• |
ide | kryesore

Orhan Pamuk rrëfen romanin e tij të fundit

Arkiva, Planet
Orhan-Pamuk-637x424.gif

“Ja këtu rri unë”, thotë ai duke i vendosur duart mbi një tavolinë të vogël të rrumbullakët druri përpara dritares.


Më pas, mendja e tij kthehet më 12 janar.


“Ajo nisi si një ditë e paqtë. Unë sapo kisha përfunduar romanin tim të fundit dhe po shkruaja një artikull. Papritur, bum! Menjëherë e kuptova që ishte një sulm me bombë. E dini, në të shkuarën çdo ditë ka ndodhur kështu. Në vitet 1970 ishim mësuar. E njoh mirë zhurmën e një shpërthimi.”

Më 12 janar, 11 njerëz humbën jetën pas një sulmi terrorist afër Xhamisë Blu.

Banesa e shkrimtarit nobelist është e vendosur në lagjen “Cihangir”, vetëm pak kilometra larg vendit ku eksplozivi shpërtheu. Imazhi që shihet nga dritarja e apartamentit është po aq e famshme sa edhe vetë autori. Sepse një nga librat e tij titullohet: “Pamja nga dritarja ime”. E përsëri ky imazh të mbërthen të gjithin befasisht, sepse në mënyrë të papritur ti përballesh me një panoramë kaq të gjerë e frymëzuese nën një qiell dimri gjigant blu. Duket sikur tavolina e tij rri pezull në ajër. I gjithë Bosfori është mu para teje, me Azinë në të majtë dhe Europën në të djathtë. Në qendër lundrojnë anijet, e kundruall është një xhami. Ndërkohë shoqëri të bëjnë mjaullimat e maceve dhe thirrjet e pulëbardhave, bashkë me ndjesinë që të jep ajri i ftohtë. Pamja i shkon për shtat një njeriu që gjithnjë është quajtur si ndërtues urash mes Lindjes dhe Perëndimit, Azisë dhe Europës. Por Pamuku e urren këtë gjë. Ai thjesht përpiqet të shkruajë romane të mira që kanë rrënjë të forta në kulturën turke dhe otomane. Por gjithashtu nuk harron të lërë shenjën e dashurisë që ka për jetën dhe letërsinë perëndimore.

Politika

Që përpara se biseda jonë të nisë, ai sugjeron radhën e temave që do të diskutojmë.

“Të lutem, e nisim me politikë. Do ta mbarojmë të parën e kështu do të jemi të lirë të flasim për letërsinë.”

Shkrimtari nxjerr një fletore, nga e cila më pas lexon disa fjali në formën e deklaratave. Bisedën e nis me bombën. Se si ai pas shpërthimit priti në ankth 10 minuta, përpara se të kontrollonte në kompjuter e të shikonte se frika që kishte, ishte kthyer në realitet. Kur kishin kaluar 20 minuta, nisi të merrte email-e nga gazeta anembanë botës, nga vende si Italia, Gjermania, SHBA-ja që i kërkonin një deklaratë. Por asnjë email nuk erdhi nga Turqia.

“Bombat janë një ngjarje normale për ne. A doni t’ju them diçka për IS-in? OK, është një organizatë johumane, primitive dhe e llahtarshme. Por e dini çmendoj? Media i kushton shumë rëndësi IS-it. Kjo i kënaq terroristët. Plus që në raportim mungojnë analiza dhe një mendim i zgjuar. Kjo e ndihmon IS-in dhe unë këtë mesazh dua të dërgoj.”

Pamuk flet edhe për demokracinë e gjymtuar turke dhe për faktin se në atdheun e tij mungon liria e shprehjes. Mendimin e çon te një mik gazetar i burgosur dhe se si qeveria u bën presion mediave që të fshehin të vërtetën. Ankohet se në ditët e sotme në atdhe mungon ndarja e pushteteve.

“Doktrinat e Monteskjesë nuk janë shumë popullore këtu”. Vetëm pas kësaj nis të komentojë seriozisht. “Unë jam novelist, kështu që them atë çfarë më pëlqen. Por Turqia nuk është në moment të mirë dhe unë nuk dua të flas për çdo gjë, çdo ditë”.

Libri më i suksesshëm

Pamuk është një njeri kurajoz dhe shkrimtar i madh. Para 10 vjetësh u akuzua se ofendoi Turqinë, pasi foli për gjenocidin armen. Kjo e futi në listën e vdekjes së ekstremistëve nacionalistë, në të cilën bënte pjesë edhe miku i tij turko-armen Hrant Dink. Ky i fundit u vra më 2007-n me armë në Stamboll. Dikur shteti i kishte caktuar tre truproja për ta ruajtur, kurse tani ka vetëm një që e thërret sa herë dëshiron të dalë.

“Nuk ka urrejtje si dikur dhe as presion politik krahasuar me 10 vite më parë”, thotë.

Libri i tij i fundit “Një ndjesi e pazakontë në mendjen time” ka qenë më i suksesshmi në Turqi. Romani tregon historinë e Mevlutit, një i ri që vjen në Stamboll nga fshati i tij në Anadoll më 1960-n dhe nis punën si shitës në rrugë. Këtë profesion do ta ushtrojë gjatë gjithë jetës. Ai shet bozë, një pije që përmban pak alkool, e që lejohet për t’u tregtuar, pavarësisht rregullave strikte fetare. Mevluti është një djalosh i varfër në qytetin e madh dhe ndryshe nga shumica e njerëzve që do të vijnë me të, i tillë do të mbesë. Ai është protagonist naiv, optimist, që ka dhuntinë të dallojë lumturinë e të kapet fort pas saj kur e ka. Në dasmën e kushëririt bie në dashuri me një vajzë të re. I dërgon për disa vite me radhë letra dhe në fund e rrëmben atë. Por djaloshi u mashtrua. Ai mori gruan e gabuar, motrën më të madhe të dashurisë së tij. Kushëriri gënjeshtar, që prej nisjes, i kishte thënë emrin e gabuar dhe letrat kështu i kishin vajtur të motrës. Të kthente vajzën nuk bëhej fjalë. Mevluti mund të quhet një pragmatist i lumturisë. Ai gëzohet nga fakti që vajza që rrëmbeu vlerësoi shtëpinë e tij modeste dhe madje edhe letrat që i kishte nisur. Në këtë histori dashurie, gruaja e gabuar bëhet e duhura.

“Oh, unë nuk e di pse ndodh kjo”, thotë Pamuku dhe qesh.

“Mendoj se më shumë ka të bëjë me seksin. Me njëri-tjetrin kryejnë për herë të parë marrëdhënie seksuale. Ata janë të lumtur. Ai është një person mirënjohës, i matur. Kjo është e gjitha.”

Për 44 vjet dhe 575 faqe, Stambolli shkon në 10 milionë banorë dhe mundësitë janë të mëdha për banorët e tij. Mevluti ka shansin për t’u bërë i pasur, por nuk i shfrytëzon. Është hera e parë që Pamuku, i cili vjen nga në familje e shtresës së lartë, shkruan për dikë nga shtresa punëtore.

“Një kushdo”, thotë ai. Gjithsesi, “një ndjesi e pazakontë në mendjen time” ka politikë brenda, sepse përshkruan korrupsionin, betejat politike, luftën ndaj kurdëve, urbanizimin dhe viktimat e shkatërrimit dhe rindërtimit.

Duhej të ishte roman i shkurtër

Pamukut iu deshën gjashtë vite ta shkruante librin, më shumë kohë se çdo vepër tjetër.

“Më ndihmuan të rinj që hapën tek unë horizonte të reja. Por shumicën e intervistave i bëra vetë, me lloj-lloj njerëzish. Shumë qenë të rezervuar e dyshues, por të tjerë të emocionuar për të më rrëfyer historitë e tyre. Madje më telefononin e më tregonin për kushërinjtë e tyre dhe historitë që mbanin mbi supe. Tani kam aq material sa të shkruaj disa libra të tjerë. Mendova të shkruaja një roman të shkurtër, por thjesht kishte shumë për t’u rrëfyer. Njësoj si ‘Uliksi’ i Joyce-s. Edhe ai në fillim nisi të shkruante një libër të shkurtër.”

Lumturia

Gjatë bashkëbisedimit ne dalim në ballkon. Ndërtesat e larta në zonën aziatike shkëlqejnë në dritën e kuqe të diellit.

“Nuk do e besoni se sa poema kam bërë i frymëzuar nga kjo dritë, nga kjo pamje.”

Pamuk tregon se marifeti për të bërë shkrime të mira është t’i shikosh gjërat nga një këndvështrim i ri dhe ekzotik. Ai gjithçka e bën me plan dhe shton se ka studiuar arkitekturë. Kjo e ka ndihmuar për të shkruar për Stambollin dhe ndryshimin e tij.

“Vetëm në kapitullin e fundit ti krijon, aty asgjë nuk planifikohet më.”

Në pallatin ku banon, dy kate më sipër, shkrimtari turk ka një tjetër banesë me pamje që të lë pa frymë. Momentalisht vetëm librat ‘banojnë’ aty. Ata janë të paketuar në kuti të panumërta, ndërsa rafte boshe presin për rezidentët e ardhshëm. I rrethuar nga kaq shumë libra, nobelisti habit: “Unë nuk jam një njeri i lumtur. Nuk është në natyrën time. Por gjithashtu nuk mendoj se ne jemi në këtë botë për të qenë të tillë. Sigurisht jam një shkrimtar i lumtur, por jam i bindur se kurrë s’do të jem një njeri i lumtur”.

Spiegel / Marrë nga Shqip

Kthehu