• |
ide | kryesore

A e sheh Rama që Metën e ka “armik”?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Eshtë fatkeqësi ta mendosh, por Erion Braçe ka mbetur i vetmi socialist pro Ramës, i cili thotë herë pas here të vërtetën. Pikërisht këtë gjë ka bërë edhe sot ku ka akuzuar hapur dhe pa doreza se Ilir Meta është pro Bashës dhe Berishës për reformën në drejtësi.

Ajo që të gjithë e shikojnë, por askush (veç Braçes) nuk e thotë, është flagrante. PS dhe LSI nuk janë në koalicion, por janë në kontradiktë, lidhur me reformën.

Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh ironitë e lehta që Meta bën,- duke treguar orën e tij Swatch,- me ambasadorin Lu.  Për të shkuar edhe më tej, mjafton të vëresh qëndrimet e përsëritura për një “reformë që nuk mund të bëhet pa opozitën”. Për ta përforcuar edhe më idenë, mjafton tu kthehesh deklaratave te djesheme të ministrit të drejtësisë Manjani, pas takimit me kreun e partisë së tij. Ai foli kundër ekspertëve, kundër politikanëve që fshihen pas tyre (nënkupto Ramën) dhe mbi të gjitha theksoi se nën petkun e specialistëve, në këtë vend, janë bërë mëkate të mëdha.

Me pak fjalë Manjani shprehu thelbin e asaj të cilës i tutet LSI-a. Faktin se drafti fillestar i ekspertëve, ai që më pas u kthye me vërejtje nga Venecia, ishte një përpjekje për ti dhënë socialistëve (me ndihmën e ambasadorëve) monopolin mbi drejtësinë.

Dhe pikërisht në këtë pikë frika e Metës, përputhet krejtësisht me atë të Bashës dhe Berishës. Pavarësisht se ata gjuajnë me fishekë manovre në drejtim të njëri -tjetrit, pavarësisht se bëjnë sikur janë përballë, ata kanë të njëjtat shqetësime dhe të njëjtin qëllim, ti kundërvihen projektit Rama- Lu.

Dhe këtu kemi të bëjmë me një ngjarje politike.

Për një çështje kaq kapitale për këtë mandat qeverisës, LSI dhe PS janë në kundërshti të plotë.

Në një situatë normale kaq do të mjaftonte që koalicioni të prishej dhe qeveria të binte.

Por, duke qenë se një gjë të tillë nuk e imagjinon për momentin, as Rama dhe as Meta, ata kanë vendosur të heshtin. Të bëjnë sikur nuk ekziston ky mal që i ndan dhe që i ka vënë në pozita diametralisht të kundërta.

Kjo heshtje nuk përbën problem për LSI-në. Si një parti që më shumë se tek qëndrimet mbështet te kientela, ajo nuk e ka pasur kurrë problem të mos kete pikpamje të saj për debatet madhore të vendit. Nuk është rasti i parë kur ajo vepron si me reformën në drejtësi: ku tjetër gjë thotë dhe tjetër dëshiron.

Por, ky hezitim është problematik për Ramën i cili me këtë reformë po sillet si me një dhuratë që kanë borxh ti’a bëjnë të tjerët. Ai bën sikur nuk shikon që aleatin e tij kryesor e ka kundër, ndaj premton se do vazhdojë përpara me të.

Por në fakt me këtë qëllim dyzues ai nuk bën gjë tjetër veçse tradhëton konceptin real që ka për këtë nismë.

Ai o do kontrollin mbi reformën që do ti mundësonte pastaj dominimin mbi kundërshtarët e tij politikë, ose përndryshe nuk e do fare atë. Më mirë vazhdon të zvarriset në qeverisje me Metën, sesa të hyjë në konflikt për të “mbrojtur drejtësinë”. Prandaj ai bën sikur nuk e sheh që “vëllain e të majtës” këtë radhë e ka armik. (Lapsi.al)