• |
ide | kryesore

Armiqtë e datës 21 janar

Arkiva, Ide
sokol shameti1.jpg



21 janari është historia e një mashtrimi të madh. Ajo nuk është vetëm historia e vrasjes së katër njerëzve të pafajshëm, katër dëshmorëve, nga një qeveri e korruptuar e vënë në shërbim të interesave koncesionare. Ajo nuk është gjithashtu as vetëm historia e një videopërgjimi që vërtetonte këtë korruptim me zë e me figurë. Ajo është edhe historia e miliona dëshmorëve potencialë që ishin atë ditë e gjithashtu janë edhe sot, të bindur se qeveri të tilla duhen rrëzuar me çdo çmim.
 
21 janari nuk është histori e vetëm datës 21 janar 2011, por e të gjitha datave të tjera të 25 vjetëve të fundit në të cilat ky popull është vjedhur, manipuluar, grabitur, vrarë, përqeshur nga ekrani dhe sunduar.Nuk do të ketë drejtësi për 21 janarin nga kjo klasë sunduese sepse ata janë shkaktarët e 25 vjetëve që prodhuan 21 janarin dhe drejtësi për 21 janarin do të thoshte ndëshkim për bëmat e tyre.
 
21 janari, pesë vjet pasi u përdor për të freskuar kuajt e pushtetit është çliruar më në fund nga keqkuptimi që iu imponua prej atyre që e përdorën. Tash ajo nuk është më thjesht data që shënon legjitimimin e njërit prej sunduesve në kurriz të popullit, por është data që shënjon revoltën legjitime të popullit kundër veprimeve që e shndërrojnë një qeveritar në sundues.
 
Sunduesit që shkaktuan 21 janarin për të ruajtur sundimin e tyre korruptiv janë zëvendësuar nga një gjeneratë tjetër sunduesish që e përdorën 21 janarin për të vjedhur shtetin por kjo nuk është ngjashmëria e vetme mes këtyre dy fytyrave të ndryshme të së njëjtës tirani. Nëse të parët vranë katër dëshmorë për të frikësuar 3 milionë të tjerë e për t'i bërë shembull ndëshkimi, të dytët kërkojnë ta mbajnë 21 janarin në pozitën e një shembulli dhe kaq. Ata duan ta pezullojnë arsyetimin tonë rreth shkaqeve që prodhuan 21 janarin duke e dënuar 21 janarin të mbetet një datë pa histori, pa të kaluar, pa të ardhme, pa zanafillë e pa pasojë.
 
Ata synojnë ta kthejnë këtë datë në një nocion bosh, një pikë të ngrirë në memorie, në një klishe të thjeshtë për të cilën deduktohet qorrazi siç dedukton Nard Ndoka për gjërat e mira pozitive dhe ato të këqiat negative.
 
Pesë vjet nga krimi i një qeverie të korruptuar kundër popullit dhe përrallat se qeveria Rama e ka të pamundur të bëjë drejtësi ngaqë drejtësia është e korruptuar, vazhdojnë të shtojnë shtresat e mjegullës mbi vështrimin tonë drejt 21 janarit. A mundet një qeveri që kërkon të sjellë kriminelët para drejtësisë ta bëjë këtë edhe kur kjo duket e pamundur? Më 1962, qeveria e Golda Meir-it e nxorri nga fundi i dheut artizanin e holokaustit Adolf Eichmann dhe e vuri përpara bankës së të akuzuarve. Prej tre vjetësh, policia shqiptare që ka në dorë të mbledhë provat që mungojnë për krimin e 21 janarit ha fara kikiriku dhe e shpenzon kohën duke shtënë në burg “kokëpalarë” të tjerë të ngjashëm me ata të 21 janarit, të cilët nxjerrin bukën rrugëve me djersë.
 
Kjo qeveri sot në pushtet, ka të gjitha mjetet në dorë për ta zbardhur këtë ngjarje e për të ndëshkuar fajtorët e saj. Por ndëshkim nuk do të ketë, sepse të ngjashmit s’mund ta ndëshkojnë njëri tjetrin. Edi Rama e di këtë, e ka ditur që në momentin kur rrejshëm premtoi drejtësi për këtë krim. Ai nuk do që 21 janari të kuptohet si moment klimaksi revolucionar i një gjendjeje të pashpresë ekonomike dhe shoqërore. Ai i do shqiptarët të cekët, jo kritikë, andaj edhe do që 21 janari të jetë vetëm një grusht shkronjash të palidhura me logjikë e të përmbledhura në pak fjalë të denja për një mendim të cekët analfabeti: 21 janar, opozitë, Berishë, bulevard, krim- dhe kaq.
 
Çdo nënshtrim i 21 janarit ndaj logjikës kritike, zbërthimit të arsyeve që e shkaktuan dhe pasojave që kjo ngjarje prodhoi, mund të sillte tek qytetarët zbulimin se në fakt, asgjë s'ka ndryshuar. Se në fakt jemi në të njëjtat kushte ku ishim para 21 janarit 2011 dhe se ato që kanë ndryshuar janë vetëm fytyrat. Prandaj, askush nga ata që janë në krye të pushtetit politik sot në Shqipëri, djathtas apo djathtas qofshin, nuk e duan mendimin tonë mbi 21 janarin, kjo datë për ta është e huaj dhe armike:
 
Kjo datë, është revolta jonë kundër tyre. /lapsi.al/