• |
ide | kryesore

SHBA e interesuar për pasardhësin e Hoxhës: A do ta vrasë dhe Alinë?

Arkiva, Dossier
images.jpg



Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, politika e jashtme ishte gjithë sy e vesh se kush do të ishte pasuesi i mundshëm i Enver Hoxhës. Komandanti “legjendar” i shqiptarëve, që drejtonte vendin me grusht të hekurt për 35 vite me radhë, duke e izoluar nga bota dhe eliminuar çdo kundërshtar politik, tashmë ndodhej në vitet e fundit të jetës.

Mjekët thoshin se tashmë shëndeti i tij nuk ishte fort i mirë. Kishte pësuar një atak kardiak dhe vuante nga diabeti. Prej pasardhësit të tij do të varej drejtimi që do të merrte Shqipëria. Një dokument i Departamentit Amerikan të Shtetit, i vitit 1983, dëshmon interesin që kishin SHBA-të kundrejt ndryshimeve të mundshme në Shqipëri.

Përmes ambasadorëve apo shërbimeve sekrete, përpiqeshin të mblidhnin sa më shumë informacion rreth gjendjes në Shqipëri, që nga shëndeti i diktatorit, këndvështrimet e pasuesve të mundshëm dhe mbi të gjitha, për marrëdhëniet diplomatike. Në një raport mbi sa më sipër, u kushtohet një vend i veçantë raporteve me Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, vende këto që synonin rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, për të përfituar nga pozita e saj strategjike, në brigjet e Adriatikut…

Dokumenti i mësipërm është një ndër shumë syresh që gazetari amerikan, Fred Abrahams, ka konsultuar për të ndërtuar librin e tij “Shqipëria e re”. Këto dokumente tashmë janë të aksesueshme edhe për lexuesin shqiptar, pasi gazetari ia ka dhuruar ato Bibliotekës Kombëtare.

 

DOKUMENTI

Për ambasadorin Anderson nga Montgomery

1. Mangësitë tona informative dhe aksesi në Shqipëri e bëjnë udhëtimin e ambasadorëve miq një burim të vlefshëm dhe të fuqishëm informacioni së brendshmi. Mirëpresim çdo lloj informacioni që do të na vijë nga vizitorët.

2. Çështja kryesore për sa më sipër vërtitet rreth vdekjes së mundshme të njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri, Enver Hoxha. Çfarë rruge do të ndjekë Shqipëria pas Enver Hoxhës? Cilët janë pasardhësit e mundshëm, cilat janë këndvështrimet e tyre, pikat e tyre më të forta dhe pasuesit?

Cilat janë shanset për përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën, Bashkimin Sovjetik, Kinën, NATO-n etj.?

Enver Hoxha duke u përqafuar me Hrushovin, gjatë vizitës të tij në Shqipëri, Maj 1959

3. Ndoshta rezultati më i rëndësishëm i riorganizimit të qeverisë, në fund të nëntorit 1982, ishte rikonfirmimi i autoritetit të Enver Hoxhës. Atje nuk ka asnjë tjetër me më shumë jetëgjatësi apo prestigj në “gardën e vjetër”, që ka dominuar shtetin shqiptar dhe partinë në pushtet. Pozicioni i Hoxhës tani duket në ndryshim. Tashmë, në moshën 74-vjeçare, ai ka kaluar një atak kardiak në vitin 1968 dhe vazhdon të vuajë nga diabeti dhe probleme të qarkullimit të gjakut.

Ata që e kanë parë së fundi, e përshkruajnë atë si të dobët dhe të lodhur, sidomos pas “vetëvrasjes” së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetor të vitit 1981. Por që atëherë ai duket më i kujdesshëm dhe më efektiv. Shëndeti aktualisht është përmirësuar në vitin e fundit.

4. Është e vështirë të ndash personalitetin e Hoxhës nga politika shqiptare, duke qenë se ai ka qenë i vetmi udhëheqës që pas Luftës së Dytë Botërore. Në udhëheqjen e tij 35-vjeçare ai i ka përzier të dyja, personalitetin dhe politikën.

Të dyja janë karakterizuar nga frika e absorbimit nga Jugosllavia, çka e ka drejtuar Shqipërinë të mbrojë veten përmes çdo protektori apo kapadaiu, nga frika e tradhtisë, çka e ka çuar Shqipërinë larg Moskës dhe Pekinit (nga frika e tradhtisë së marksizëm-leninizëm-stalinizëm), ndërsa në politikën e brendshme, të ndjekë një spastrim periodik kundrejt të gjithë atyre që i bënin oponencë personalitetit apo politikave të Hoxhës.

Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito

5. Të gjitha këto të krijojnë përshtypjen e Shqipërisë si një vend i izoluar, çka rrjedh më së shumti nga ndryshimet e modeleve të aleancave të vendit, se sa prej situatës aktuale diplomatike. Duke nxjerrë jashtë loje një seri mentorësh, si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe së fundi Kina, Shqipëria sot duket se ka mbetur e vetme.

Por, megjithëse kontaktet e saj mund të mos ngushtohen dhe tregtia të mos kufizohet, Shqipëria mbetet mjaft larg marrëdhënieve ndërkombëtare. Janë pikërisht Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, prej të cilave Shqipëria e ka izoluar vetveten.

6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik janë maskarenjtë më të mëdhenj në propagandën shqiptare, njëlloj fajtorë në agresione, në luftënxitje, kolonializëm, shtypje dhe “armiqtë e betuar” të lirisë dhe paqes. Udhëheqësit shqiptarë janë betuar që të mos e pajtojnë kurrë veten me politikat e dy superfuqive apo të kenë një marrëdhënie diplomatike apo çfarëdolloj raporti tjetër me ta.

Tirana e përshkruan “revizionizmin” sovjetik si armikun e vet më të madh ideologjik në botën komuniste, por kërcënimi real i sovranitetit dhe pavarësisë tradicionalisht është perceptuar se vjen nga fqinji, Jugosllavia. Ky perceptim ka motivuar kërkesën e Shqipërisë së pasluftës për një “mbrojtës” kundër Jugosllavisë/hegjemonisë së “serbomëdhenjve”.

7. Pavarësisht nevojës së perceptuar për të mbrojtur vetveten nga të jashtmit, Shqipëria në dhjetë vitet e fundit, në të vërtetë ka shtuar disa kontakte ndërkombëtare, së pari për shkak të nevojave tregtare dhe teknologjike. Edhe pse Kushtetuta shqiptare ndalon kategorikisht marrjen e kredive nga shtete “revizioniste” dhe “kapitaliste”, tregtia dhe eksportet janë thelbësore për të gjeneruar fonde për nevojat e ngutshme të brendshme për investime.

Pa dyshim që Tirana është e interesuar të stabilizojë kredencialet si një aktor i vlefshëm ndërkombëtar, opinioni i të cilit duhet marrë në konsideratë. Kërkimi i këtij imazhi dhe prestigji, gjithsesi kërkon një rishikim të çështjeve ekonomike dhe ideologjike.

8. Rritja e kontakteve diplomatike të Shqipërisë erdhi me përkeqësimin e marrëdhënieve me Kinën, së bashku me shqetë- simin e vazhdueshëm të mbështetjes në forcat e veta, sakrificën dhe disiplinën për ta bërë ekonominë të vlefshme dhe vendin të sigurt përballë “rrethimit të egër dhe bllokadës së imponuar nga vendet revizioniste dhe kapitaliste”. Që prej shtatorit të vitit 1978, Hoxha publikisht ka bërë thirrje për lidhje të ngushta ekonomike dhe kulturore me vendet “dashamirëse” borgjeze të Perëndimit që “respektojnë Shqipërinë”.

Sot Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike me rreth 100 vende (më shumë se gjysma e të cilave janë vendosur gjatë viteve 1970), duke përfshirë gjithë Europën, me përjashtim të Gjermanisë Perëndimore dhe Britanisë së Madhe. Marrëdhënie ishin vendosur edhe me Japoninë në vitin 1981 dhe është në diskutim vendosja e marrëdhënieve me Kanadanë.

Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmija

9. Asnjë ndryshim madhor në politikën e jashtme të Shqipërisë nuk pritet gjatë periudhës së mbetur në pushtet të Hoxhës apo menjëherë në periudhën post-Hoxha, në veçanti nëse do të mbeten anëtarë të “gardës së vjetër”. Takimi i nëntorit i Hoxhës fuqizoi Ramiz Alinë në krye të shtetit, duke iu shtuar detyrimeve në parti. Alia konsiderohet si një udhëheqës ideologjik dhe mbështetës i linjës së Hoxhës dhe që në rininë e tij të hershme ka drejtuar Organizatën e Rinisë Komuniste.

Ndërsa Alia stabilizonte pozitën e tij politike në parti, pasuesi tjetër i mundshëm politik, Adil Çarçani, drejtoi pushtetin e vet në burokracinë qeverisëse, duke u bërë kryetar i Këshillit të Ministrave. Që të dy këta kandidatë janë rreth 60 vjeç dhe kanë shpenzuar karrierat e tyre, duke u identifikuar me politikat e Hoxhës.

10. Dihet shumë pak për udhëheqësit e rinj politikë. Nuk mund të bësh asnjë lloj parashikimi mbi drejtimin që do të marrë politika e jashtme e Shqipërisë në të ardhmen. Gjithsesi, është e pamundur rivendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik gjatë regjimit të Hoxhës, por pa dyshim që sovjetët do të përpiqen ta bëjnë këtë, pasi pasardhës të Hoxhës të marrin pushtetin.

Regjimi post-Hoxha do të përballet me probleme të mëdha ekonomike, trazira të shtrira mbi gjendjen politike dhe ekonomike apo një kërcënim nga Jugosllavia ose Perëndimi mund ta kthejë Tiranën drejt Moskës për asistencë ushtarake dhe ekonomike. Mundësia e një spostimi të tillë do të rritet, nëse një faktor prosovjetik do të vendoset në udhëheqjen shqiptare pas Hoxhës.

11. Që prej prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, BRSS është përpjekur të normalizojë marrëdhëniet me bashkëpatriotët socialistë, Shqipërinë. Hapjet në fund të vitit 1982 reflektojnë një përmirësim të dukshëm dashamirës, me gjasë falë një koincidence të ndërrimeve të udhëheqjes në Moskë (rikthimi i Andropovit) dhe Tirana (një qarkullim i 50% të Këshillit të Ministrave dhe të Asamblesë Popullore).

Sovjetikët kanë një sërë motivesh që presin që Shqipëria të kthehet në gjirin e vëllazërisë së vendeve socialiste. Ata do të donin të rivendosnin ndikimin në Adriatik dhe nuk e kanë braktisur kurrë shpresën që të mirëpresin Shqipërinë në “Federatën socialiste”. Një Shqipëri e ribashkuar me Bashkimin Sovjetik mund të jetë shumë irrituese për fqinjët jugosllavë, për të mos folur për ndikimin që një afrim i tillë do të ketë për krahun juglindor të NATO-s dhe Europës në përgjithësi.

12. Në përgjigje të fjalimit të Andropovit, në nëntor të vitit 1982, në Plenumin e Partisë Sovjetike, që bënte thirrje për lidhje të ngushta me të gjitha vendet socialiste, Shërbimi Zyrtar i Lajmeve në Shqipëri (ATA-ATSH), më 25 nëntor, edhe një herë dënon Bashkimin Sovjetik si një “shtet social-fashist dhe social-imperialist”. ATSH nënvizon se politika sovjetike “nuk përcaktohet nga personi që vjen në pushtet, por nga sistemi që në është në fuqi”. Kështu që, me shumë gjasë, qëndrimi i Shqipërisë nuk do të ndryshojë për sa kohë që Hoxha do të qëndrojë në pushtet.

13. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë e bën atë strategjikisht të rëndësishme për sigurinë e Jugosllavisë. Si rezultat, udhëheqësit jugosllavë janë përpjekur në mënyra të ndryshme për të dominuar Shqipërinë (ashtu si bëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore) apo për të zbutur, pa sukses, armiqësinë tradicionale të shqiptarëve. Që prej thyerjes së marrëdhënieve shqiptaro-kineze, jugosllavët janë përpjekur të përmirësojnë marrëdhëniet me Shqipërinë, në mënyrë që të kuptojnë më mirë zhvillimet atje dhe të pozicionojnë veten në periudhën postHoxha.

Zyrtarët jugosllavë, privatisht dhe publikisht, kanë treguar një ndërgjegjësim se çdo përkeqësim serioz i marrëdhënieve me Tiranën mund të ketë një efekt të pafavorshëm në stabilitetin e brendshëm në Beograd dhe në sigurinë e Ballkanit.

14. Udhëheqësit jugosllavë, prej kohësh, janë të shqetësuar se mos sovjetikët mund të rifitojnë influencën e tyre në Shqipëri dhe të përdorin territoret shqiptare për të shkatërruar pavarësinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë. Ndërsa Beogradi e di se Hoxha nuk e ka ndryshuar armiqësinë e tij të palëkundshme ndaj “revizionizmit” sovjetik, dyshojnë në një marrëveshje të fshehtë mes Moskës dhe Tiranës kundër Jugosllavisë.

Ndërkaq, ka sinjale rreth mundësisë që shërbimet e inteligjencës sovjetike dhe bullgare ndërkohë po shfrytëzojnë çështjet e nacionalitetit në Jugosllavi (në veçanti Kosovën) dhe mund të kenë vendosur në mënyrë indirekte marrëdhënie me shërbimet shqiptare përmes organizatave shqiptare antijugosllave në emigrim. Mbi të gjitha, disa jugosllavë friken se sovjetët kanë përdorur vietnamezët, bullgarët, hungarezët dhe çekosllovakët si autorizues për të përgatitur për periudhën post-Hoxha.

Të tjerë janë të bindur se elementët prosovjetikë në Shqipëri janë duke pritur vetëm “nisjen” e Hoxhës për t’u bërë aleatë me Bashkimin Sovjetik.

15. Të gjitha këto na lënë me më shumë pyetje se përgjigje, më shumë hamendësime se fakte. Fatmirësisht, pyetjet e më- poshtme mund të na sjellin ca fakte. – Prognoza mbi Hoxhën: Shëndeti dhe qëndrimi i tij politik? – Kandidatët për udhëheqës dhe këndvështrimet e tyre: A ka Alia eksperiencën e nevojshme administrative?

A do ta shohë Hoxha atë si një rival dhe një sfidues të tij dhe a do ta eliminojë, ashtu si bëri me Shehun? A përfaqëson Alia ndonjë këndvështrim të veçantë apo thjesht mbështet Hoxhën? A ka atje faktorë pro-kinezë apo pro-sovjetikë? A ka ndonjë që është projugosllav, pro NATO, apo proamerikan? Ndonjë që mund të mbështesë vendosjen e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë Perëndimore? -Ndonjë vëzhgim në ndryshimin e standardeve në vend? Prania e ushtrisë apo policisë? Standardet e jetesës, veshja, ushqimi dhe kontaktet me të huajt?

– Cilat janë shpjegimet vendore për udhëtimin e Alisë në zonat kufitare me Jugosllavinë? Ndonjë shpresë për shkëmbime kulturore me Kosovën? A ndonjë aktivitet përtej kufirit? – Ndonjë reagim nga shqiptarët për komentin e Bushit mbi Europën Lindore?

16. Ne vlerësojmë çdo ndërmjetësim me ambasadorët miq dhe presim çdo informacion në të ardhmen.