• |
ide | kryesore

Taksat e Bashkisë së Tiranës: Papërgjegjshmëria e mungesës së një debati!

Arkiva, Blog
bashkia-taksat-208x230.jpg



Si mund të kalohen ndryshime prej 250% rritje (këtu e kemi fjalën për ndryshimet e arkëtimeve të pritshme nga të ardhurat jo tatimore nga 50 milionë euro në 120 milionë euro) me forcën e kartonit e pa asnjë konsultim paraprak me grupet e interesit ? Si mund të dhjetëfishohen tarifat pa bërë një studim se cila është gjendja e biznesit të vogël sot, sa të ardhura dhe fitime ka ai….

Sot pjesë e madhe e debatit publik në media apo edhe në forume partiake, të grupeve të interesit apo të shoqërisë civile në kuptim më të gjerë të saj, bëhet për çështje të lidhura me politikat fiskale të pushtetit lokal. Pavarësisht se bëhet sot dhe përfshin Pushtetin lokal, nisjen e saj e pati ca muaj më parë nga politikat fiskale të Qeverisë Rama.

Në fakt, ishte heqja e taksës së biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit, një lëvizje më shumë populiste kjo (pas konstatimit të vonuar të rënies së besimit në qeveri si rrjedhojë e agresivitetit ekstrem të aksionit anti informalitet) sesa e mirëstudiuar ka futur në hall gjithë bashkitë, që e kishin këtë taksë burimin kryesor të të ardhurave të tyre, me rreth 50% të totalit (47% për atë të Tiranës).

Në një lëvizje të paprecedencë, bashkia më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit, u përpoq ta neutralizonte këtë ulje të të ardhurave tatimore përmes rritjes së atyre jo tatimore. Themi e paprecedentë për vetë mënyrën se si u hartua dhe u kalua ai në procedurat ligjore të aprovimit.

Vetëm disa ditë përpara 30 dhjetorit, Bashkia u vuri në dispozicion këshilltarëve bashkiake një mal me dokumente e vendime të rëndësishme, nga më të rëndesishmet që Pushteti Lokal merr gjatë një viti, ndërsa vendimi për taksat u kalua pas orës 12 të mbrëmjes, me shpejtësi dhe pa u debatuar. Ndonëse, propozimet përfshinin të gjithë kuadrin fiskal dhe tarifor të shërbimeve të Bashkise, vetëm rritja e çmimit të biletës së urbanit nga 30 lekë në 40 lekë u bë publike dhe u debatua ashpër në ato ditë të ngarkuara me festa, gjela deti e verë e raki.

Të tjerat mbetën në heshtje deri në fillim të shkurtit, kur bizneset u habitën kur u erdhën inspektorët që u bënë matjet e hapësirës, të tabelave apo edhe konstatimet e statusit të biznesit (në disa raste ishin arbitrarë, duke u justifikuar se kështu i kishin porositë nga eprorët) apo u dolën në sistem faturat e kripura që duhet të paguheshin në një afat jo shumë të gjatë. Një mungesë e tillë transparence nuk ishte parë ndonjëherë në 25 vitet e ekonomisë së tranzicionit dhe aq më tepër për vetë shkallën e ndryshimit që këto parashikonin në raport me ato pararendëset.

Ndonëse Bashkia vrapoi të bëjë gjithë reformën fiskale ditën e vitit të ri, gati si për të përfituar nga rrëmuja e festave e nxitimi i përgjithshëm që përfshin këdo në ato ditë, në një kohë që përmasa e ndryshimeve do të kërkonte jo vetëm kohë por edhe hapësirë më të madhe për diskutime publike, kjo nuk e shpëtoi nga një debat publik. Kjo mund të konstatohet lehtazi, ajo tani ka marrë vëmendjen e gjithë opinionit publik dhe medias që është e hapur për të, por në fakt janë diskutime që duhet të ishin bërë që atëhere.

Pasi përmasat e rritjeve të tarifave tashmë nuk mund të fshihen më me justifikimin e heqjes së taksës së biznesit të vogël, për shumëkënd lind pyetja: Si mund të kalohen ndryshime prej 250% rritje (këtu e kemi fjalën për ndryshimet e arkëtimeve të pritshme nga të ardhurat jo tatimore nga 50 milionë euro në 120 milionë euro) me forcën e kartonit e pa asnjë konsultim paraprak me grupet e interesit ? Si mund të dhjetëfishohen tarifat pa bërë një studim se cila është gjendja e biznesit të vogël sot, sa të ardhura dhe fitime ka ai. Për më tepër që tarifat, aty ku Bashkia mund të luajë më shumë, llogariten në llogjikën fiskale të mbulimit të shpenzimeve administrative të nevojshme për të siguruar këto shërbime e jo për të siguruar të ardhura, një funksion që e kanë taksat.

Si mund të vendoset me një të rënë të lapsit taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja 8% (qeveria qendrore, që e cakton këtë taksë u la hapësirë bashkive të vendosnin mes 4-8% të çmimit të shitjes dhe Bashkia Tiranë zgjodhi kufirin maksimal). Vetëm me këtë, bashkia kompenson heqjen e taksës së biznesit të vogël, por ndërkohë e transferon barrën direkt te konsumatori fundor, pasi ky është një veprim që ndikon direkt në çmimin e shitjes së apartamenteve dhe gjithashtu në një industri të “bërë copë” nga kriza e sektorit dhe të mbingarkuar nga borxhet? A është serioz pretendimi se kjo taksë do të prekë vetëm biznesin VIP që ka fitime të majme (ku janë këto se nuk po i shohim?!?!), kur në fakt (aq më tepër në Shqipëri) është fare e qartë që këto rritje kalohen në mos tërësisht, në pjesë të madhe tek konsumatori fundor? (dhe në fund të fundit kështu ndodh kudo në një ekonomi të tregut e iniciativës së lirë).

Po këshilltarët Bashkiakë, si mund të ngrenë kartonin pavarësisht se cilat janë vendimet që u serviren edhe kur ajo janë jashtë çdo logjike ekonomike! Aq më tepër, që qartazi do të ndesheshin me kundërshtimin e zgjedhësve që i kanë caktuar t’i përfaqësojnë në atë forum!!!

A është i vlefshëm një justifikim i përdorur shpesh, se dyfishimi i taksave apo tarifave është bërë në mënyrë që të sigurohen të ardhura për të ndërtuar çerdhe, shkolla apo përmirësuar infrastrukturën rrugore. Edhe nëse do të mund të pranohet një llogjikë e tillë, kjo duhet të bëhet sigurisht me një vlerësim paraprak se deri ku do të mund të bëhej një ushtrim i tillë? Deri në ç’nivel “mban” biznesi i madh apo i vogël, individi apo shoqëria një nivel të caktuar tatimor apo regjim tarifor dhe me pas kjo të aplikohej ndoshta edhe me një program shumëvjeçar të arritjes së niveleve të caktuara në kohë.

Por, pavaresisht sa me sipër, a kërkon kjo rritje e detyrimit të shoqërisë për të paguar më shumë taksa apo edhe tarifa një përgjegjësi më të madhe për transparencë e detyrim llogaridhënie, për administratën që i aplikon këto? Mendojmë se PO.

Si atëhere arrijnë të bëjnë veprime të tilla që tregojnë se parku i fëmijëve (për të cilin ka një debat të madh në kryeqytet nëse duhet të bëhet apo jo), e ka marrë lejen në datën 12 Shkurt, tenderi është fituar po në të njëjtën datë dhe punimet kanë filluar në datën 11 Shkurt???!!!

Është normale, që kjo mungesë e përgjegjshmërisë, transparencës dhe e standardeve normale të llogaridhënies, do të nxirrte shumë shpejt zbuluar Bashkinë. Kryebashkiaku u detyrua të pranojë (me “zemërgjerësi”) që Janari dhe Shkurti të paguheshin me tarifat e vjetra, ndërsa “rinegocimi” me grupet e interesit çoi në pranimin e rishikimit të aspekteve të rëndësishme, duke hequr tarifën e tavolinës dhe duke rishikuar atë të përdorimit të hapësirës publike për biznes. Megjithatë, kjo tërheqje është vetëm një mballomë që nuk kompenson mungesën e diskutimit e të debatit, ndërsa në terren vijojnë aplikimet e tarifave në mënyrë arbitrare nga administrata, e cila në disa raste po bën edhe “lexim të ndryshëm” të aplikimit të ligjeve dhe udhëzimeve, për të gjetur mënyra për të arkëtuar sa më shumë nga subjektet tatimore apo qytetarët. Për më tepër, ditët në vijim pritet të jenë sërish të trazuara, kur bizneseve do t’u dalin në sistem taksat e tarifat e tjera (të pastimit, tabelave, ndërtesës, arsimit) se edhe këto rezultojnë të rritura ndjeshëm dhe në gjykimin tonë, jashtë një llogjike normale për situatën e biznesit sot.

Kjo mungesë përgjegjshmërie, transparence, llogaridhënie dhe pasojat që ajo solli pritet të jenë një goditje e rëndë për një bashki që ka vetëm disa muaj jetë. Ajo është një sinjal paralajmërues negativ, që flet për rrezikun se institucionit, që menaxhon fondet e kryeqytetit, po i mungon vizioni afatgjatë për t’u bërë palë me qytetarët dhe bizneset në atë që pretendohet të jetë zhvillimi i qëndrueshëm i Tiranës.

Urojmë, që fakti që të gjithë ndryshimet e pranuara në paketën fiskale të aprovuar në tavolinën e gjelit të Vitit të ri, do të duhet të rikthehen në Këshill Bashkiak për një rishqyrtim, të jetë rasti që vetë Administrata e Bashkisë të reflektojë për qëndrimin e deritanishëm dhe të paraqesë një analizë të plotë të situatës, të ndërhyrjeve që kërkon të bëjë, të arsyeve dhe qëllimit të këtyre ndërhyrjeve dhe të projekteve që do të financojë me këto burime shtesë financimi.

Nuk është kurrë vonë për të bërë një gjë drejt! /Monitor