjen.

Një rrugë ekstremiste? Një dalje nga shtrati i politikës?

Jo, ka shpjeguar Basha, kjo është një lëvizje në mbrojtje të qytetarëve nga një qeverisje kusarësh. Dhe për më tepër ka lënë të kuptohet ai, zemërimi me këtë qeverisje është aq i madh, mëria për vjedhjet, tenderat, koncesionet, CEZ-in, doganat dhe tatimet, ka arritur deri në atë pikë, sa më mirë që zemërimin e njerzve ta kanalizojë opozita sesa ai të shpërthejë në mënyrë kaotike.

Në gjysmën e parë të analizës, Lulzim Basha ka të drejtë. Mijërat e shqiptarëve që po largohen nga vendi janë shpresëthyer dhe të zhgënjyer. Ata e ndjejnë se kanë rënë viktima të mashtrimeve të “Rilindjes”.

Ndërsa të tjerët që vazhdojnë të qëndrojnë me kokëfortësi në vendi e tyre, shohin përditë se si vidhen nga njerzit që i premtuan se do të bënin shëndetësinë falas, se si grabiten nga shokët e Ramës, se si përdhosen për së dyti nga ish klientët e rektutuar të Berishës.

Ata shohin se si pasojë e kësaj makutërie, nuk ka punësim, nuk ka investime të huaja që japin shpresë, nuk ka ulje të borxhit, por rritje të tij, me një fjalë të gjithë e kuptojnë, se nuk ka dritë në fund të tunelit.

Pra, deri këtu analiza e kreut të opozitës është e saktë.

Po ashtu, nuk është ndonjë abuzim i madh të hamendësosh se një situatë e tillë mund të degjenerojë në shpërthime anarkike. Zemërimi i atyre që kanë vendosur të mos e braktisin këtë vend, nuk është çudi të shfryjë diku.

Por, ajo ku Basha nuk bind është vetëofrimi i tij për të luajtur valvulën e tenxheres me presion.  

Marrja e rolit të atij që do ta kanalizojë pakënaqësinë masive dhe do e shndërrojë atë në shpresë.

Dhe kjo për një arsye madhore (që ja kanë përsëritur që në fillim edhe kundërshtarët e tij dashakeqë edhe kritikët dashamirës): se ai nuk është shkëputur dot nga trashëgimia më e errët e pushtetit të Berishës.

Ne nuk e kemi parë ende sot “PD-në e re” të dënojë koncesionet e Rapiscan, markimit të karburanteve, pullave fiskale, privatizimet skandaloze të ARMO-s dhe Albpetrolit, mënyrën e ndyrë si shpërndaheshin paratë për mediat e pushtetit, format se si jepeshin hidocentralet. Ne nuk dimë mbi të gjitha se çmendon sot “PD-ja e re” për momentin kur Ilir Meta u kap me bllok në dorë: Ishte apo jo duke bërë një krim?

Ky ambiguitet dhe mungesë reflektimi për të shkuarën, që vjen si pasojë e gjithëpushtetshmërisë që Berisha ende vazhdon të ruajë, kanë bërë që PD të jetë ende e pabesueshme si opozitë.

Madje një pjesë e madhe e kritikëvë të Ramës e fshikullojnë atë se në vend që ta dënonte, e legalizoi vjedhjen e qeverisë paraardhëse dhe se në vend që ti penalizonte, i rekrutoi klientët e Berishës duke u bërë zhvatësi ri i tyre. Ata e shohin kryeministrin thjeshtë si një zgjatim të paraardhësit.

Pikërisht dështimi për të ngjallur këtë frymë besimi ia bën Bashës të pamundur misionin e ri që kërkon të marrë mbi vete, atë të mishërimit të mosbindjes civile, për të shmangur degjenerimin e zemërimit drejt anarkisë.

Dhe kjo për dy arsye.

Sepse së pari, nëse gjendja është aq e rëndë sa njerzit të ngrihen, këtë nuk do ta bëjnë më në favor të njërës palë kundër tjetrës. Ata janë të lodhur me fabulën e hajdutit që klith: kapeni të singjashmin tim. Ata nuk i hanë më parrullat mashtruese në opozitë se kur të vijmë në pushtet do të bëjmë drejtësi: do të rishohim, tenderat, koncesionet dhe personat që i kanë fituar ato. Janë gënjyer shumë herë. I ka gënjyer me radhë katharsisi i Nanos, “duart e pastra” të Berishës dhe së fundi Rilindja e Ramës. Dhe aq më pak mund tu’a ringjallë këtë shpresë “PD-ja e re” që as nuk pranon ta shohë me sy kritik qeverisjen e mëparshme të Berishës.

Ka edhe një arsye të dytë se përse strategjia e “mosbindjes civile që do të çojë në qeveri teknike dhe në zgjedhje” nuk mund të funksionojë.  Duke mos parë në mënyrë kritike të shkuarën dhe si rrezultat i kësaj duke mos dhënë garanci për të ardhmen, “PD-ja e re” mund të krijojë përshtypjen se kjo është e gjitha një luftë për pushtet. Ashtu siç përfundoi beteja e Berishës kundër Nanos apo ajo e Ramës kundër Berishës.

Dhe nuk ka ogur më të keq se ky për opozitën.

Instalimi i mendësisë se këta janë të gjithë njësoj vetëm zgjat letargjinë e atyre që janë në pushtet.

Përvoja ka treguar se instalimi i kësaj mendësie, i bën pushtetet të zgjasin nga 8 vjet. Dhe më pas ato nuk bien për shkak të shpresës që ngjallin opozitarët, por si pasojë e lodhjes ekstreme që shkaktojnë tek njerzit, që vendosin një ditë ti heqin qafe.

Prandaj, që kjo fabul 8 vjeçare mos përsëritet, më shumë sesa nga denoncimi i kundërshtarëve, opozita duhet të shohë nga pastrmi dhe përsosja e vetvetes.

Për sa kohë dështon në këtë mision, në vend që ti’a shkurtojë, Basha rrezikon ti zgjasë jetën një qeverie që lindi e kalbur.

Pa përmbushur këtë premisë, “PD-ja e re” jo vetëm nuk do ta kanalizojë anarkinë që mund të shpërthejsë nga zemërimi i njerzve, por më keq akoma, ajo mund të shndërrohet në garanten e parë të grabitësve të rilindur. (lapsi.al)