• |
ide | kryesore

Ku u fsheh Fatos Nano në 14 shtator të 1998

Arkiva, Dossier
614.jpg



FRED ABRAHAMS

NJË E SHTËNË, NJË GRUSHT SHTETI

Fatos Nano dhe qeveria socialiste gradualisht i përmirësuan marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, i cili ishte mirënjohës që Shqipëria doli nga titujt e lajmeve. Megjithatë, skena politike e brendshme mbeti e acaruar. Mbrëmjen e së shtunës, më 12 shtator 1998, ajo u përkeqësua përnjëherësh.

Sali Berisha ishte duke punuar vonë në zyrën e tij në selinë e PD-së. Një zyrtar i partisë po i raportonte për një udhëtim të kohëve të fundit, kur u dëgjuan të shtëna. Të dy burrat kërcyen nga vendi. Në Tiranë ishte normale të dëgjoje zhurmë armësh zjarri, por rrallë kaq afër.

Dikush hapi derën dhe i informoi se një person ishte qëlluar afër ndërtesës. Zyrtarët e partisë dolën me vrap përjashta, por Berisha ndenji lart. Më pak se njëqind metra larg, një grup njerëzish u mblodh rreth një burri trupmadh.

Ishte Azem Hajdari, me moshë tridhjetë e pesë vjeç, i cili po humbte shumë gjak dhe kishte humbur ndjenjat. Katër plumba i kishin shqyer kraharorin. Afër tij ishin të shtrirë dy truprojat, edhe ata të gjakosur. Të tre burrat i çuan me nxitim në Spitalin Ushtarak, por Hajdari dhe njëri nga truprojat vdiqën gjatë rrugës. Tridhjetë minuta më vonë, Berisha lëshoi një deklaratë ku akuzonte për vrasjen shefin e policisë së Tropojës.

Rreth orës 23:00, ai deklaroi se fajtor ishte Kryeministri Fatos Nano dhe klika e tij e përgjakur komuniste. Qeveria e dënoi me shpejtësi vrasjen dhe bëri thirrje për arrestimin e dorësave. Presidenti Meidani ndjeu trokitjen në derë rreth mesnatës dhe e kuptoi se kishte diçka që nuk shkonte.

Ai ishte në Greqi duke marrë pjesë në një konferencë dhe në atë orë ishte mu në mes të gjumit. -Azem Hajdarin e kanë qëlluar,- tha ambasadori i tij te dera. Ata bënë plane menjëherë për t’u kthyer në atdhe. Instinkti i presidentit qe i drejtë.

Mëngjesin e së nesërmes, një PD me fuqi të freskëta kërkoi shkarkimin e “Kryeministrit Nano”, krijimin e një qeverie tranzicioni dhe zgjedhje të reja. “Në qoftë se krimineli Fatos Nano nuk largohet.…, ne do përdorim të gjitha mjetet për ta përmbysur”, u tha reporterëve Berisha.

Gazeta pro PD-së, “Albania”, shqiptoi me tituj të mëdhenj në faqen ballore; “Nano vrau Azem Hajdarin!”. Një turmë përkrahësish të PD-së marshoi te Ministria e Brendshme, ku njerëz shtinë me pistoleta në ajër, gjuajtën me gurë, dhe i vunë zjarrin një makine. Një demonstrues u vra dhe katër policë u plagosën.

Protestuesit vazhduan gjatë bulevardit, drejt zyrës së Nanos. Qeveria po bënte një mbledhje urgjente në kat të dytë kur arriti turma e azdisur. Ministri i Brendshëm, Perikli Teta, po paraqiste një raport, kur gurët thyen xhamin e dritares prapa tij, duke ia çuar në kurriz ciflat e xhamit.

“Po e ndërpresim mbledhjen për t’u marrë me situatën”, kujtoi Teta fjalët e Nanos. Rojet qëlluan në ajër, teksa Nanoja dhe ministrat e tij dolën me shpejtësi përpara. Disa shkuan në Hotel Rogner aty pranë dhe të tjerë në zyrat e tyre.

Teta u kthye në Ministrinë e Brendshme, ku do të kalonte natën për dy javët e ardhshme. Se çfarë bëri Fatos Nano në atë moment, mbetet çështje debati. Sipas disa anëtarëve të qeverisë, ai u arratis në Maqedoni, ose të paktën shkoi me makinë deri afër kufirit. Sipas shefit të atëhershëm të SHIK-ut, Fatos Klosit, Nano kërkoi strehë nga një mik dhe sipërmarrës në Durrës.

Nanoja e preku këtë çështje pas dymbëdhjetë vjetësh në një intervistë televizive, duke thënë se e kishte kaluar natën në një rezidencë qeveritare pranë kufirit me Maqedoninë. “Vendimi i marrë nga grupi i shoqërimit dhe personi që po mbronte është i justifikueshëm në kushte emergjence dhe të mosfunksionimit të shumë strukturave mbështetëse”, tha ai. Meidani mbërriti në Tiranë vonë gjatë asaj pasdrekeje dhe u konsultua brenda një kohe të shkurtër me qeverinë dhe ambasadat në kryeqytet.

Në televizionin shtetëror ai bëri thirrje që autoritetet të kapnin vrasësit e Hajdarit dhe i kërkoi publikut të ruante qetësinë.

“Lërini armët dhe gjuhën e urrejtjes, në mënyrë që të jemi në gjendje të rindërtojmë të ardhmen tonë”, tha ai. Ministria e Brendshme njoftoi për shpërblim ndaj informacioneve që do të shpinin në arrestime. Zyra e Meidanit u lidh me Genc Pollon, ende ndihmës i afërt i Berishës, dhe shprehu dëshirën e presidentit për të marrë pjesë në përkujtimin e Hajdarit, që kishte organizuar PD-ja për të nesërmen në Sheshin Skënderbej. Pollo tha se do të kontrollonte njëherë e pastaj do të përgjigjej me telefon.

“Nuk e rekomandoj”, kujtoi Meidani fjalët e Pollos, kur ky u përgjigj me telefon. “Situata këtu nuk është në kontroll”. Atë natë, Partia Demokratike dhe partnerët e saj në opozitë dërguan një delegacion te presidenti.

Meidani e takoi delegacionin në katin e parë dhe anëtarëve të tij iu paraqit ultimatumi që Nanoja duhej të jepte dorëheqjen deri në mesditën e së nesërmes. Ata kërkuan gjithashtu një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar për qeverinë e re dhe për arrestimin e vrasësve të Hajdarit, Meidani tha se ishte gati të bisedonte me opozitën, por e hodhi poshtë kërkesën për dorëheqje të qeverisë me anë të kërcënimeve, sidomos kur identiteti i vrasësve të Hajdarit mbetej i paqartë.

Kur presidenti u ngjit lart, u befasua kur pa pesë veta që po e prisnin në zyrë. Kryetari i Kuvendit, Skënder Gjinushi, ishte i ulur pranë ambasadores së SHBA, Marisa Lino, ambasadorit italian dhe kreut të misionit të OSBE-së në Tiranë, e cila kishte ngritur në Shqipëri praninë e saj pas zgjedhjeve.

Habia më e madhe për Meidanin ishte kur pa Kryeministrin Nano, i cili kishte humbur për pothuajse njëzet e katër orë. Meidani i tregoi grupit rreth kërkesave e PD-së. “Ne nuk mund të marrim vendime nën presion”, tha ai. “Nano nuk mund të japë dorëheqjen prej kërcënimeve të rrugës”.

Lino kishte pikëpamje tjetër, kujtuan veç nga njëri-tjetri, Meidani dhe Gjinushi. Ajo dha mendimin që Nanoja të jepte dorëheqjen, duke argumentuar se kjo do të qetësonte skenën. Meidani u përgjigj se dorëheqja e Nanos nënkuptonte fitoren e Berishës. Nano ishte më i drejtpërdrejtë.

“A mund të garantoni ju që në rast se jap dorëheqjen, situata do të qetësohet?” tha ai. Ambasadorja Lino kërkoi që të fliste me Nanon vetëm për vetëm. Ata u larguan nga zyra dhe u kthyen pas pesë minutash. Askush prej tyre nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se për çfarë folën.

Grupi i rimbledhur formuloi disa pika për qeverinë: 1. Të distanconte veten nga vrasja;

2. T’i bëhej thirrje PD-së të shmangte dhunën

3. Të bëheshin disa rregullime në qeveri;

4. Të luftohej korrupsioni.

Pastaj Lino u lidh me Berishën. “Unë nuk e kontrolloj situatën”, i tha ai asaj, sipas Meidanit dhe Gjinushit, “por në qoftë se Nano jep dorëheqjen, situata do të përmirësohet”.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në funeral filluan të mbushnin Sheshin Skënderbej. Arkivolet e Hajdarit, truprojës së tij dhe të demonstruesit të vrarë pranë Ministrisë së Brendshme preheshin në shkallët e Pallatit të Kulturës për t’i mbushur me mijëra vetë, pavarësisht nga shiu i imët që nuk pushonte fare. “Vrisni, vrisni, vrisni Fatos Nanon!” thërrisnin ata. “Hakmarrje!”. “Mund ta ndieje që diçka do të ndodhte”, tha Ylli Vejsiu, zyrtari i PD-së që kishte qenë duke i raportuar Berishës në kohën e turmës.

“E gjithë bota e njeh vrasësin e Azem Hajdarit”, i tha Berisha turmës së ngacmuar. “Ai është Fatos Nano!”. Rreth mesditës, turma filloi të lëvizte. Në vend që të shkonin në varrezat e qytetit, ajo u drejtua për në bulevard, duke mbajtur arkivolet prej druri të gdhendur. Turma u nda më dysh, me një grup që gjarpëroi pas ndërtesës së bashkisë. Dy grupet u shkrinë në bulevard dhe shkuan si rrëke drejt zyrës së Nanos.

“Nuk do ta fusim Azemin në varr, derisa të japë dorëheqjen qeveria!”, ulërinin njerëzit, dhe në këtë moment Berisha u largua nga turma. Tre arkivolet ndaluan jashtë ndërtesës së Kryeministrisë në bulevard.

Turma u ngjit shkallëve dhe pastaj u tërhoq. Dy burra brenda hapën zjarr për paralajmërim, të ndjekur nga ata që ishin mbi tarracë. Turmën e zuri paniku. Tre ministrat, Thimio Kondi, Arben Malaj dhe Bashkim Fino, gjendeshin brenda në atë moment. “Pasi hapi zjarr Garda e Republikës, ata u tërbuan”, kujtoi Fino.

Ai dhe kolegët e tij vrapuan për nga dalja prapa. Finoja dhe Malaj kaluan bulevardin pa u vënë re dhe gjetën strehim në shtëpinë e Finos. Gjatë gjithë mëngjesit ishte e pamundur të gjendej Fatos Nanoja. Presidenti Meidani merrte vazhdimisht në telefon zyrën e tij, por nuk përgjigjej njeri.

U hap fjala se ai kishte dhënë dorëheqjen. “Fitore, fitore!”, bërtiti turma me gëzim. Rreth orës 13:00, Nanoja mori në telefon Bashkim Finon. Numri tregonte se Nanoja po merrte nga Maqedonia. “Duhet të kthehesh urgjentisht!”, më tregoi Finoja, se e kishte këshilluar kryeministrin.

Nëpër rrugë, militantët e PD-së përlesheshin me policinë. Makinat uturinin lart e poshtë bulevardit duke mbajtur burra me automatikë. PD-ja zuri dy tanke. Rreth pasdrekes, kryengritësit kishin hyrë me forcë në zyrat e Këshillit të Lartë të Shtetit, Gjykatës Kushtetuese, dhe të ministrive të Drejtësisë dhe Financave. Te zyrat e Parlamentit, turma përdori një tra si kryedash për të shkallmuar derën.

Pak blloqe më tutje, protestuesit hynë me forcë në ndërtesën e Radiotelevizionit shtetëror, me truprojën e Berishës, Izet Haxhinë, midis tyre. Një tank i zënë rrapëllinte jashtë, ndërsa punonjësit u fshehën nëpër studio dhe banjo. Rojet hoqën uniformat e tyre dhe u përzien me protestuesit.

Një drejtues i televizionit i kohës së Berishës doli në radio dhe njoftoi se PDja kishte çliruar stacionin nga klika e Nanos. Kreu i partisë së Mbret Lekës shpalli në televizion se institucionet e shtetit ishin ‘në duart tona”.

Qeveria i dërgoi një mesazh urgjent Berishës, ku i kërkonte të bënte thirrje për qetësi. Berisha tha se do ta bënte në qoftë se tek ai shkonin kamerat e televizionit. Rreth orës 16:00, televizioni shtetëror transmetoi një intervistë me udhëheqësin e opozitës dhe ish-presidentin nga selia e PD-së, në të cilën ai dënonte ‘vrasjen barbare politike të Hajdarit të planifikuar nga Kryeministri Fatos Nano”, por bënte thirrje ndaj qytetarëve për të ushtruar vetëpërmbajtje.

“Ne nuk mund të shkojmë përpara me anë të shkatërrimit”, deklaroi ai. “Ne duhet detyrimisht të japim një zgjidhje politike dhe të lëvizim drejt një zgjidhjeje politike, si një marrëveshje që do t’i japë shpresë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ardhmen që meritojnë ata”.

Në zyrën e presidentit, ministrat nervozë hynin e dilnin pa pushim. Nano vazhdoi të mbetej i zhdukur, dhe Meidani debatonte nëse duhet të mblidhte qeverinë. Gjatë pasdrekës, ai priti telefonata nga udhëheqësit nëpër botë: Prodi, kryeministri grek Simitis, presidenti turk Demirel, dhe sekretarja e Shtetit Albright, të gjithë të shqetësuar nga gjendja në përkeqësim e sipër e punëve.

Rreth orës 16:00, erdhi për të biseduar një delegacion nga PDja dhe parti të tjera opozitare. Presidenti ishte në telefon me kancelarin austriak, Ëolfgang Schussel, kur mbërriti grupi. “Nuk do të bisedoj me ta, ndërsa përkrahësit e tyre pushtojnë institucionet e shtetit”, tregoi Meidani fjalët që i kishte thënë Schussel-it.

“Këtë duhet ta deklaroni në televizion”, u përgjigj Shlussel- i. “Edhe televizionin ata e kanë”, tha me ton vajtues Meidani. Këshilltarët e presidentit zbritën poshtë për të takuar delegacionin.

Vizitorët thanë se ata nuk kishin të bënin fare me pushtimin e televizionit, pavarësisht se partia e mbretit sapo kishte deklaruar në televizion që institucionet e shtetit ishin “në duart tona”…