• |
ide | kryesore

Kerri si karamele për të gënjyer turmat

Arkiva, Ide
sokol shameti1_0.jpg



Në përfundim të një dite frenetike, ku Shqipëria u paralizua dhe jeta ngriu për afro 8 orë, të gjithë ngrenë pyetjen se për çfarë vlejti vizita e sekretarit amerikan të shtetit dhe buja këmbëngulëse me të cilën u mvesh ajo?

Vëmendja gati maniakale e autoriteteve për ta bërë këtë vizitë të duket sa më historike, sa më serioze e sa më spektakolare në çdo centimetër të avancimit së saj nga Aeroporti në zemër të Tiranës e kthim, e ka të vështirë të justifikohet me arsyet që u bënë të ditura zyrtarisht si temat e bisedave të Xhon Kerrit me dinjitarët vendas.

Kjo vizitë nuk ishte për të shënuar 25 vjetorin e rivendosjes së marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve, sepse kjo u përgënjeshtrua nga një deklaratë e departamentit të shtetit i cili në brifingun shpjegues me mediat sqaroi se vizita ishte thjesht kompensim për mënjanimin e Tiranës gjatë turit të fundvitit që shkoi të sekretarit Kerri në Ballkan.

Gjithashtu kjo vizitë nuk kishte qëllim diskutimin e çështjes së pranimit të 2000 muxhahedinëve nga ana e Shqipërisë, sepse realisht si qeveria ashtu edhe opozita në Tiranë po bëjnë garë në zellin për t’u treguar sa më të gatshme në pranimin e tyre dhe sikurse u konstatua nga komentues të tjerë, “një çështje që ka dakordësi nuk vlen të diskutohet”.

Reforma në drejtësi apo miratimi specifik i një pakete ligjore të brendshme në një vend të vogël mik ndër dhjetëra vendet e vogla mike që kanë SHBA-të, nuk duket një arsye e mjaftueshme që shefi i politikës së jashtme të Uashingtonit të ngrihet e të marrë avionin për të kuturisur në qiejt dimërorë të Ballkanit thjesht sa për të sheshuar sherrnajën e disa politikanëve provincialë e mistrecë në Tiranë.

Herën tjetër Xhon Kerri s'do të ketë nevojë as të zbresë fare në tokë – mjafton të tundë shaminë nga dritarja e aeroplanit dhe qeveritarët tanë do e kenë rreshtuar poshtë bandën frymore me gjithë gardën e nderit duke i bërë pritje zyrtare nga distanca.

Një pompozitet i tillë i sforcuar si ky ku u bëmë dëshmitarë, buron jo vetëm nga dashuria e papërmbajtshme e tyre ndaj Amerikës, as thjesht nga servilizmi i imponuar prej frikës së më të fortit.

Ky ekzaltim ceremonial rrjedh kryesisht dhe para së gjithash nga dëshira për t'iu imponuar popullit tënd me anë të iluzioneve dhe jo me anë të rezultateve. Me anë të krijimit të përshtypjes sikur je personalitet kalibri botëror, manipulim ky, i cili synon të relativizojë, të neutralizojë dhe mundësisht të mbysë kritikën për dështimin tënd konkret në qeverisjen e vendit më të varfër dhe më të korruptuar në kontinent. (shkruar per Lapsi.al)