Ata që linçojnë një skeç humoristik që satirizon me figurat e UÇK-së, nuk e kanë hallin se këto narrativa mund ta «njollosin luftën e UÇK-së» dhe vendin e saj në historinë e Kosovës. Frika e tyre është nëse do ta humbin argumentin e «luftës së shenjtë» si amnisti për t’i mbuluar krimet, vjedhjet, uzurpimet, pensionet e trefishta, e deri te familjet poligamike që kanë krijuar në emër të luftës. UÇK-ja duhet parë për atë që ishte si lëvizje gjatë luftës dhe për atë që ajo u tjetërsua në pasluftë.

Në shkrimin e kaluar kam thënë se përkundër një seri skëterrash – kryesisht politike dhe morale – që e karakterizuan vitin 2015, ky vit do të mbahet mend për një gjë të mirë: si viti kur u zhveshën heronjtë e paqes e të luftës, të majtë e të djathtë, të ndershëm e hajna! Shoqëria kosovare për 16 vjet ka qëndruar e babëzitur ndaj narrativës, kujtesës dhe mitit të UÇK-së. E shenjtë! E drejtë! E pakontestueshme!

Ndërtimi i UÇK-së si e «popullit» i ka bërë një përvetësim gati të dhunshëm kolektives shqiptare të Kosovës. Nuk çohej nëpër mend të mos identifikoheshe me UÇK-në apo ta shihje atë siç shihen rëndom grupet guerile. Jo vetëm pse atë e kishin privatizuar cubat e ulur në parlament, qeveri, universitet dhe borde, por edhe pse është legjitime që njeriu të mos ndihet pjesë e një grupimi, e një kolektiveje, e për më tepër një organizate të armatosur. Përpos muhabeteve të tavolinave dhe reagimeve sporadike kundër shkrimeve të Fatos Lubonjës fillimisht, në Kosovë ka ekzistuar një pakt kolektiv për ta mbajtur të shenjtëruar me çdo kusht UÇK-në. Për t’i shenjtëruar dhe amnistuar nga çdo veprim ata që kanë luftuar.

Reagimi ndaj skeçit të «Stupcave» mori këto përmasa që mori, jo vetëm sepse ne si kolektivja e UÇK-së kemi arritur të demaskojmë, të satirizojmë dhe në fund të fundit ta hedhim në një televizion kombëtar një narrativë të cilën e kemi parë, diskutuar dhe argumentuar kushedi sa herë nëpër shtëpitë dhe vendet tona të punës. Më shumë se për këtë, ky reagim erdhi sepse skeçi kishte depërtuar te fshatari, te i papuni, te i palexuari, e së këndejmi edhe te votuesi i thjeshtë i partive që kanë monopolizuar luftën. Pra, çshenjtërimi i UÇK-së dhe projekti i demitizimit të saj nuk është më vetëm projekt i penave të ndritura dhe kozmopolitëve të kombit. Kjo është bërë tashmë agjendë e «artistëve» dhe performuesve që kanë një mbështetje të gjerë popullore, edhe te ajo kategori që mund të konsiderohet e palexuar apo e paemancipuar.

Në fillimet e saja UÇK-ja njihej si organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Grupe të tëra guerle në histori janë nisur në luftëra po aq të shenjta dhe të pastra si UÇK-ja. Shumë syresh edhe sot përpëliten të shpëtojnë nga këto lista famëkeqe. Për shkak të rrethanave gjeopolitike të asaj kohe, UÇK-ja u hoq nga ajo listë. Ajo çfarë keni bërë ju si trashëgimtarë politikë të kësaj organizate në pasluftë, nuk dallon shumë nga organizata cubash. Kjo ka bërë që shumë njerëz të mos ndihen hisedarë në këtë «lavdi të patjetërsueshme». Prandaj, narrativa për UÇK-në dhe kujtesa historike për të do të definohet jo vetëm nga ideali i lirisë, por edhe nga bëmat e atyre që kishin «të drejtë» të thirreshin në emër të UÇK-së, jargavitja nëpër pompa benzine dhe prona të serbëve në ikje, intimidimi dhe përndjekja e minoriteteve pas luftës, dhe përfitimi i paprecedent moral, politik e ekonomik në emër të luftës.

Këta që kanë monopolizuar luftën, sot çirren jo pse UÇK-së po i hidhet baltë dhe se historia për të mund të shkruhet më pak e lavdishme. Por sepse narrativa që zhvesh kartelin kriminal që u legjitimua në emër të luftës tash e 16 vjet, nuk do të amnistojë më krimet e tyre. Të themi atë që është, shenjtërimi mitik i UÇK-së ka amnistuar tash e 16 vite pensionin e turpshëm të Azem Sylës, sfidimin e tërë konceptit të drejtësisë nga ana e Sami Lushtakut, Xhabir Zharkun dhe palmat e Kaçanikut, poshtërimin e policisë së shtetit nga djemtë e Adem Grabovcit, uljen në krye të parlamentit të hiç më pak se Kadri Veselit, e deri edhe lidhjet poligamike të shumë prej shokëve të tyre. Në emër të shenjtërisë së UÇK-së! Në emër të një lufte e cila thuhet se ishte e popullit dhe për popullin.

Një shoqëri e shëndetshme përballet me të kaluarën, i shikon rrenat dhe mitet historike në sy për t’ua vënë peshën dhe vendin që meritojnë. Së këndejmi, është e shëndetshme të ketë edhe satira të ngjashme me figurat si Adem Jashari, Isa Boletini dhe të tjerë. Shoqëritë e pjekura politikisht, pra ato që nuk janë zhytur në llumin e mitit dhe krimit, nuk kanë komplekse të kësaj feje. Shenjtëria e luftëtarit, e zotit, e profetit, në rastin më të mirë mund të jetë poetike.

E tashmja dhe e ardhmja jonë nuk mund të jenë peng i cubave që mbulojnë krimet e tyre duke u thirrur në lavdinë për çlirim. Kjo është e pandershme ndaj tërë rezistencës së gjyshërve e prindërve tanë. Është e pandershme ndaj atyre që ranë duke luftuar, duke ikur, apo duke mbijetuar. Ndaj të tjerëve që mbetën të gjallë për ta parë këtë deiluzion të madh.

Koment i shkruar per Dialog Plus