• |
ide | kryesore

Alarmi që vjen nga linçimi i Blushit

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Linçimi publik që iu bë Ben Blushit në një mbledhje të partisë së tij në Elbasan e ka çuar në shkallën e fundit të degradimit, debatin që ky kritik i Ramës po mundohet të mbajë ndezur brenda forcës së tij politike.

Ai nuk ka të bëjë më, me zbatimin apo jo të statutit, me të drejtën për të konkuruar apo për tu zgjedhur, me lirinë për të kritikuar qeverinë apo për tu sjellë si dordolec i saj.

Ato pamje, tashmë gjerësisht të transmetuara nga mediat online (shiko videot në rubrikën lajme të Lapsi.al) janë turpi i një force politike që deri më tani është konsideruar si më demokratikja në vend. Sepse ato sanksonojnë një erë të re: atë të mbylljes së gojës me dhunë, deri më tani të paparë dhe të padëgjuar në PS.

Gjithkush që ka parë videot e Elbasanit ka të drejtë të ndihet i shqetësuar. Dhe pavarësisht se propaganda e qeverisë është munduar që me zë të zbehtë ti hedhë pak ujë zjarritë të skandalit që ka ndezur vetë, vështirë që dikush ti besojë alibitë e saj.

Njerëzit e Edi Ramës sot po thonë se vetë lideri e lejoi që Blushi të fliste në atë sallë të ndërkryer, megjithëse ai e dinte mirë se ai do ta kritikone atë. Ata po tregojnë se Rama u bëri thirrje “bishave” të tij të qetësoheshin, ndërsa Beni po ecte vetë drejt podiumit të mbledhjes. Ata madje po rrëfejnë liderin zemërgjerë, që i vuri në dispozicion gardën e tij personale, për ta mbrojtur Blushin nga ata që donin ta godisnin edhe fizikisht.

Por, pas të gjitha këtyre argumenteve të çala lind një pyetje: Nga e mbrojti Rama kundërshtarin e vet, nga partia së cilës i takon dhe nga militantët e saj?

Ç’heroizëm bëri që i dha fjalën në atë organizatë ku njerzit duhet të qenë vullnetarisht të bashkuar mbi principin më minimal: të thonë të lirë mendimin e tyre?

Po nëse i dha fjalën, pse rregjia qëndrore ia preu atë të gjitha tevevizioneve si në kohët më të errëta të demokracisë shqiptare?

Po nëse i bëri shenjë turmave të ulnin gjakrat, nga kush po i qetësonte ata kamikazë të blerë me emërtime në poste publike?

Po nëse vuri badigardët e tij personalë, që të ruanin kokën e Blushit, si i përgjigjet pyetjes që njrëz të dhunshëm ishin futur në tubimin e familjes së tij politike?

Të gjitha këto pyetje retorike e nxjerrin në shesh se kush është përgjegjës për dhunën ndaj Blushit dhe kush e nxit mendësinë e asgjesimit brutalisht të zërave që flasin ndryshe.

Për këtë nuk ka asnjë diskutim. Ashtu sikur nuk ka më debat se si po degradon demokracia dhe mendimi i lirë në partinë më të madhe në vend.

Por, problemi këtu nuk është aq tek PS-ja, sesa tek refleksi që ajo po rezaton mbi krejt shoqërinë shqiptare.

Sinjalet janë të këqia.

Pamjet e dhunës ndaj Blushit në Elbasan, të gjithë atyre që kanë ndjekur politikën 25 vjeçare, i ndjellin kujtimet më të errëta.

Ato të kujtojnë linçimin publik që iu bë mocionistëve me në krye Gramoz Pashkon, në vitin ’92, vetëm disa muaj pasi Berisha kishte fituar pushtetin.

Ato të kujtojnë nxjerjen përdhunisht nga salla të Eduart Selamit, pas humbjes së referendumit në fillim të vitit ‘95, vetëm se ai kish guxuar të mendonte ndryshe nga udhëheqësi i pagabueshëm.

Të gjithë e dimë seç kohë qe ajo. Një shoqëri me liderin e opozitës në burg, me zgjedhje që u vodhën, me politikanë që u masakruan në shesh dhe me piramida që shpërthyen për të djegur gjithçka.

Pikërisht për këtë, pamjet sallës së Elbasanit janë shqetësuese.

Jo për fatin personal të Ben Blushit. As për demokracinë e brendëshme të partisë së tij.

Por, për të gjithë ne që po na evokohet një “deja vu” e llahtarshme. (Lapsi.al)