• |
ide | kryesore

Zhvarrimi i Kodrës si vazhdim i kitschit

Arkiva, Blog
35D8EDDEC86EE03CA6CE570357C0D50E.jpg

Nga Fatos Lubonja


Këto ditë është bërë një zhurmë lidhur me vendimin e Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra, të varrosur në vendin e tij të lindjes, Ishëm. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Kodra, të drejtuar nga Pacolli, ai na paska kërkuar të varroset në një vend të bukur në Tiranë dhe, prandaj, Ministria ka vendosur se ky vendi i bukur na qenka Panteoni në Kodrat e Liqenit.


Sigurisht Kodra nuk e ka lënë një gjë të tillë me testament se kjo do të ishte qesharake. Më me gjasa kemi të bëjmë ose me historinë e njohur që vijnë disa dhe zhvarrosin edhe të vdekurit me pretendimin se po bëjnë histori, ose me ndonjë gjë edhe më banale: se i ka shkrepur Pacollit për ta vënë atje; ka dhënë edhe ndonjë lekë për këtë punë, si pasanik që është, dhe Ministria nuk do t’i humbasë këta lekë se ndokush fut edhe ndonjë llokmë në xhep për vete me këtë rast.

Megjithatë, nuk më shtyu të ulem të shkruaj për këtë polemika e varrimit, por tema e kulturës me të cilën vishet ky banalitet i Ministrisë sonë të Kulturës që shfaqet kudo, jo vetëm në këtë rast.

Ibrahim Kodra është një artist me origjinë shqiptare nga Kosova, që ka lindur në Ishëm dhe që e ka zhvilluar aktivitetin e tij krijues në Itali. Kush ka mundur të ndjekë pikturën e tij, do të konstatojë se i përket një pikture kubiste ku ndikimet e Picasso-s ndihen shumë.

Nëse do ta vendosim në kontekstin e historisë së artit italian, duhet thënë se në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai ka zhvilluar aktivitetin e tij, në Itali arti figurativ ka njohur zhvillime të tjera nga kubizmi– që nga action painting dhe arte povera tek ai konceptual, që nga videoarti e deri te trans-avanguardia, për të përmendur vetëm disa nga këto zhvillime.

Në këtë kontekst, Kodra duhet të konsiderohet piktor italian, që ka gjetur veten në artin që ka bërë, dhe se si ai, Italia e gjysmës së dytë të shekullit XX ka pasur shumë artistë, më të shquar dhe më pak të shquar. Nëse do ta shohim si shqiptar, duhet thënë se ai ka pasur fatin të mos jetojë në diktaturën që artistët i kyçi në metodën e realizmit socialist, prandaj dhe të jetë ndër të paktët shqiptarë që ka mundur të bëjë art modernist në vitet ‘45–‘90.

Ndërkohë, nëse do të kërkojmë të gjejmë ndikime të tematikës apo traditës shqiptare në veprën e tij, do të thosha se nuk ka të tilla; por mund të flasim për një atmosferë mesdhetare të veprave të tij. Nuk kam ndërmend të hyj më thellë në vlerësimin e veprës së tij, sepse s’është ky thelbi i shkrimit.

Ajo që dua të them është se vepra e Kodrës, përtej vlerës që mund t’i japim asaj – çka mbetet edhe shumë subjektive -nuk lidhet dot me kuptimin që ka një panteon i figurave të kulturës shqiptare – ndërkohë që edhe vazhdimi i një panteoni të tillë është, sipas meje, një ide anakronike, për të mos thënë qesharake.

Figura të tilla, si vëllezërit Frashëri, janë vendosur në të ashtuquajturin Panteon, si figura të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar, sepse vepra e tyre, duke filluar që nga gjuha që kanë përdorur, e për të vazhduar me tematikën e jetës dhe veprës, është shqiptare. Normalisht ata do të duhej të ishin vendosur atje jo në kohën e Enver Hoxhës, por më herët, siç i gjejmë në shumë vende të tjera figurat e nacionalizmit (duke pasur parasysh se ideologjia komuniste ishte internacionaliste) dhe në këtë kuptim një panteon i tillë, i ngritur në kohën e komunizmit, është edhe ai anakronik; por duke pasur parasysh se ideologjia e atij pushteti, veçanërisht pas prishjes me BS, ishte një sinkretizëm paradoksal i komunizmit me nacionalizmin, mund të thuhet se vëllezërit Frashëri qëndrojnë atje si mishërim i kulturës nacional – komuniste të kohës së Enver Hoxhës.

Sjellja e Konicës në atë Panteon, pas rënies së komunizmit, është tregues i faktit se megjithëse komponentja komuniste ra nga ideologjia e vjetër e pushtetit, komponentja nacionaliste e saj mbeti, duke i dhënë jetë një ideologjie që në shkrime të tjera e kam quajtur nacional-europianiste (ku europianizmi zëvendësoi komunizmin në të njëjtat struktura mendimi të njerëzve) për shkak se kultura dhe legjitimiteti i elitës sonë të paskomunizmit, strukturat e saj të mendimit, ishin po ato.

Gjithsesi, në kontekstin e këtij anakronizmi, sjellja e eshtrave të Konicës atje ka një kuptim, sepse vepra e tij është e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare.

PO KODRA Ç’PUNË KA NË ATË PANTEON?

Kodra, në fakt, nuk ka asnjë lidhje sepse, së pari, tematika e veprës së tij nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare; së dyti, sepse ai është përfaqësues i një Europe post-nacionaliste, kur piktorë të tillë nga të cilët ai është frymëzuar, si Picasso, e kanë denoncuar madje nacionalizmin, çka përçohet qartë edhe në shumë prej veprave të Kodrës; së treti, sepse ka kaluar shumë kohë tashmë për ta kuptuar e mësuar këtë.

Mirëpo rilindasve që pretendojnë të ndryshojnë gjithçka (për të mos ndryshuar asgjë) ky mësim nuk u intereson, sepse s’ka gjë më të lehtë për të ruajtur pushtetin se të ruash të njëjtat struktura mendimi te njerëzit. Kështu Kodra lëvizet nga varri jo për shkak të asaj që ai përfaqëson, por për shkak të kulturës (për të mos thënë injorancës) së atyre që duan ta ngulin në atë Panteon.

Duke qenë se ka bërë një lloj emri jashtë, ai është përzgjedhur për t’u mitizuar me teknikat e kulturës së vjetër nacional– romantike e pastaj nacional – komuniste, duke u nisur nga dy nevoja të vjetra të rilindësve tanë të shekullit XIX– të shprehura shumë qartë në veprën e Konicës: Së pari, “nevoja identitare” apo e “krenarisë identitare” Pra për t’i thënë botës se edhe ne shqiptarët ekzistojmë dhe madje jemi krenarë për ekzistencën tonë dhe si provë për këtë kemi njerëzit e shquar që njihen në botë, që janë shqiptarë apo me origjinë shqiptare.

Së dyti, në kontekstin e shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe “kthimit” ose futjes së vendit në Perëndim (sepse, nëse do të bëhej fjalë vetëm për njerëz të shquar mund të përzgjidheshin edhe shumë shqiptarë që kishin shkëlqyer gjatë 5 shekujve të Perandorisë) – këto figura zgjidheshin me profil properëndimor. Konstruksioni i mitit të Skënderbeut është ilustrimi më i mirë i këtyre dy nevojave.

Problemi është se nëse në shekullin XIX ndërtimi i miteve të tilla ishte sidokudo në frymën e kohës; nëse në kohën e Enver Hoxhës nacional–komunizmi u imponua me dhunë dhe askush nuk guxonte të thoshte një fjalë për monumentet kitsch që ngrinte regjimi duke filluar që nga Muzeu i Skënderbeut në Krujë apo Muzeu Kombëtar që prishi Bashkinë dhe sheshin qendror të Tiranës, në shekullin XXI-të kesh mbetur te nevoja për afirmim të identitetit kombëtar, të kesh nevojë të legjitimohesh nëpërmjet perëndimorëve, është një vetë- demaskim që të bën qesharak dhe të nxjerr jashtë botës.

 

Siç jemi bërë qesharakë duke manipuluar me të njëjtat teknika nacionaliste edhe veprën e Nënë Terezës, p.sh., duke i vënë çdo gjëje të mbetur pa emër, emrin e saj; ndërkohë që ajo e shkreta nuk mund të mbrohet dot nga injoranca dhe abuzimi ynë me të – shumë-shumë mund të thotë duke na vështruar nga qielli: “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë.”

Siç bëhemi qesharakë kur, në vend se të ruajmë shtëpitë e shkrimtarëve ashtu siç kanë qenë, në vërtetësinë e thjeshtësinë e tyre, i shembim ato e ndërtojmë në vend të tyre muze kitsch në stilin e shtëpisë së Enver Hoxhës. (Rasti Kadare). Por nëse Kadareja është në terrenin e kulturës që ka gatuar vetë, prandaj dhe e pranon, ç’taksirat ka Kodra të përdoret nga kjo kulturë për të manipuluar shqiptarët që e shfaqin pastaj këtë kulturë deri në format më groteske, si p.sh. duke u bërë thirrje futbollistëve me origjinë shqiptare të lindur, rritur, edukuar e trajnuar në Zvicër që të ndihen shqiptarë dhe jo zviceranë e prandaj, mundësisht, të bëjnë ndonjë autogol në portën e Zvicrës?

Kaq të bindur janë rilindasit nacional–europianistë se po i bëjnë nder Kodrës, saqë as nuk e vënë në dyshim se ndoshta ai mund të mos pajtohet me atë çka përfaqëson ai Panteon, se si artist vendosjen e tij atje ai mund ta shihte, si dëshmi të atij provincializmi ballkanas për të cilin antropologu i njohur bullgar Ditchev, thotë ka një shekull që ndjek politika kulturore, që, në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it si importim dhe imitim banal i asaj që është prodhuar kohë më parë në vendet e huaja.

Do të ishte mirë që rilindasit me në krye Kryeministrin artist ta lexojnë se si i përgjigjet Ditchev pyetjes se përse kjo formë e kitsch-it është kaq e rëndësishme pikërisht në Ballkan: “Sepse atje elita nuk është legjitime. Sepse kjo elitë në të shumtën e rasteve ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të kaosit. Dhe sepse ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm për të qëndruar në pushtet.

Ndaj ajo bën përpjekje të dëshpëruara për t’u kapur pas ndonjë ‘bote të jashtme’, që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse e imituar në mënyrë banale, përdoret si për t’i vënë vata uniformës së pushtetit.”/ Panorama

2 Comments

  1. Lubonja e paska kuptuar me
    Lubonja e paska kuptuar me sakte nga te gjithe. Llokma, llokma qe hyn ne xhepat e ndonjeres ne ministri te kultures, eshte thelbi.

Kthehu