• |
ide | kryesore

Idiotët e rrjeteve sociale

Arkiva, Blog
idrizi.jpg



Nga Arben Idrizi/ A nuk kishte të drejtë Eco, vetëm pak muaj para se të vdiste, kur dha një verdikt që nuk u pëlqeu shumicës? Duke qenë një njohës gjenial i komunikimit dhe, e kjo është më e bukura (sepse kështu e kanë gjenitë), duke mos qenë fare përdorues i rrjeteve sociale, ai kishte rrahur në shenjë: ato u japin të drejtë fjale sidomos dhe mbi të gjitha mbarë atyre legjioneve të imbecilëve. Tamam. Sidomos, ishte sqaruar tutje, imbecilëve, zëri i të cilëve do të ishte dëgjuar vetëm në ndonjë kafene, pasi t’i kishin zbrazur dy a tri gota; veçse, ai zë do të kishte mbetur aty, se askush s’do të kishte marrë përsipër mundin dhe turpin t’i përhapë jashtë.

Ja, kështu tashmë janë në përgjithësi rrjetet sociale, e patjetër edhe këtyre ditëve: kafene ku imbecilët “i çojnë dy a tri gota” dhe nisin të bëjnë shamatë çoroditëse dhe çmendëse.

 

***

Tani, që të mbetemi tek Eco (dhe të vazhdojmë t’i bëjmë homazhe), ai, në tekste të tij të mëhershme,  ka bërë edhe dallimin mes imbecilit, kretinit dhe budallait. Kretini, thotë ai, është ai që e çon lugën te balli në vend se të goja; ai që nuk kupton çfarë i thua. Deficiti i budallait është logjik, jo shoqëror. Në shikim të parë duket se budallai është duke arsyetuar në mënyrë korrekte, është zor ta kapësh me të parën se nuk është ashtu. Prandaj është i rrezikshëm, thotë Eco. Po përpiqem ta modifikoj shembullin e tij. Budallai do të thotë:  ‘Të gjithë banorët e Ballkanit janë shqiptarë. Të gjithë shqiptarët janë ilirë. Prandaj të gjithë ilirët janë banorë të Ballkanit’. Ke dyshimin se ka diçka që nuk shkon, sepse ti e di se ka ilirë të Dalmacisë, për shembull. Por nuk arrin ta shpjegosh menjëherë ku dhe pse ka gabuar. Duhet t’i njohësh rregullat e logjikës formale. Po imbecili? Imbecili (që shpesh na duket të jetë i njëjtë me budallain) është ai që në një moment të caktuar do të thotë pikërisht atë që nuk duhet ta thotë. Është autor gafash të pavullnetshme. Imbeciliteti pra është tipar shoqëror.

Siç e shohim, nuk është se këto sqarime e shterin problemin.

 

***

Reagime të tilla prej imbecili, në kaq e kaq raste, pati edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, kryeministri Mustafa disa herë bëri deklarata të pamatura që, le ta përdorim këtë klishe, nuk i kanë aspak hije dikujt në pozitën e tij politike, e assesi dikujt me titujt e tij shkencor. Jo pse mund të mos kishte të drejtë në rastin Haradinaj, por sepse nuk i lejohen reagime të atilla inatçore dhe instinktive nga pozita në të cilën gjendet. Përkundrazi, është përgjegjës që krime të atilla monstruoze të supozuara të mos mbesin të pahetuara.

E nuk kishte aspak të drejtë këtyre ditëve, kur, përmes një postimi po ashtu plot gabime drejshkrimore, reagoi ndaj disa grave (të cilat edhe ashtu nuk i përmendi me emra, por që linte të nënkuptohej se ai i njihte mirë, e ndoshta edhe ato atë), duke hedhur në adresë të tyre sharje e përçmime, të cilat zor se do t’i kishte thënë dikush i disponuar për sharje të tilla para se t’i ketë zbrazur nja tri gota.

Apo në sharjet e ndërsjella me Jakup Krasniqin, ish kryetar i Kuvendit, sado që ai nuk është asgjë më shumë se një imbecil tipik, po ashtu me titullin doktor shkence.

Se a është a nuk është kryeministri ynë imbecil mund të jetë një debat i pafundmë. Unë nuk jam këtu duke thënë se ai është imbecil në vetvete. Por, e për këtë edhe mund të jemi të pajtimit të gjithë, reagimet e tij të tilla janë reagime prej imbecilësh që në kafene sapo i kanë çuar tri gota. E tash, fatkeqësisht, ato fjalë dalin në publik, e shpërthejnë atë murin e kafenesë, që dikur ishte i pathyeshëm. Dhe një shoqërie e tërë preket prej tyre. S’do mend, një pjese iu pëlqejnë dhe i tumirin, e një pjesë tjetër e irritojnë.  

Pastaj, dreqi e mori, çfaro do kryeministri i vendit në rrjetet sociale, duke shkaktuar skandale të tmerrshme të tilla çdo muaj? Nuk ka pas vetes ndonjë kabinet këshilltarësh, meqë atë vetë e kanë çoroditur “tri gotat”, që t’ia sqarojnë se disa deklarata nuk mund të bëhen? Pavarësisht inateve, përçarjeve dhe krizave politike.

Kur ky lloj imbecillëku i ndodh një kryeministri dhe akademiku, çfarë të themi mandej për tërë ata deputetë pa ndonjë kualifikim të rëndësishëm dhe mbarë ata qytetarë të tjerë, me çfarëdo apo pa kurrfarë edukimi?

Çfarë të themi për imbecilët që kurrë nuk do t’i njihnim sikur të mos ishin Kuvendi dhe rrjetet sociale, si Zafir Berisha, Pal Lekaj, Rrustem Mustafa – Remi, Latif Gashi, Visar Ymeri.

I fundit që do të më habiste do të ishte deputeti i VV-së, Fisnik Ismajli, të cilit doza prej “tri gotash” të imbecillëkut i është bërë e përhershme kahmoti.

Apo ai tipi që kërkon vrasjen e Kryetarit të Kuvendit, sado që ka aq zëra që këtë të fundit e akuzojnë për vrasje politike.

Pra, imbecilët e rrjeteve sociale janë të panumërt.  

 

***

Prindërit, shpesh, kur ua vënë emrat e caktuar fëmijëve të tyre, duan që fëmijët e tyre të bëhen të atillë çfarë sinjalizojnë emrat. Në të njëjtën mënyrë, kam frikë, reagimet tona na e përçojnë cilësinë e reagimeve tona, na bëjnë të jemi reagimet tona. Pra, Isa Mustafa shndërrohet në Imbecil Mustafa. Fisnik Ismajli, përkundër mashtrimit në emër, në Fisnik Imbecili. Ashtu siç edhe unë, edhe për këtë tekst, në Arben Imbecili.   

 

***

Tamam, njerëzit kanë teka të ndryshme.

Për këto teka njerëzish na flet edhe Çehovi  tek ‘Udhëtari i klasës së parë’. Ky udhëtari tregon se si i ati i tij e kishte për merak që pas drekës të shtriqej dhe dikush t’ia kruante thembrat. Perverse!, themi ne. Natyrisht. Mirëpo, i biri, sidoqoftë, ka një tekë tjetër, krejt tjetër: të shtriqet dhe ta kruajë mendjen. E pra, të mendojë!

Të mendojë!

 

***

Statuset dhe komentet në rrjete sociale mund të duken edhe të falshme, meqë reagime të çastit. E megjithatë, nuk janë aspak të falshme, por vetëm dhe thjesht pasqyrime të perversitetit të autorit të tyre, i cili, në vend se të shtriqet që të mendojë, shtriqet që t’ia kruajnë shputat e këmbëve.

Sepse të ndalesh e ta shtrydhesh mendjen është e zorshme, ndërsa t’i kruash këmbët me statuse budallenjsh e sharje imbecilësh duket e lezetshme. Dhe merr pëlqime e zgjon reagime të paana. Si çdo budallalla ndër budallenj.

 

***

Mandej, që të kuptohemi, imbecillëku si i tillë nuk është se po shfaqet vetëm në rrjete sociale. Atë e gjen edhe në deklarata të ndryshme nëpër media, edhe nga ata që fare dhe me vetëdije të plotë nuk i përdorin rrjetet sociale. E bile, edhe nëpër libra të tërë, që kërkojnë më shumë se mundin e çastit për t’u shkruar.

 

***

Durimi dhe toleranca janë virtyte. Sigurisht. Prandaj, rrallë i hasim. Në të vërtetë, më tepër i duam dhe kërkojmë, me çdo kusht, nga të tjerët për veten tonë. Kur vjen puna që t’i manifestojmë dhe praktikojmë vetë, në raport me të tjerët, përherë gjejmë arsyetime të kota dhe hipoktrite për t’i kundërshtuar, pra duke e përpiqur në mënyrë aq të mjerë për ta nxjerrë veten të larë, bile viktimë. E kemi në maje të gjuhës të besojmë dhe shprehemi: Ne kemi të drejtë të mos jemi të durueshëm dhe tolerantë, sepse të tjerët janë të kredhur në një gabim të pafalshëm; Po qe se do të lëshonim pe (duronim dhe toleronim), ata do të na hanin të gjallë.

E nuk është kështu, aspak.

Nëse do të uleshim ta kruajmë mendjen, në vend se këmbët, do ta kuptonim, dalëngadalë e me dhimbje por njerëzishëm, se durimi dhe toleranca që i duam dhe na përkasin neve, i duan dhe iu përkasin edhe të tjerëve.