• |
ide | kryesore

Kush qenë gardistët e fjalës në 21 janar?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Një pjesë e madhe e mediave folën mbrëmë se si Edi Rama dhe Ilir Meta e pritën 21 janarin me nga një gotë verë përpara, më shumë të merakosur për të sheshuar hallet e pushtetit të sotëm, sesa për të kujtuar katër të vdekurit që prej pesë vjetësh vazhdojnë të qëndrojnë mes tyre.

Kjo hipokrizi e pështirë, ku kundërshtari cinik i “kokëpalarëve” dhe përbetuesi se do të bënte drejtësi për gjakun e tyre, kacafyten se si të ndajnë llokmat e pushtetit, nuk qe gjë përpara ndjenjës që të ngjallte emisioni “Opinion”, i cili po transmetohej në të njëjtën kohë kur Rama dhe Meta debatonin nën avujt e alkoolit. 

Zgjedhja për të ritransmetuar atë që protagonistët kishin thënë pesë vite më parë ishte e goditur.

Sepse përmes saj kujtojmë më lehtë temat që kemi diskutuar, në të nxehtë, menjëherë pas masakrës. Sepse përmes saj kuptojmë më mirë se sa i shkëputur nga realiteti dhe i ndikuar nga dhuna (jo vetëm fizike, por edhe propagandistike) e pushtetit ishte debati i asaj kohe.

Duke parë mbrëmë ritrasmetimin e “Opinion” habiteshe që nuk diskutohej se kush qëlloi mbi viktimat, por kush i çoi ata në pritë; Jo kush vrau, po kush provokoi; Jo kush kreu akte, por kush përfitonte; Jo kush derdhi gjak, por kush i preu demonstruesit në besë ; Jo kush po fshihte gjurmët, por kush kishte bërë puç.

Kjo ka qenë hullia ku e futi debatin një pushtet autokratik që quante më të rëndësishëm gërvishtjen e gardhit të kryeministrisë sesa jetën e qytetarëve të vet. Dhe nën këtë strategji u fabrikuan me dhjetra mashtrime. Asaj i shërbyen deklaratat e rreme sikur ai Mercedesi i verdhë që u kap tek dera e kryeministrisë ishte i mbushur me tritol. Sikur protestuesit mbanin çadra pistoletë dhe thika me helm. Po kësaj strategjie i sherbeu shndërrimi në simbol heroizmi (oh sa kronika pafundësisht të gjata bëri TV Klan për të) i atij gardistit që mbrojti flamurin, ndërkohë që në zyrat e kryeministrisë fshihej serveri dhe prisheshin filmimet që tregonin atë që kish ndodhur realisht.

Kuptohet, dalëngadalë kësaj loje i doli boja. Fillimisht u shfaq videoja e gazetarit Artan Hoxha që tregone se plumbat erdhën nga gryka e pushkës së gardistit Llupo. Më pas erdhi raporti i FBI-së që fliste për rolin e komandantit të gardës Prendi, të cilën Berisha shkoi ta përkrahi menjëherë pas ngjarjes. Pastaj u kuptua më mirë se pse nuk u la prokuroria të hetonte dhe se pse u shpik teoria e “zinxhirit komandues” për të mos zbuluar vrasësit e vërtetë.

Të gjitha këto, pak nga pak, e bënë të ditur për këdo që do të arsyetojë se kush vrau realisht në 21 janar.

Për këtë nuk ka më dilema.

Por pluhuri i kohës ka arritur të zbehë kujtimin e mbrojtësve mediatikë të vrasësve. Të atyre që për shumë kohë, na frynë kokën me teori konspirative. Të atyre që, nën efektin e frikës, parasë apo qoftë edhe miklimit të pushtetit, përdorën gjithçka për ta shpënë debatin në hullinë fallco ku e kërkone Berisha.

Pikërisht për këtë, ritransmetimi dje i emisionit “Opinion” ishte i vlefshëm. Se ai na mundësoi të rizhytemi në detin e gënjeshtrës së djeshme. Ku gardistët e fjalës ishin po aq të rrezikshëm sa ata që qëndronin pas gardhit të kryeministrisë.

Pasi njësoj ata i shërbyen një pushteti që vriste.

Dhe kulmi është që shumë prej tyre kanë filluar t’i shërbejnë me të njëjtin zell pushtetit të ri.

Prandaj hipokrizia nuk duhet kërkuar vetëm në faktin se Rama dhe Meta u ulën të pijnë bashkë, në prag të pesë vjetorit të masakrës /Lapsi.al/