• |
ide | kryesore

Fati i afganes sygjelbër që tronditi botën 30 vjet më parë

Arkiva, Planet
afghan-girl-in-1985-and-in-2002.jpg



Shikimi i saj ka mahnitur botën, që kur u shfaq në ballinën e revistës së njohur National Geographic, në vitin 1985. Ishte hera e parë që Sharbat Gula ishte fotografuar ndonjëherë dhe hera e fundit, kur fotografi Steve McCurry e gjeti sërish pas shumë vjetësh.

Ajo e kujton atë moment. Fotografi ia bëri foton. Ajo e kujton hezitimin e saj. Njeriu që kishte përballë ishte vetëm një i huaj. Nuk ishte fotografuar asnjëherë tjetër që nga ajo kohë, deri pas ritakimit me fotografin McCurry.

Edhe Steve-it i kujtohet ai moment. Ndriçimi ishte i lehtë. Kampi i refugjatëve në Pakistan dukej si një det tendash. Brenda shkollës së improvizuar ishte Sharbat, që i tërhoqi vëmendjen dhe duke e vënë re hezitimin e saj, ai iu afrua me shumë kujdes. Ajo pranoi që të bënte atë fotografi. “Nuk e dija se fotografimi i kësaj vajze do të ishte krejtësisht diçka tjetër që kisha fotografuar të ditë”,-tregon fotografi, i cili gjatë tërë asaj dite kishte realizuar një dokumentar për refugjatët afganë.

Sharbat_Gula_on_National_Geographic_cover

Portreti nga Steve McCurri doli të ishte njëra nga fotografitë, që të prek në zemër dhe në qershor të vitit 1985, zuri kopertinën e revistës së njohur National Geographic. Sytë e saj kanë ngjyrën e detit të gjelbër. Janë të përndjekur dhe të përndjekin dhe në ta mund të lexojmë tragjedinë e vendit të tyre të shkatërruar nga lufta. Ajo u bë e njohur si “vajza afgane” dhe për shumë vite të tjera askush nuk ia dinte emrin.

Pas shumë kohësh një ekip i televizionit National Geographic, bëri që Steve McCurry të rikthehej në Pakistan për të kërkuar vajzën me sytë e gjelbër. Ai u tregoi fotografinë e saj të gjithëve në Nasir Bagh, kampi i dikurshëm pranë Peshaware, ku ishte bërë fotografia para shumë vitesh. Një mësues nga shkolla tha se ia dinte emrin vajzës. Një grua me emrin Alam Bibi, jetonte aty pranë, por McCurry e kuptoi se nuk ishte “vajza afgane”, që po kërkonte.

Një tjetër person u deklarua se ai e dinte për cilën vajzë bëhej fjalë, sapo e pa fotografinë në duart e McCurry-t. “Është rikthyer në Afganistan para disa vitesh dhe tani jeton në bjeshkët afër Tora Bora. Unë do të përpiqem të ju ndihmoj ta gjeni.”

U deshën tri ditë që të mbërrinin. Fshati i saj ndodhej 6 orë me makinë dhe tri të tjera për të kaluar kufirin. Një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë. Kur McCurry e pa atë grua që po futej në dhomë, e kuptoi menjëherë: Kjo është ajo.

Emrat kanë pushtet, kështu që le të flasim për të. Ajo është Sharbat Gula, është pashtune, fisi apo komuniteti që i jeton çdo ditë luftërat. Thuhet se pashtunët jetojnë në paqe vetëm kur ka luftë dhe sytë e saj atëherë dhe sot shkëlqejnë e flasin sërish. Ajo është ka kaluar të tridhjetat, por askush madje as ajo vet nuk e di saktësisht se sa vjeçare është. Tregimet ndryshojnë si rëra në një vend ku nuk ekzistojnë të dhënat. Koha dhe jeta e vështirë kanë fshirë rininë e saj. Lëkura dukej më e vrazhdë. Gjeometria e nofullave të saj është zbutur. Sytë ende të mahnitin; nuk i ka prekur koha.

Ajo ka përjetuar vite të vështira. Shumë nga njerëzit atje tregojnë për historinë e vendit të saj. Vite të tëra në luftë, 1.5 milion të vrarë, 3.5 milion refugjatë. Ky është tregimi i Afganistanit në këto vitet e fundit. Dhe kur shohim vajzën me sytë e gjelbër, nuk shohim vetëm ngjyrën mahnitëse të syve të saj, prapa tyre fshihet një tragjedi, tmerri i luftës, një numër pa fund i të vdekurve. Ata sy na sfidojnë, janë shqetësues dhe nuk na lënë dot të kthejmë kokën.

Kjo është një tragjedi e vazhdueshme për Afganistanin. Pushtim. Rezistencë. Pushtim. Do të përfundojë ndonjëherë? Çdo ndryshim i qeverisë sjellë edhe shpresën. Çdo herë populli afgan ka gjetur vetëm dëshpërimin dhe ndjenjën e tradhtisë, që e kanë dhuratë nga liderët e tyre.

Në mes viteve të 90-ta, gjatë luftimeve të përgjumura, Sharbat Gula shkoi në shtëpi në fshatin e saj duke kaluar me vështirësi malet e mbuluara me borë. Të jetosh në këtë pjesë të distancuar nga bota, nga të gjithë do të thotë të ikësh nga ekzistenca. Këtu ka tarraca të mbjella me misër, grurë, oriz, disa pemë arre, një lumë që derdhet poshtë malit (përveç në kohën e thatësirës), por asnjë shkollë, klinikë, rrugë, apo ujë të rrjedhshëm.

Këtu po ju njoftojmë edhe me një përmbledhje të ditës së saj. Ajo ngrihet para lindjes së diellit dhe falet. Ajo nxjerrë ujë nga lumi, gatuan, pastron, kujdeset për fëmijët e saj, që janë qendra e jetës së saj. Robina është 13, Zahida është 3, dhe Alia 1. Një vajzë e katërt vdiq në sa ishte ende foshnje. Sharbat nuk ka njohur një ditë të lumtur, vëllai i saj thotë se, me përjashtim të ndoshta ditës së martesës së saj. Burri i saj, Rahmat Gul, karakterizohet nga një buzëqeshje si dritë e dobët e një fanari në muzg. Ajo kujton ditën kur u martua ishte vetëm 13 vjeçare, ndërsa bashkëshorti e kundërshton dhe thotë se ishte 16. E ballafaquar me pyetje, ajo mbështjellë rreth fytyrës shaminë e zezë, një gjest që tregon se nuk ndjehet mirë kur i bëhen shumë pyetje. Nuk është zakon i saj të nënshtrohet para pyetjeve të të huajve.

Megjithatë a është ndjerë ndonjëherë e sigurt?

Ajo mund ta shkruaj emrin e saj, por nuk mund të lexojë, por shpreson që fëmijët e saj të mësojnë. “Kam dashur ta përfundoj shkollën, por nuk kam mundur. Më ka ardhur shumë keq kur jam detyruar ta braktisë mësimin.” Ritakimi i fotografit dhe gruas me sy të gjelbër ishte i qetë. Kur bëhet fjalë për gratë e martuara, traditat dhe kultura atje janë strikte. Ajo nuk guxon të shikojë bashkëbiseduesin mashkull, që nuk është bashkëshorti i saj. Nuk i buzëqeshi McCurry-t. Shprehja e fytyrës së saj, sipas fotografit ishte e zbehtë. Ajo nuk arrinte të kuptonte se si fotografia e saj kishte prekur aq shumë njerëz në mbarë botën. Nuk e kuptonte fuqinë e atyre syve. Por nuk është aspak e çuditshme. Sharbat ka jetuar çdo ditë duke e menduar si të fundit, ka humbur aq shumë në jetë. Luftërat e vazhdueshme kanë atrofuar shpirtin e saj dhe në pyetjen që i bëri McCurry se si kishte mbijetuar? Përgjigja erdhi e mbështjellë me siguri të palëkundur: “Ishte vullneti i Zotit.”

/Përktheu: B. Gjoni Revista Flatra/