• |
ide | kryesore

Blushi dhe socialistët lakuriq

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Partia Socialiste, pasi ka kapërdirë turpin e heshtjes, tashmë po përjeton edhe paturpsinë e përdorimit për nevojat e ngushta të kryetarit të saj. Një normë statutore, të cilën deputeti Ben Blushi kërkon të respektohet dhe për rrjedhojë t’i hapë rrugën një kandidimi të mundshëm të tij përballë Edi Ramës, ka nxjerrë zbuluar në sytë e publikut një Parti Socialiste, të katandisur më keq se PD në kohën e drejtimit me dorë të hekurt nga Sali Berisha.

Më keq sepse debati në PS nuk po zhvillohet më rreth faktit nëse ndryshimet që pritet të bëhen në statut kanë fuqi prapavepruese ose jo, nëse kryetari- kryeministër duhet të votohet në Kongres apo me një anëtar një votë, nëse duhet penalizuar gara çdo katër vjet apo duhet zhvilluar ajo. Jo, në vend të debatohet për këtë garë, një tjetër më e fortë ka mbërthyer “vullnetarët e Edi Ramës”: kush do t’i shërbejë më shumë kryetarit dhe kush do ta demaskojë më tepër kundërshtarin.

Në radhë janë vënë shokët socialistë që janë në qeveri. Në radhë edhe ata në parti që presin që shefi t’u kthejë vështrimin. Një garë e shfrenuar për të treguar, kush të mundet i pari, se kryetari nuk ka nevojë të votohet, se atë e ka votuar populli, se statuti mund të ndryshojë, se Blushi po i shërben opozitës, se qeveria po njeh vetëm suksese. 

Këtë situatë, që vetë Rama dikur mund ta etiketonte si moçali i politikës së vjetër apo këneta e individëve të përdorur, ai nuk mund të rrinte pa e shijuar. Dhe kështu, radhës së atyre që vetofrohen, me një perversitet të pamëshirshëm, ai u shtoi edhe “trimat” që njiheshin si miq të Ben Blushit. Edhe këta, me të marrë shenjë nga kryeministri kapën mikrofonat për të dëshmuar devotshmëri. Asnjë prej tyre nuk tha jo, as vetëm e as në çift. Të gjithë dolën të zbatonin porosinë.

Me përdorimin e këtij sojit të fundit, Rama nuk u hakmorr thjesht ndaj Blushit. Ai njëkohësisht shpalli në publik se askush nuk mund të dalë mbi autoritetin e tij, se dyshimet për individë me integritet apo moral politik janë pallavra, se epoka e partisë me demokracinë më të shëndoshë ka mbaruar dhe shëndeti i liderit është edhe ai i partisë.

Edi Rama ka qenë i qartë në përdorimin deri në palcë që u bëri ministrave dhe vartësve të tjerë në parti për të mohuar një të drejtë bazike, atë të konkurrimit. Kur ishte në opozitë, ai vetë fshikullonte radhën e ministrave që Sali Berisha nxirrte në podiume për të goditur kundërshtarët politikë dhe u bënte thirrje atyre të mos e nëpërkëmbnin personalitetin e tyre për hir të interesave të shefit të madh. Më herët se kaq, në vitin e largët 2001, Edi Rama e kishte provuar nën lëkurë se çfarë do të thotë përdorimi politik. Pikërisht në kohën kur, Ilir Meta kryeministër, e detyronte të dilte përpara bashkisë apo të gjente batuta me Robert Çamçakëzin për të demaskuar Fatos Nanon. Prandaj, i vetëdijshëm për këtë përdorim, Rama po tregohet i pamëshirshëm tani që është radha e tij.

Për këtu nuk është fjala vetëm për ata që janë të gatshëm të shërbejnë apo ata që përulen që në provën e parë. Ata nuk përbëjnë ndonjë çudi. E gjithë karriera e tyre është ngritur dhe është e varur nga humori i Edi Ramës. Ata nuk kanë bërë diçka tjetër në jetë dhe e kanë të huaj konceptin e lirisë. Befasia qëndron me disa të tjerë që nuk guxojnë të flasin dhe që nuk arrijnë të shprehin as minimumin e mendimit të tyre. Të thonë fjala vjen që e mbështesin qeverinë, që nuk janë dakort me Blushin, por që konkurrimi në një parti është themeli i ngrehinës së saj. Që një parti pa garë dhe pa demokraci të brendshme është e destinuar drejt autoritarizmit dhe përfundon në duart e një njeriu të vetëm.

Për këtë nuk flet përshembull as Pandeli Majko, të cilit rregullat demokratike të PS së dikurshme i dhanë mundësinë që në moshën 30 vjeçare të bëhej kryeministër e të kandidonte edhe për kryetar. Njësoj siç kandidoi edhe vetë Rama në vitin 2003. Dhe si Pandi, nuk flasin as shumë të tjerë që janë dëshmia e heshtur e një partie dikur model i demokracisë së brendshme. Nëse dëmi i atyre që garojnë për të dëshmuar devotshmëri është i parashikueshëm, heshtja e pjesës tjetër bëhet më e rëndë. Pas 25 viteve betejash politike, është e trishtueshme të shohësh themelues të PS që vegjetojnë me kokën ulur për t’u ngrohur nga dielli i Edi Ramës.

Sfida e Blushit mjaftoi për të nxjerrë në publik atë që dihej e thuhej prej kohësh, fundin e një Partie Socialiste si model perëndimor dhe antitezë e rivales së saj historike, PD. Të një partie me debat të brendshëm, me liri mendimi, me bashkekzitencë të flukseve të ndryshme, të hapur dhe në sinkron me shqetësimet e shoqërisë. Për t’ia lënë vendin një grupimi që ekziston në funksion të kryetarit dhe interesave të tij, një organizëm tipik ballkanik që frymon me liderin dhe jo me interesin publik. Kjo është Partia Socialiste sot. Blushi vetëm sa e vuri në provë. /mapo/