• |
ide | kryesore

Rama, ters edhe në Miami? Shkon të shohë ndeshjen Pacers – Heat, ikin dritat në arenën e sportit

I pakategorizuar
Arena.jpg



Ndeshja e basketbollit Indiana Pacers – dhe Miami Heat u ndërpre për afro 30 minuta pas një problemi me ndriçimin në fushën e sportit “American Airlines Arena”, në Miami. Lojëtarët pritën për në fushë teksa teknikët e arenës po rregullonin problemin. Rikthimi i plotë i energjisë bëri të mundur zhvillimin e takimit që pritej me interes të madh në SHBA. Lapsi.al mësoi se për të parë ndeshjen në “American Airlines Arena”, në orën 20.00 me orën lokale në Miami, ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, të cilit për ters iu desh të priste gjysmë ore për të parë përballjen e gjigantëve të NBA. Kështu, duket se tersin me dritat kryeministri Rama e ka marrë me vete edhe në SHBA. Në Shqipëri, në maj të këtij viti dritat i ikën në sallën ku ai po prezantonte të rejat teknologjike  dhe aplikacionin “Komisariati Dixhital”, në Muzeun Historik Kombëtar. Kryeministri Rama gjendet në SHBA për të marrë pjesë në një qokë familjare. Zyra e Shtypit në Kryeministri e bëri publik këtë fakt një ditë më parë, duke sqaruar se kryeministri nuk kishte shkuar për pushime, siç u raportua në disa media, por për të marrë pjesë në një gëzim familjar të disa miqve të tij, së bashku me bashkëshorten. Megjithatë, Zyra e Shtypit nuk sqaroi se kush e pagoi udhëtimin dhe qëndrimin 3-ditor të kryeministrit Rama në SHBA. /Lapsi.al